Tetovë, lyerja e Gjimnazit, komuna dhe drejtoria e shkollës fshehin skandalin

Komuna e Tetovës vazhdon të fshehë rastin e ndodhur javë më parë në Gjimnazin e Tetovës, kur nxënësit u ankuan se drejtoria iu kishte kërkuar nga 250 denarë për ta paguar lyerjen e brendshme të shkollës. