Bilall Kasami: Është koha e ndryshimeve në skenën politike shqiptare (Intervistë)

Koordinatori i lëvizjes më të re politike në Maqedoni “Lëvizja Besa” Bilall Kasami në një intervistë për Portalb flet për zhvillimet e fundit politike në vend. Ai komenton rastin me publikimin e “bombave” të liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev, tregon dallimin mes lëvizjes që ai e udhëheq dhe partive të tjera shqiptare, bashkëpunimin me Lëvizjen e Ziadin Selës, flet për “hipotekat” e funksionarëve shqiptar si dhe çështje të tjera.

Intervistoi: Elida Zylbeari

PORTALB: Sistemi politik ne Maqedoni, por sidomos sistemi i qeverisjes, a mendoni se do të ju mundësojë të realizoni qëllimet dhe synimet e deklaruara në platformën tuaj?

B.KASAMI: Nëse ne nuk do të besonim se do të mund t’i realizojmë qëllimet tona nuk do të organizoheshim në lëvizjen tonë e cila ka për bazë nevojat e qytetarëve. Viteve të fundit elitat politike maqedonase janë ngritur me deklarata nacionaliste në dëm të shqiptarëve dhe të njejtën e kanë bërë edhe elitat politike shqiptare në dëm të maqedonasve ndërsa realisht kur ata kanë ardhur në pushtet janë marrë me plotësim të interesave personale. Por, tani kanë ndryshuar rrethanat dhe përfundimisht edhe pala maqedonase e ka kuptuar se nuk shkon me nacionalizëm dhe që nëse shqiptarët nuk janë shtet formues apo nuk i kanë të drejtat e plota në këtë shtet, nuk mund të ekzistojë Maqedonia. Edhe te shqiptarët janë plotësuar kushtet që në skenë të dalin politikanë të rij që nuk janë patriot vetëm në deklarime por janë dëshmuar edhe në veprat e tyre në të mirë të shqiptarëve. Është koha e fundit që  të ulemi me maqedonasit dhe të bëjmë një marrëveshje të re për Maqedoninë në kohë të paqes për ta çuar përpara shtetin.

PORTALB: Megjithatë, pamë se zgjedhjet e fundit ishin kryekëput me deklarata nacionaliste. Si do ta detyronit partnerin tuaj maqedonas të heq dorë nga ky nacionalizëm dhe të bëjë platformë të përbashkët qeveritare me ju? Konkretisht, si mendoni ta realizoni këtë?

B.KASAMI: Mjafton ne të jemi në krye të detyrës dhe mos na ndodh ajo që u ndodhi politikanëve shqiptar të deritanishëm të cilët me gojën plot shiteshin patriotë dhe sa uleshin në karrigen e Qeverisë shikonin si të përfitojnë personalisht. Ne garantojmë që njerëzit tonë do ti plotësojnë përcaktimet tona. E kemi parë që nacionalizmi është përdorur si paravan për të fshehur vjedhjen e madhe dhe keqpërdorimet financiare që ka bërë kjo Qeveri VMRO-BDI gjatë këtyre viteve. Tani me “bombat” e Zoran Zaevit të LSDM-së ata keqpërdorime do të dalin në pah dhe kështu do ta kuptojë populli se në fakt nacionalizmi është i dëmshëm madje dhe i rrejshëm në këtë rast të keqpërdorimeve frapante. Nga kjo, ne nuk do ta detyrojmë palën maqedonase për të  kuptuar por ata vetë do të binden se në çfarë gjendje na ka sjellë kjo garniturë shtetërore dhe se kush fshihet pas kësaj politike nacionaliste që në fakt është politikë e keqpërdorimeve. Do të krijohet një masë kritike e cila do ta kuptojë se shteti duhet të ndërtohet në baza të shëndosha ku shqiptar e maqedonas e tjerë do të kenë të drejta të barabarta dhe bashkë do të ndërtojnë një shtet.

PORTALB: Nëse mirë ju kuptova, vareni nga informatat e liderit të LSDM-së? Po çfarë do bënit po të mos ishin “bombat” e Zaevit?

