ANALIZË: Diplomacia e përgjuar – çka mund të pritet nga të huajt? 

Në qoftë se vërtetohet se përgjimi i ambasadorëve të huaj është i vërtetë, atëherë janë bërë një sërë veprash penale dhe pasojat negative do të jenë të pashmangshme, konsiderojnë një pjesë e analistëve. Përderisa LSDM-ja opozitare publikoi se autoritetet e Maqedonisë janë ato që kanë përgjuar së paku gjashtë ambasadorë, edhe atë nga vendet më me ndikim, pushteti thotë se pikërisht shërbimet e huaja qëndrojnë prapa aferës me përgjimet. Ekspertët që i anketoi “Portalb”-i janë unanimë për një gjë, se dalja nga kriza politike më nuk mund të kërkohet vetëm nëpërmjet zgjidhjes ligjore, por edhe nëpërmjet zgjidhjes politike.

Vendet e huaja nuk do ta heshtin skandalin… 

Ligjet e ndalojnë përgjimin e ambasadorëve, bile kjo është e pamundur edhe me urdhër të gjyqit, komentojnë analistët. Rasti me diplomatët e përgjuar në Maqedoni është rasti i vetëm me përmasa të këtilla që ka dalë në sipërfaqe dhe pasojat do të jenë të paevitueshme, konsideron ish-ambasadori i Maqedonisë, Alajdin Demiri.

 “Përgjimi i ambasadorëve të huaj në Maqedoni është veprim që nuk mund të kuptohet dhe të arsyetohet. Ndoshta tani për tani kemi një heshtje të diplomatëve të huaj, mirëpo kjo është për shkak të shokut, pasi u tha se së paku gjashtë ambasadorë janë përgjuar. Gjithsesi reagime do të ketë, gjithçka do të varet nga vendimet e vendeve, përfaqësuesit diplomatikë të të cilave janë përgjuar. Mendoj se nuk përjashtohet mundësia që të sjellin edhe vendim për tërheqje të ambasadorëve. Ky do të ishte një veprim shumë i ashpër, mirëpo në të njëtën kohë edhe shumë i butë, duke pasur parasysh se, nëse vërtetohet se ka pasur përgjim të ambasadorëve, atëherë janë bërë një sërë veprash penale. Unë deri tani nuk kam dëgjuar për një shembull të këtillë të përgjimit të diplomacisë së huaj, së paku kjo nuk është publikuar. Ne në këtë mënyrë ndërtojmë marrëdhënie armiqësore, të cilat sipas meje edhe deri tani janë demonstruar nëpërmjet atij sindromi fantom se ne jemi më të mirët dhe të gjithë përreth nesh dhe më larg janë të këqinj dhe kundër nesh”, sqaron ish-diplomati.
Pas deklaratës së liderit të LSDM-së, Zoran Zaev se së paku gjashtë diplomatë të huaj kanë qenë cak i përgjimeve dhe se partia do t’ua ofrojë atyre personalisht materialet e përgjuara, me qëndrime dolën edhe një pjesë e ambasadave në vend së bashku me Delegacionin e Komisionit Evropian në Maqedoni. Të gjithë kërkojnë hetim të shpejtë dhe transparent, duke theksuar se përgjimi i ambasadorëve të huaj paraqet shkelje të Konventës së Vjenës. Më poshtë japim një përmbledhje të këtyre reagimeve:

Bashkimi Evropian:

“Bashkimi Evropian shpreh brengosje të thellë për indikacionet për përgjim masovik, nga burimi i panjohur, dhe përmbajtja e tyre duhet të shqyrtohet nga ana e organeve përkatëse, në mënyrë transparente dhe të pavarur. Nëse është përgjuar edhe korrespodenca diplomatike, atëherë kjo është shkelje e përgjegjësisë nga ana e vendit-nikoqir, në bazë të Konventës së Vjenës” – deklaroi Maja Kocijançiq, zëdhënëse e komesarit për zgjerim dhe fqinjësi.

