Rexhallari përfundon i pesti në Sofje

Mundesi më i mirë i Maqedonisë, Jasin Rexhallari, në turneun e Sofjes, (U-23) ‘Petko Sirakov – Ivan Iliev’, edhe përkundër paraqitjes së mirë, u mjaftua me plasman në pozitën e pestë. Rexhallari, në fund të garave, regjistroi dy fitore dhe dy humbje. Në seancën e mëngjesit, gjithçka nisi shumë mirë për Jasinin, i cili garonte në kategorinë deri në 61 kg, me ç’rast në raundin e parë, kaloi gjeorgjianin Ramazan Malakoevi, duke e mundur me 10-6. Rexhallari, edhe ne raundin e dytë kishte kundërshtarë nga Gjeorgjia, Giorgi Sulava, të cilin e mundi edhe më lehtë, me dush teknik 11-1, pas të cilit u plasua në gjysmëfinale. Aty, edhe përkundër paraqitjes së mirë deri në mbyllje të gjashtë minutave, mundësi ynë u mposht nga turku Mehmet Erzinxhanli, duke e fituar të drejtën të luftoj për medaljen e bronztë.

Në seancën e pasdites, Jasin Rexhallari, u takua me vendasin Dimitar Ivanov, në luftë për vendin e tretë dhe gjatë raundit të parë, regjistroi paraqitje mjaft të mirë, me ç’rast i njëjti u mbyll me rezultat të barabartë 6-6. Në raundin e dytë, mundësi vendas ishte më i mirë dhe fitoi medaljen e bronztë, ndërsa përfaqësuesi ynë u ndal në pozitën e pestë. Për Rexhallarin ishte ky testi i fundit në vigjilje të Kampionatit të parë Evropian në moshën deri 23 vjeçare, i cili pas dy javësh do të organizohet në Varshavë të Polonisë.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button