B.KASAMI: Informatat që i publikon Zoran Zaev vetëm do ta përshpejtojnë dhe ndihmojnë procesin.  Nuk varemi nga Zaevi dhe nuk mendoj se po të mos ishte Zaevi e njëjta nuk do të ndodhte. E vërteta gjithsesi do të dilte në shesh por pas disa viteve kur të gjithë do ta ndjenin se Maqedonia është në kolaps ekonomik, se ne jetojmë në kredi si shtet nga huamarrjet e institucioneve financiare ndërkombëtare. Do të kishte kuptim të merrnim kredi sikur ti shfrytëzonim paratë për diçka profitabile dhe jo si harxhohen në Maqedoni për projekte të cilat jo se nuk janë profitabile- si ata për Shkupin 2014 por madje në të ardhmen do të do të jenë barrë e buxhetit. Populli do ta shihte të vërtetën kur kreditë e huaja do të ndalen dhe do të duhet të kthehet borxhi dhe do të kemi një krizë të paparë.

PORTALB: Ku qëndron dallimi themelor mes Lëvizjes Besa dhe partive që deri më tani kanë qenë në skenën politike në Maqedoni, si opozitë apo në qeveri? Të gjitha partitë në platformat e tyre kanë përafërsisht të njëjtat qëllime, pse mendoni se ju do të jeni më të suksesshëm në zbatimin dhe realizimin e qëllimeve tuaja?

B.KASAMI: Partitë shqiptarë kanë pasur programe të mira por vetëm deklarativisht para votuesve, ata kur kanë marrë pushtetin ata kanë dërguar përfaqësues politik njerëz të papërgatitur dhe të dyshimtë në aspektin etiko-moral të cilët kanë shpërfillur interesin e shqiptarëve për ta plotësuar atë vetanak. E çmojmë platformën e mirë ekonomike por e kemi shumë me rëndësi edhe kuadrin që do ta realizojë këtë platformë. Përgatisim persona që nuk do të veprojnë në këtë mënyrë, njerëzit tonë do të jenë profesionalisht dhe moralisht të përgatitur për udhëheqje. Nuk do të tolerojmë që hipotekat personale të ndonjërit të bëhen hipoteka të shqiptarëve si që ndodh tani. Nëse një individ gabon ai do të përgjigjet individualisht ky është principi jonë.

PORTALB: Çfarë nënkuptoni me hipoteka politike? Në çfarë mënyre mund të bëhet lirimi nga “hipotekat” e politik-bërësve shqiptar dhe kush duhet ta bëjë këtë?

B.KASAMI: Mjafton të kujtoheni se pse PDSH-ja nxori kandidat presidencial në zgjedhjet e fundit për president dhe mjafton të kujtoheni se si pranoi BDI-ja të bëhet pjesë e pushtetit dhe e keni fare lehtë ta kuptoni se çka nënkupton hipoteka në politikë.  Kur futesh në pushtet dhe bën keqpërdorime dhe kjo zbulohet ajo është hipotekë personale ndërsa nëse pas kësaj të mbron subjekti politik që e përfaqëson atëherë ajo bëhet hipotekë e subjektit. Ai subjekt përfaqëson shqiptarët dhe automatikisht hipoteka personale të ndonjë funksionari bëhet e të gjithë shqiptarëve. Ne presim që nga informatat e Zaevit të dihet se kush na përfaqëson, të dihet se cili ka bërë keqpërdorime dhe ai të ballafaqohet me atë që e ka bërë. Në këtë mënyrë do të lirohemi nga hipotekat. Ne kujtojmë se duhet të dalë në shesh çdo hipotekë e mundshme për shqiptarët, të pastrohet kampi shqiptar nga këta pengmarrës, sepse pastaj cilido që të fitojë në zgjedhje, do ta ketë më lehtë të zhvillojë politikë dhe të mbrojë interesa programore. Që mos të paragjykojmë, do të vazhdojmë të presim. Megjithëse deri tash nuk jemi bindur se LSDM-ja është e interesuar që ta bëjë këtë në të mirë të ardhmërisë së shtetit, mbetet ta shohim çka do të vijojë.

