Reagime për propozimin e Gruevskit: Zgjedhjet e reja budallallëk

Reagimet e para në publik nuk e përkrahin propozimin e kryeministrit Nikolla Gruevski që, nëse nuk votohet raporti i komisionit ad-hoc, të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare më 13 tetor.

“Nuk mund shteti të funksionojë, nëse nuk ka pjekuri politike, nëse partitë nuk janë të afta të ballafaqohen me problemin. Unë jam më se i sigurt, se prej sot do të fillojë të hudhet faji, por mua si qytetar kjo nuk m’i zgjidh problemet. Sidoqoftë, zgjedhje të parakohshme parlamentare do të ketë, por jo më 13 tetor. Mendoj se do ta arrijmë takimin e BE-së pa zgjedhje të parakohshme parlamentare”, deklaroi analisti Albert Musliu për portalin Faktor.

Mendim të njëjtë ka edhe analisti Mersel Bilalli, i cili për portalin e njëjtë thotë:

“Mendoj se kjo është budallallëk. Ata një herë duhet të thonë se çka u bë me premtimet e zgjedhjeve të kaluara. Ku janë tetë miliardë euro investime?! Pyes, a janë bërë zgjedhjet sporti i tyre. Cili është qëllimi të kemi zgjedhje për çdo vit, çka fitojmë ne qytetarët nga kjo?!”, thotë ai.

Puna është shumë serioze, që kryeministri, si në debat kafenesh, ta shprehë hidhërimin e tij para opinionit, analizon gazetari Eroll Rizaov.

“Intonacioni i tillë mund të përdoret ndaj përkrahësve të tij, e jo edhe ndaj atyre që e kritikojnë, ndërsa ai ka urrejtje ndaj qytetarëve që nuk e përkrahin politikën e tij. Por, ai ka animozitet edhe ndaj qytetarëve neutralë. Porosia e tij është se, gjoja ne e flasim të vërtetën, të vërtetë tjetër nuk ka. Këto ishin porosi të qarta që mund të ndjeheshin nga ai”, theksoi gazetari Rizaov. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button