Analizë: Kontraverzat rreth punësimeve të reja të 3.000 personave në administratë

 

Është shumë vështirë të analizohet dhe të kontrollohet ndonjë masë, e cila në shikim të parë duket shumë humane dhe pozitive për një numër të madh qytetarësh. Mirëpo pikërisht analiza mund t’i largojë shtresat e humanizmit të rrejshëm dhe ta zbulojë diskriminimin, manipulimin dhe manipulimin e të drejtës, që në fund të fundit çon në shkeljen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve.

 

Shkruan: prof. Mirjana Najçevskaеksperte për të drejtat e njeriut

 

Njëra nga detyrat kryesore të medies është të informojë. Kjo do të thotë të mbledhë fakte për ndonjë materie të caktuar (ngjajre, situatë, aktivitet,…) dhe ta prezantojë para publikut në mënyrë që e cila do t’u mundësojë njerëzve të fitojnë pasqyrë sa më adekuate për ndonjë materie konkrete.

Prezantimi i njëanshëm, jo i plotë dhe fragmentar i fakteve në vend që ta informojë publikun, mund të çojë në dezinformimin e tij. Dezinformimi mund të jetë i paqëllimshëm (kur ndodh rastësisht për shkak të mungesës së numrit të mjaftueshëm të fakteve për vetë medien ose për shkak të kapaciteteve të kufizuara të medies për prezantim adekuat të fakteve të mbledhura), ose i qëllimshëm (kur bëhet fjalë për fshehje të qëllimshme të fakteve me qëllim të manipulimit të mendimit publik dhe krijimit të perceptimit të gabueshëm për ngjarjet, ndodhitë, aktivitetet).

Problemi i informimit jo të plotë si formë e dezinformimit dhe manipulimit eventual mund të shqyrtohet nëpërmjet shembullit për raportimin për punësimin e 3.000 njerëzve nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Në informimin mediatik mund të identifikohen katër shtresa të dezinformimit (që është e mundësuar me transmetimin jokritik të deklaratës së Peshevskit, ose është krijuar nga vetë media) dhe të manipulimit të mundshëm.

 

  1. Shtresa e parë e dezinformimit ka të bëjë me çështjet që kanë të bëjnë me karakterin e angazhimit të punës, i cili me këtë ndryshim shndërrohet në marrëdhënie të përhershme pune.

Në asnjë medie nuk u parashtrua pyetja si sa ka mundësi që një marrëveshje e nënshkruar në bazë të Ligjit për marrëdhëne obliguese ose në bazë të Ligjit për punë vullnetare të transformohet në kontratë për punësim sipas Ligjit për marrëdhënie pune? Mediat nuk u interesuan për faktin se me një ndryshim të këtillë, pushtetmbajtësi luan me ligjet dhe e promovon pasigurinë juridike. Vetëm si shembull, sipas Ligjit për punë vullnetare:

Vullnetar është personi fizik që ofron shërbime, shkathtësi dhe dije në dobi të personave, organeve, organizatave dhe institucioneve të tjera, në bazë vullnetare dhe pa përfitim financiar ose ndonjë përfitim tjetër.

Transformimi i kontratës për punë vullnetare në kontratë për punësim paraqet futje të elementit të përfitimit personal, që e mohon në tërësi Ligji për punë vullnetare.

Kur mediat transmetojnë një aktivitet të këtillë të pushtetit (me ç’rast e potencojnë konotacionin pozitiv të aktivitetit) pa mbajtur llogari për shkeljen e ligjeve, që është pjesë përbërëse e një aktiviteti të këtillë, ato bëhen promotorë të dezinformatës dhe e mundësojnë manipulimin.

