Asad paralajmëron SHBA: Do të dështoni nëse sulmoni Sirinë

Presidenti sirian, Bashar al Assad gjatë një interviste për një gazetë ruse, ka thënë se pretendimet e perëndimit se regjimi i tij ka përdorur armë kimike janë “ofendim ndaj mendimit praktik”.

Assad i ka paralajmëruar SHBA-të do të përballet me dështim nëse e sulmon Sirinë, gjatë intervistës me “Izvestia”, të publikuar të hënën.

“Komentet (që e akuzojnë regjimin për përdorim të armëve kimike) që janë bërë nga politikanët në perëndim dhe shtete të tjera janë ofendim ndaj mendimit praktik….ato komente janë nonsens”, ka thënë Assad.
Ai ka shtuar: “SHBA-të do të përballen me dështim (nëse e sulmojnë Sirinë), njejtë sikur në të gjitha luftërat e mëparshme që i kanë bërë, nisur nga Vietnami e deri te luftërat e ditëve tona”.
Një ditë më parë Qeveria siriane ka rënë dakord që të lejojë një ekip ekspertësh të OKB-së që të verifikojë qendrat në periferi të Damaskut, ku sulmet e dyshuara se janë kryer me armë kimike kanë vrarë më shumë se 350 persona.
Ministria e Jashtme e Sirisë bëri të ditur të dielën që regjimi i Presidentit Assad ka lejuar një ekip inspektorësh të armëve kimike të OKB-së që ndodhen tashmë në Siri, që të ndërmarrin një verifikim të menjëhershëm të raportimeve të javës së kaluar se janë përdorur kundër civilëve armë kimike.
OKB-ja bëri një deklaratë, në të cilën thotë se misioni do të nisë të hënën, në datën 26 gusht.
Incidenti i dyshuar ndodhi tri ditë pasi një ekip i OKB-së për kontrollin e armëve kimike arriti në Siri, për të hetuar akuza të mëparshme të përmasave më të vogla për përdorimin e gazit helmues.
SHBA, Britania, Franca dhe Rusia i kanë bërë thirrje qeverisë siriane që të bashkëpunojë me OKB-në për të lehtësuar hetimet. Franca tha se nëse hetimet konfirmojnë përdorimin e armëve kimike, atëherë kundër Sirisë duhet të përdoret forcë ushtarake.
Presidenti Barack Obama u takua me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar sulmin vdekjeprurës me armë kimike ndaj Sirisë.
Obama dëgjoi një paraqitje të detajuar të opsioneve se si SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë mund t’u përgjigjen nëse shërbimet e fshehta konkludojnë se presidenti sirian Bashar al Assad ka përdorur armë kimike, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë të shtunën.
Një luftanije e katërt e SHBA me raketa balistike ka mbërritur ndërkohë në Mesdheun Lindor. Gazeta amerikane Neë York Times njoftoi të shtunën se administrata amerikane po kërkon një argumentim ligjor të ngjashëm me luftën e Kosovës, nëse kundër Sirisë do të përdoret forca pa mandat të OKB-së.
Rusia, një aleate për shumë kohë e Sirisë tha se nxitimi për të akuzuar për sulmet mund të jetë “një gabim strategjik”.

Lajme të ngjashme

Back to top button