Aivo Orav, euroambasador:

“Dëgjuam fjalë të shkëlqyeshme për integrimin në Bashkimin Evropian gjatë viteve të fundit në këtë vend. Tani është koha, që të gjithë politikanët, e përsëris, të gjithë politikanët e këtij vendi, ta dëshmojnë këtë me vepra. Këtu jemi që t’i ndihmojmë vendit tuaj në rrugën drejt Bashkimit Evropian, mirëpo duhet ta shohim se ju me të vërtetë e doni këtë.”

Ambasada e Suedisë:

 “Pretendimet e publikuara se ka pasur ndjekje me përmasa të mëdha të politikanëve, gazetarëve dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile, si dhe pretendimet për keqpërdorimin e fuqisë në politikë, media dhe gjyqësi, janë shumë shqetësuese. Janë të nevojshme hetime të pavarura, të plota dhe transparente të të gjitha këtyre fakteve. Në qoftë se është ndjekur edhe korrespodenca diplomatike, kjo është shkelje e Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike. Megjithatë, ambasada suedeze nuk do ta komentojë asnjë nga bisedat e saj private”.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar:

“Nuk komentojnë çështje që kanë të bëjnë me bisedat tona private. Megjithatë, ka deklarata serioze për keqpërdorim të fuqisë, veprime kriminale dhe një nivel të ndikimit të shërbimeve sekrete të Maqedonisë në politikë, media, gjyqësi dhe në aspektet e tjera të jetës së përditshme. Në këtë drejtim, Mbretëria e Bashkuar e fton qeverinë e Maqedonisë dhe institucionet plotësisht t’i hulumtojnë këto pretendime dhe të respektohen parimet e sundimit të së drejtës.”

Kristine Althauser, ambasadore e Gjermanisë:

“Këto janë pretendime shumë serioze dhe nëse ato janë të vërteta, duhet të ketë një hetim shumë transparent dhe të pavarur. Nëse është shkelur Konventa e Vjenës për komunikim ndërmjet diplomatëve, atëherë kjo gjithsesi është një shkelje serioze. Më tepër nuk mund të them në këtë moment.”

Zgjidhje politike ose ligjore? 

Në qoftë se pushteti ka argumente se shërbimet e huaja qëndrojnë prapa procesit të përgjimit, atëherë urgjentisht duhet të reagohet, për shkak se në të kundërtën vendi mund të ballafaqohet me dëmtim serioz të pozitës ndërkombëtare, konsiderojnë analistët.

“Gruevski e humb terrenin dhe nuk është duke u gjendur më së miri në këtë situatë, dhe për këtë arsye më lehtë e ka që ta prezantojë logjikën e armiqësisë, gjegjësisht se shërbimet e huaja janë pjesë e aferës së përgjimeve, të cilat në atë mënyrë duan ta shkatërrojnë Maqedoninë me ndihmën e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Kjo logjikë është humbëse, pa argumente. Nëse është ashtu, atëherë pse deri tani nuk dërgojmë notë proteste deri te përfaqësitë e huaja diplomatike. Kjo që ndodh tani është vetëm blerje kohe dhe ndërtim i strategjisë se si të rrëzohet Zaevi. Ne tani kemi favorizim të formës në vend të thelbit të problemit”, thotë ish-ambasadori Demiri.

Përderisa kriza politike në terrenin vendor thellohet, një pjesë e analistëve konsiderojnë se zgjidhja është e pamundshme pa përfshirjen e faktorit ndërkombëtar.

“Dalje nga kriza e shoh në përfshirjen sa më të shpejtë të Gjermanisë dhe të SHBA-ve. Mendoj se faktori ndërkombëtar duhet të ndihmojë që urgjentisht të formohet qeveri eksperte dhe një gjykatë ndërkombëtare. Duke e pasur parasysh seriozitetin e gjendjes mendoj se ajo gjykatë duhet të ketë mandat të gjerë dhe afatgjatë. Mendoj se kundërshtarët e kësaj ideje nuk mund t’i referohen sovranitetit të vendit për shkak se janë shkatërruar të gjitha shtyllat e tij në një gjendje kur Maqedonia është në proces të integrimit dhe bashkësia ndërkombëtare ka përgjegjësi të kyçet në zgjidhjen e krizës së gjithëmbarshme politike”, thotë profesori universitar, Sulejman Rushiti.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe ish-ambasadori Demiri, sipas të cilit është e pashmangshme zgjidhja politike e krizës, me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button