Sipas Puls24

Me Ligjin parashihet se të gjithë persona që janë angazhuar në marrëdhënie pune që nuk ka qenë me karakter të përhershëm, gjegjësisht, nuk kanë qenë të punësuar të rregullt, mirëpo kanë qenë të angazhuar në marrëdhënie të tillë pune së paku tre muaj…

Në këtë mënyrë media përhap dezinformatë dhe e manipulon publikun, për shkak se kontrata në vepër nuk është kontratë me të cilën krijohet marrëdhënie pune, ndërsa puna vullnetare rrepëtsisht e ndalon trajtimin e kësaj marrëdhënieje si marrëdhënie pune. Kjo do të thotë se nuk transformohet një marrëdhënie pune në një tjetër, por një kontratë që është nënshkruar sipas një ligji tjetër shndërrohet në kontratë pune sipas Ligjit për marrëdhënie pune. Kjo është njësoj sikur me ndonjë ligj të parashihet se kontratat për shitblerje që janë nënshkruar në ndonjë periudhë të caktuar kohore do të trajtohen si kontrata për punësim.

Madje edhe mediat që pretendojnë se janë profesionale aspak nuk i kushtojnë kujdes dimensionit juridik të informatës që e transmetojnë. Për shembull, sipas LIDER-it

Me Ligjin do të përfshihen mbi 3.000 njerëz që me vite punojnë në institucionet dhe organet shtetërore me afat të caktuar kohor nëpërmjet llojeve të ndryshme të kontratave.

Puna me afat të caktuar kohor është rregulluar me Ligjin për marrëdhënie pune, mirëpo, kjo nuk është e njëjtë me kontratën në vepër (që është rregulluar me Ligjin për marrëdhënie obliguese) dhe punën vullnetare (që është rregulluar me Ligjin për punë vullnetare), e me të cila ka të bëjë Ligji për transformimin në marrëdhënie të rregullt pune, me të cilin është paraparë punësimi i mbi 3.000 njerëzve.

Me këtë ligj rregullohet transformimi në marrëdhënie të rregullt pune me afat të caktuar kohor i personave të angazhuar me kontratë për punë vullnetare, kontratë në vepër dhe/ose kontratë autoriale me të cilën personi është angazhuar për kryerjen e punës (kontratës)…

Në këtë mënyrë rritet konfuzioni, e me këtë dhe manipulimi.

Prandaj, kur ministri për shëndetësi, Todorov, do të deklarojë se:

Me afat të pacaktuar kohor do të punësohen rreth dy mijë njerëz, personel mjekësor dhe personel ndihmës, gjegjësisht administrativ, të cilët deri tani kanë kryer punë vullnetare në institucionet shëndetësore publike.

ai me këtë na thotë se, e para, institucionet shëndetësore publike e kanë manipuluar Ligjin për punë vullnetare, i cili nuk ka lidhje me punësimin dhe i cili në mënyrë të qartë definon se vullnetari nuk është njeri i cili punon për të realizuar ndonjë dobi materiale, e tani do ta manipulojnë edhe Ligjin për marrëdhënie pune, sipas të cilit

Në një institucion publik, ndërmarrje publike dhe person tjetër juridik që kryen veprimtari të shërbimit publik, organ të administratës shtetërore dhe organ të njësisë së vetëqeverisjes lokale, nevoja për punëtor sigurohet me publikimin e shpalljes publike, në së paku dy gazeta ditore, nga të cilat së paku në një nga gazetat që botohen në gjuhën maqedonase dhe në gazetat që botohen në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve të cilat flasin gjuhë zyrtare që është e ndryshme nga gjuha maqedonase.

Mediat që e harruan rolin kontrollues që e kanë në raport me pushtetin dhe u bënë transmetues të thjeshtë të porosive të pushtetit, me këtë pranuan të jenë pjesë e manipulimit të qytetarëve.

Madje edhe mediat që përpiqen ta trajtojnë faktin se kjo masë është joadekuate nuk e potencojnë shkeljen e ligjeve, por ndalen vetëm te aspekti politik i aktivitetit të pushtetit.

 

  1. Shtresa e dytë e dezinformimit ka të bëjë me reformën e prokalmuar të administratës dhe krijimin e administratës së vogël, efikase, kundrejt aktit të rritjes enorme të administratës.

