Lëvizja BESA: Femra të jetë pjesë aktive, e jo vetëm dekor në skenën politike (FOTO)

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Lëvizja BESA ka organizuar një tribunë në temën “Pjesëmarrja e femrës shqiptare në jetën publike”. Florina Emini, në emër të Lëvizjes BESA, uroi Ditën Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsin, duke theksuar se në frymë të kësaj dite, femrat e Lëvizjes BESA, deshën të bëhen pjesë e aktiviteteve ndërkombëtare e kombëtare që e vlerësojnë dhe afirmojnë rolin e femrës në shoqëri.

Pjesë e tribunës ishin edhe Arta Tahiri, asambleiste në Komunën e Ferizajit, dhe Nazlie Bala, nga Sekretariati i Gruas Aktiviste i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Në këtë rast, Nazlie Bala tha se pjesëmarrja e grave si faktor aktiv në jetën e përditshme natyrisht që nuk është e kënaqshme. Ajo theksoi se kërkohen angazhime jashtëzakonisht të mëdha për aktivizim të gruas.

“Mirëpo, në përgjithësi pozita e gruas ndryshon prej kohës në kohë. Sot nuk mund të flasim që kemi gra analfabete, të papuna. Pra kemi pozitë krejt tjetër të gruas për shkak se faktorë të ndryshëm kanë ndikuar që gruaja të jetë më aktive. Mirëpo mbetet edhe shumë angazhim për tu bërë që angazhimi i gruas në jetën politike të jetë më efektiv në ndryshimin e situatës dhe pozitës së gruas”, tha mes tjerash Nazlie Bala.

Për të, është e papranueshme që aktivizimi dhe pjesëmarrja e gruas në politikë të lihet si çështje dytësore. “Besoj fuqishëm që të dy gjinitë kanë përgjegjësi, obligime dhe detyra në përmirësimin e situatës dhe pozitës së të dy gjinive. Sidomos aty ku kemi disfavor të pjesëmarrjes në jetën politike. Sot ballafaqohemi me pabarazi në përfaqësimin e gruas. Kjo vetvetiu na shtyn ta luftojmë këtë pabarazi”.

Porosia e zonjës Bala ishte se 8 Marsi nuk është festë që të festohet me lule. “Atë duhet ta shndërrojmë në arenë të debatit, pasi pikërisht lufta e grave kundër padrejtësive është mesazhi i kësaj date. Ne ende kemi raste të votimeve familjare ku një person tjetër voton në emër të gruas dhe të gjithë familjes. 8 Marsi çdoherë duhet të shënohet me angazhimin dhe sakrificën e gruas në luftë kundër pabarazive dhe në luftë për të drejtat e gruas, pasi të drejtat e grave janë të drejta të njeriut”, deklaroi gjatë tribunës Nazlie Bala.

Në ndërkohë, Arta Tahiri, asambleiste në Komunën e Ferizajit, tha se është për tu diskutuar pozita e gruas në aspektin e pjesëmarrjes së saj në zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale.

“Sigurisht, nuk mund të themi se është një periudhë e kënaqshme, aq sa ne duam që femra të bëhet faktorë e jo të shihet vetëm si një simbol i përfaqësimit në aspektin e sasisë. Unë nuk jam shumë e kyçur në jetën politike në Maqedoni, por në Kosovë është duke u vërejtur një përmirësim për nga aspekti i cilësisë” tha gjatë tribunës Arta Tahiri.

Ajo theksoi se përfaqësimi nuk është në nivelin e duhur, pasi në të gjitha nivelet e qeverisjes përfaqësimi i femrës shihet me skepticizëm. “Në nivelin lokal kemi vetëm një kryetare të komunës, ndërsa në qeveri kemi vetëm 2 ministre, gjë që nuk është e mjaftueshme”.

Duke folur për Lëvizjen BESA, Arta Tahiri tha se i dëshiron punë të mbarë Lëvizjes BESA dhe pret që me besë të vazhdojnë në të ardhmen. “Ndërsa femrave në përgjithësi ju uroj 8 Marsin dhe uroj që të kenë vullnetin dhe durimin për të ecur përpara”, deklaroi Arta Tahiri.

Florina Emini nga Lëvizja BESA tha se është evidente se femra shqiptare në Maqedoni sikur ka ngelur në margjina të shoqërisë dhe punët publike gjithnjë e më shumë kanë marrë nuanca mashkullore. “Madje, edhe atëherë kur asaj i kanë bërë vend, kjo më shumë është bërë për dekor sesa që vërtet i është dhënë roli i merituar. Duke u gjendur para kësaj situate, Lëvizja BESA, ashtu siç pretendon të jetë lëvizje politike që bën një prerje historike të politikëbërjes shqiptare, duke sjellë figura krejt të reja për skenë politike, i ka vënë vetes për mision që edhe ta fenimizojë politikën shqiptare”, deklaroi Florina Emini nga Lëvizja BESA.

Dhe, siç theksoi ajo, këto qëllime do të realizohen jo duke improvizuar, por duke gjetur vërtet femra të reja shqiptare, të suksesshme në profesionet e tyre, të cilat mund të ofrojnë zgjidhje më të mira për jetën shoqërore në vend. “Jam e sigurt se gjithë kjo do të jetë një argument më shumë për aktivistet e BESËS se nuk kanë gabuar që janë bërë pjesë e një organizate politike, por edhe për femrat e tjera që në forma të tjera janë pjesë të jetës publike. Ndërkaq, për ato që ende hezitojnë, ky takim sigurisht përbën një motiv të rëndësishëm që ta bëjnë këtë hap”, tha në përfundim të tribunës Florina Emini.

Kliko këtu për më shumë foto

Lajme të ngjashme

Back to top button