“Sahara group” fillon me riorganizimin e agrokombinatit “Xhumajlia”

Përfaqësues indianë të “Sahara group” nesër do të vijnë sërish në Maqedoni në mënyrë që të fillojnë me riorganizimin e agrokombinatit “Xhumajlia”.

Punët e para ndërtimore do të fillojnë nga tetori, ndërsa aktivitetet do të intensifikohen në pranverë, kumtoi TV Alfa. Gjatë tre viteve të ardhshme do të ndërtohen katër ferma të ndara për lopë, të cilat do të jenë tërësisht të klimatizuara dhe me reparte për mjelje mekanike, qumështore me teknologji të lartë, si dhe objekte për prodhimin e ushqimit për kafshë. Njëzet mijë lopë do të arrijnë nga Holanda, në disa faza. I tërë investimi është vlerësuar në 211 milionë euro – 60 milionë në 8 muajt e parë, 70 milionë në 12 muajt e ardhshëm dhe 80 milionë të tjerë deri në fund të periudhës trevjeçare.

Do të punësohen 2.000 njerëz të profileve të ndryshme të bujqësisë, por agrokombinati do të bashkëpunojë edhe me fermerët lokalë. Teknologjitë e reja do të duhej t’ua rrisin të ardhurat edhe deri në 30 për qind.

Sipas marrëveshjes së arritur me Ministrinë e Bujqësisë, për tokën, përfaqësia e “Sahara group”, gjatë 15 viteve të ardhshme, shtetit do t’i paguajë qira në vlerë prej 121.000 euro në vit. Ky ishte motivi për reagime – sipas opozitës, subvencionet do të jenë më të mëdha nga kompensimi për koncesion. Pushteti atëherë u kundërpërgjigj se për atë sipërfaqe, shuma maksimale e subvencioneve nuk tejkalon 85.000 euro, dhe se opozitarët janë përpjekur t’i përzënë kompanitë e huaja. 

“Xhumajlia” është agrokombinati i dytë më i madh në Maqedoni. Posedon 6.000 hektarë tokë të përpunueshme dhe 6.000 hektarë kullota, bodrum pijesh, mulli, fermë me kapacitet prej 1.000 deleve dhe 200 lopë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button