Në titujt e llojit: Qeveria vendosi: Mbi 3.000 persona do të punësohen në kohë të pacaktuar është harruar fakti se, në fakt, qeveria jo vetëm që ka vendosur ta rrisë administratën shtetërore, por edhe ta deprofesionalizojë. Në fakt, obligimi për punësimin e 3.000 njerëzeve pa mbajtur llogari për kualifikimet, njohuritë dhe shkathtësitë e tyre, është në kundërshtim të plotë me një sërë vërejtjesh të dhëna në raportet për përparimin e Maqedonisë. Për shembull: “Disa punësime realizohen si masë sociale, në vend se si përgjigje ndaj nevojave të institucioneve.”, gjegjësisht “Akoma nuk janë në dispozicion numrat zyrtare për numrin e përgjithshëm të të punësuarve në sektorin publik, të përhershëm dhe të përkohshëm, që e bën të vështirë matjen e përparimit në arritjen e transparencës dhe qëllimeve të reformave.” Vërejtjet e këtilla janë të pranishme edhe në raportin e fundit: “Praktika e përditshme e krijimit të vendeve të reja të punës në bazë sociale ose politike, në mënyrë artificiale e rrit shërbimin publik, duke e dëmtuar parimin e meritave dhe qëllimin e përgjithshëm për administratë efikase publike”.

Мediat nuk detеktojnë se bëhet fjalë për ndërhyrje të plotë në sistem, madje as në deklaratat e llojit:

Institucionet publike dhe shtetërore t’i harmonizojnë sistematizimet dhe të fillojnë me procedurën për realizimin e transformimeve të marrëdhënies së punës

të cilat pa dyshim bëjnë me dije se nuk bëhet fjalë për plotësimin e vendeve të zbrazëta të punës ose, për plotësimin e nevojave të institucioneve, por imponohet zmadhimi i institucioneve me hapjen e pozitave të reja administrative.

 

  1. Shtresa e tretë e dezinformimit ka të bëjë me manipunlimin që gjendet në vetë ligjin.

Një numër i konsiderueshëm mediash transmetojnë një pjesë të përmbajtjes së vetë ligjit, mirëpo nuk e analizojnë dhe nuk e trajtojnë kundërshtimin që gjendet në këto dispozita.

Për shembull, sipas nenit 2 të Ligjit për transformim në marrëdhënie të rregull pune:

Transformimi në marrëdhënie pune me afat të pacaktuar kohor do të shfrytëzohet vetëm për personat nga neni 1 i këtij ligji, të cilët kryejnë punë në bazë të kontratës në periudhë prej së pakur 3 muajsh, duke llogaritur deri më 30.11.2014, dhe të cilët poashtu kanë kontrata të vlefshme edhe në momentin e transformimit të marrëdhënies së punës.

Parashtrohet pyetja, se pse ka nevojë të bëhet përcaktimi kohor “së paku 3 muaj llogaritur deri më 30.11.2014″, në qoftë se kërkohet ekzistimi i kontratës në momentin kur bëhet transformimi?

A do të thotë kjo se të gjithë ata që janë “të padëshiruar” për stukturat në pushtet, edhe përkundër asaj se kanë qenë të angazhuar me kontratë në vepër një periudhë më të gjatë, nuk do të mund të kërkojnë transformim të marrëdhënies me kontratë të përkohshme në marrëdhënie të përhershme nëse në momentin kur duhet të bëhet transformimi nuk kanë kontratë adekuate. Sa e lehtë është të gjendet ndonjë shkelje e kontratës dhe pikërisht ata “të padëshiruarit”, thjesht, mu në atë periudhë të mos angazhohen (edhe përkundër asaj se paraprakisht, p.sh. me vite, kanë kryer detyra të punës)?

Kjo ka të bëjë edhe me dinamikën e realizimit të punësimit (e cila, poashtu, është dhënë në një numër të madh mediash). Mirëpo, nëse lexohet vetë ligji, në të është përdorur formulimi “më së shumti” 35%. Për shkak se nuk ka më së paku, kjo do të thotë se në këtë proces mund të përfshihen edhe 1% ose 0,5%. Për 99,5% të tjerët ligji do të hyjë në fuqi më 1.09.2016. Me këtë, deklarata e zëvendëskryeministrit Peshevski e dhënë me titull bombastik “Vendim i ri i qeverisë – Punësohen mbi 3.000 njerëz”, në fakt, mund të nënkuptojë punësim të 15 njerëzve, ndërsa 2.885 të tjerët do të presin deri më 1.09.2016 (nënkuptohet, në qoftë se në atë moment akoma do të jenë të angazhuar me kontratë në vepër, gjegjësisht, do të jenë të angazhuar si vullnetarë).