PORTALB: Pse ne duhet ti besojmë Zoran Zaevit?
B.KASAMI:
Në aspektin ekonomik Maqedonia nuk mund të fundoset më tej se kaq. LSDM më nuk ka mundësi të vijë në pushtet dhe të vazhdojë me keqpërdorime sepse realisht ka ardhur fundi dhe s’mund të bëhet me keq. Tani që është shkatërruar tërësisht besimi në sistemin gjyqësor LSDM e din që nuk mund të vazhdojë me avazin e VMRO-së. Kjo parti  nuk ka zgjidhje pos  të ndërtojë një shtet të së drejtës dhe së bashku me shqiptarët. Nuk ka mundësi “dua apo nuk dua” të ndërtoj por thjeshtë me këtë hap që e ka ndërmarrë tani me këtë skandale që i publikon ajo më është e detyruar që ta rikthejë vendin në situatë normale.

Intervistë me Bilall Kasamin
Intervistë me Bilall Kasamin

PORTALB: A keni propozim konkret për dalje nga kjo krizë e cila ekzistonte edhe para aferës së përgjimeve?

B.KASAMI: Pas kësaj kujtoj se Maqedonia nuk është më shtet normal. Këtu është humbur plotësisht besimi në institucionet e shtetit dhe do të duhet kohë që kjo të riparohet. Prandaj kemi nevojë urgjente për ndërhyrje ndërkombëtare që të mos bie plotësisht shteti. Pushtetet në Maqedoni kanë dështuar në ndërtimin e një shteti të suksesshëm, andaj kemi nevojë për asistencë serioze ndërkombëtare, për një qeveri tranzicioni – por, jo të formuar nga partitë, që ajo të mund ta kthejë demokracinë, besimin në institucionet dhe normalitetin në këtë vend.

PORTALB: Në fakt, ndihmën nga ndërkombëtarët e kemi dëgjuar shumë herë edhe nga lideri i BDI-së Ali Ahmeti. Çfarë ndryshon nëse këtë tani e kërkoni ju?
B.KASAMI: Nuk është e sinqertë kërkesa e një pjesëmarrësi në Qeveri, e një aktori që në vazhdimësi ka kontribuar që të vi shteti këtu ku është. Ndërkombëtarët nuk na ndihmojnë nëse ne vet nuk kemi vullnet për të përmirësuar gjendjen tonë. Ata madje nuk i marrin më seriozisht këto deklarata. Kërkesa jonë dallon esencialisht nga ajo që kërkon Ahmeti sepse ne do tua dëshmojmë ndërkombëtarëve dhe të gjithëve se realisht kemi njerëz që do të punojnë dhe kemi vullnet për krijimin e shtetit i cili do të rrugëtojë për në vendet e Bashkimit Evropian.

PORTALB: E themi që ju e keni vullnetin dhe njerëzit e duhur por pengesa më e madhe është partneri juaj qeveritar. Hipotetikisht jeni në vendin e Ahmetit, si do të kishi vepruar me një partner të tillë maqedonas që sytë i ka nga Rusia e Serbia?

B.KASAMI: Nuk ka mundësi reale të çfarëdolloj intervenimi të Rusisë pa marrë parasysh se mund të ketë kërkesa të tilla nga brenda sepse ne e dimë se cili është orientimi i vendit dhe cilat janë sferat e interesit. Kjo thjeshtë mbetet një ëndërr e parealizuar e politikanëve maqedonas. S’ka orientim tjetër për Maqedoninë dhe nuk ka potencial vendi jonë për të mbijetuar pa Bashkimin Evropian. Pikërisht rrugëtimi i mbrapshtë i Ahmetit nxori në pah Lëvizjen Besa. Ne do ta bëjmë atë që nuk e ka bërë Ali Ahmeti dhe nuk do ta bëjmë atë që personat e partisë së tij e kanë bërë për të vazhduar drejt Evropës.

PORTALB:  Cili është qëndrimi juaj, si mund të zgjidhet çështja e emrit, një nga pengesat kyçe për euro-integrimin e vendit?

B.KASAMI: Koncepti jonë është de-etnizimi i shtetit, ai mos të ndërlidhet me asnjë etnitet në Maqedoni, të jetë i barabartë për te gjithë. Mos jetë vetëm shtet etnik i maqedonasve dhe nëse e bëjmë këtë atëherë shumë më lehtë do ta zgjidhim çështjen e emrit.

PORTALB:  Edhe pse formula e Lëvizjes Besa është: Autentik – Autokton – Autonom, shpesh jeni të etiketuar si parti e ndikuar nga partia e Recep Tayip Erdogan-it. A janë të vërteta këta etiketime dhe ku janë të bazuara? Pse dhe a do merreshe si negative të qenurit i afërt me partinë e Erdoganit?

B.KASAMI: Akuzat për erdoganizëm janë jë produkt i kuzhinës enveriste, që ka nevojë për armiq të shpikur për ta legjitimuar kështu pushtetin. BDI po bën pikërisht këtë. Nëse me erdoganizëm nënkuptohet bashkëpunimi me Turqinë dhe pushtetin aktual në Turqi, këtë hapësirë na e kanë zënë pikërisht dy partitë aktuale shqiptare. Ata më shumë rrinë rrugëve të Stambollit dhe Ankarasë se të Prishtinës a Tiranës. Ne kemi dalur ti zgjedhim problemet e shqiptarëve të Maqedonisë me resurse nga Maqedonia.

PORTALB: Domethënë ju nuk keni asnjë lidhje me partinë e Erdoganit dhe këto janë shpifje të BDI-së?

B.KASAMI: Po. Ne as që kemi mundësi të kemi lidhje sepse ne ende po konsolidohemi. Në momentin që do të regjistrohemi si parti politike ne do të kërkojmë përkrahjen jo të Erdoganit por nga të gjithë miqve tonë që mund të na ndihmojnë duke nisur nga SHBA dhe vendeve tjera që ua dëshiron të mirën shqiptarëve.

PORTALB: I dimë investimet e tij në këtë vend, p.sh 2 milionë dollarë për Armatën e Maqedonisë. Mendoni se Erdogani ua dëshiron të mirën shqiptarëve në këtë vend?

B.KASAMI: Investimet e Turqisë në Maqedoni janë bërë në vijë institucionale si një shtet që i ndihmon shtetit tjetër, njejtë si që ka ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë. Problemi qëndron në partinë në pushtet të shqiptarëve e cila nuk ka kapacitet që këtë përkrahje nga Erdogani ta materializojë për projekte për shqiptarët. Miqësinë që e kanë me të, tentojnë ta shfrytëzojnë për interesa personale. Turqia nuk bën politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve në Maqedoni por ata bëjnë politikë shtetërore. BDI jo vetëm ndihmën nga Erdogani por nga asnjë shtet tjetër as nga SHBA nuk mund ta materializojë në projekte në dobi të shqiptarëve.

PORTALB:  Ju keni qenë i angazhuar politikisht edhe më parë dhe keni marrë guximin të krijoni subjekt politik të ri mbase për shkak se nuk keni qenë të kënaqur me ecurinë e proceseve aty ku keni qenë. Si do t’i pranojë lëvizja “Besa” personat që ndoshta nuk kanë pasur guximin dhe iniciativën tuaj, por megjithatë kanë agjendat e tyre të parealizuara me të cilat vazhdojnë të paraqiten në publik dhe do t’i afrohen Besës si një mundësi për realizimin e tyre?