Mediat nuk e trajtuan as rolin specifik të Ministrisë për Financa që është paraparë në ligj:

Ministria për Financa jep pëlqim për mjetet e siguruara financiare për transformim të marrëdhënies së punës në afat të pacaktuar kohir për personat nga neni 2 i këtij ligji (më tutje në tekst: pëlqim), me kërkesë të institucioneve.

Do të ishte interesante që mediat ta parashtrojnë pyetjen, e çka në qoftë se Ministria për Financa konstaton se nuk ka mjete? Pa miratimin e Ministrisë për Financa nuk ka transformim. A do të thotë kjo se transformimi mund të shtyhet deri në pafundësi? Interesante është se pse mediat nuk u interesuan se pse nuk është dhënë obligimi për Ministrinë për Financa që t’i realizojë këto kërkesa ose së paku të ketë afate brenda të cilave ajo duhet të japë përgjigje.

Momenti i dytë të cili mediat nuk i kushtuan kujdes ishte individualizimi i vendimeve/miratimeve që i jep Ministria për Financa. Në fakt, Ministria për Financa nuk jep miratime për ndarjen e mjeteve në bazë të numrit të ofruar, por për individë konkretë

listat me personat që i plotësojnë kushtet dhe ato t’i dorëzojnë deri te Ministria për Financa, theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Vlladimir Peshevski, në përgjigjen e tij në pyetje të deputetit.

Kjo do të thotë se Ministria për Financa mund të japë vendime për disa njerëz që i plotësojnë kushtet sipas ligjit të përmendur, dhe të mos japë vendime për disa të tjerë, të cilët poashtu i plotësojnë ato kushte.

 

  1. Shtresa e katërt e dezinformimit ka të bëjë me kundërshtimin e këtij ligji me ligjet e tjera që janë në fuqi.

Mediat nuk e parashtruan pyetjen për raportin e këtij ligjin me Ligjin për marrëdhënie pune, me Ligjin për nëpunësit administrativë ose me Ligjin për nëpunësit publikë. Mediat mundeshin, mirëpo nuk i parashtruan pyetjet për kualifikimet, profesionalizmin, përvojën, e njerëzve ndaj të cilëve do të zbatohen dispozitat e këtij ligji, si elemente të rëndësishme gjatë punësimit të rregullt.

Çka do të thotë kjo në praktikë? Për shembull, nëse merret parasysh se për punë vullnetare nuk kërkohen aspak kualifikime, kjo do të thotë se çdokush (absolutisht çdokush), mund të punësohet në ndonjë institucione shtetëror, në kundërshtim me të gjitha ligjet e tjera.

Kjo do të thotë se, në qoftë se ndonjë punëtor punësohet sipas Ligjit për marrëdhënie pune, ai paraqitet në konkurs dhe që të punësohet duhet t’i plotësojë kushtet e parapara. Për shkak se në këtë rast ka konurrencë ndërmjet shumë kandidatëve të paraqitur, kjo do të thotë se punëtori që të punësohet jo vetëm që duhet t’i plotësojë kushtet, por duhet t’i plotësojë atë më shumë dhe në nivel më të lartë se kandidatët e tjerë. Kundrejt kësaj, punëtori që do të punësohet me Ligjin për transformim nuk duhet t’i plotësojë as kushtet minimale për punësim.

Është shumë vështirë të analizohet dhe të kontrollohet ndonjë masë, e cila në shikim të parë duket shumë humane dhe pozitive për një numër të madh qytetarësh. Mirëpo pikërisht analiza mund t’i largojë shtresat e humanizmit të rrejshëm dhe ta zbulojë diskriminimin, manipulimin dhe manipulimin e të drejtës, që në fund të fundit çon në shkeljen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve.

Transmetimi i thjeshtë i deklaratave të pushtetit pa bërë analizë të tyre dhe pa i zbuluar kontradiktat dhe paqartësitë në to, i bën mediat vetëm vegla të strukturave politike. Në këtë mënyrë mediat bëhen jo vetëm pjesë e përhapjes së dezinformatave, por edhe faktor aktiv në manipulimin e qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button