B.KASAMI: Risia jonë qëndron në atë se në strukturat tona ne kemi njerëz të ri të cilët nuk kanë qenë në ndonjë parti apo kanë qenë por jo në pozita për të marrë vendime të dëmshme dhe nga ana tjetër që nga themelimi jonë ne kemi qenë në kontakt me personat që kanë përvojë politike apo marrin pjesë në krijimin e opinionit publik në vend. Marrëveshja me ata është xhentëllmene, ne vlerësojmë përvojën e tyre por realizimin e platformës tonë do ta bëjnë të rinjtë. Ata do të na konsultojnë që mos gabojmë atje ku kanë gabuar ata. Ne kemi gjetur formulën magjike- bashkëdyzimin e përvojës së tyre dhe forcës së rinisë. Ne nuk e diskreditojmë askënd për përvojën në të kaluarën dhe janë të mirëseardhur të gjithë ata që e përkrahin idenë tonë.

PORTALB: Por, me këtë ndikohet agjenda autoktone dhe autentike e “Besës” nga grupe dhe individë të tillë?

B.KASAMI: Me vetë faktin që politikat e Lëvizjes “Besa” do të bëhen nga strukturat tona, ndihma apo konsultimi që do të vjen nga ata do të jetë kryesisht në funksionin korrigjues i politikave tona aty ku ndoshta do të jemi gabim. Megjithatë përcaktimi jonë si i tillë do të kalojë përmes organeve të Lëvizjes Besa dhe në asnjë mënyrë nuk do të jetë i ndikuar për ta devijuar përcaktimin tonë programor. Përkrahja e tyre do të kërkohet në momente kyçe kur ne mendojmë se ndoshta po devijojmë nga përcaktimi jonë primar por në asnjë mënyrë nuk do na influencojë.

PORTALB: Çfarë mendoni për lëvizjen e Ziadin Selës, duke e ditur së është një ekstrakt i PDSH-së?

B.KASAMI: Jemi takuar dhe kemi pasur një marrëveshje shumë transparente me të. Ne i kemi thënë  që jo-rastësisht dalim në skenë pas zgjedhjeve të fundit në vend dhe na duhet një periudhë e caktuar për strukturim që të arrijmë të shohim fuqinë reale të Besës. Kur kjo të ndodh ne do të shohim me kë do mund të bashkëpunojmë. Në rastin Selës, ai duhet ta bëjë të qartë: A do ta merr PDSH-në, a do ta reformojë PDSH-në apo do të bëjë një parti të re? Në këtë fazë ne nuk e dimë me kë duhet të bisedojmë sepse bëhet fjalë për proces serioz politik dhe për negociata me subjekte që kanë identitetin e tyre. Kur ne të regjistrohemi si parti politike dhe kur të tjerët ta bëjnë këtë atëherë ne jemi të hapur për çfarëdolloj bashkëpunimi. Të njëjtën e presim edhe nga RDK e cila gjithashtu ristrukturohet. /Portalb

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Ngadal beg se ka hendek. kollaj e ke te folish prej anesh…por ndryshe folet dhe veprohet kur te merr vorbulli i politikes. po anesh gjithsesi do mbeteni.

  2. Bilall Kasami nje kohe 1994-2000 ishte me PDSH, pastaj pas vitit 2001 dy here ishte kandidat per deputet i BDI-se (2002 dhe 2008), si dhe ndihmes sekretar ne ministrine e ekonomise (shok i ngusht i Fatmir Besimit)2004-2006. Me pastaj u lidh me Demokracine e Re te Imer Selmanit. Pra shetitjet e shpeshta dhe te shumta te tija nga nje parti ne tjetren e bejne ate nje person labil qe nuk mund te baje baren e ceshtjes shqiptare, por deshiron te perfitoj ne politike per qellime personale.

  3. haj se Ziadin Sela kejt di munde Menduhit ja thij hunden tash e bashkon opoziten edhe Ali psikopatin e hek pi skenes politike se vallahi na mori ne caf ki i pashkollum i viteve komunizmit.Hajt qamet se burgi te pret se shom zullum ke ba tash e shofen mileti te bombat cfar hajduti ije se nuk degjohet zani pele sa fell ke hy qe edhe stemen e pranove ti gomar

Back to top button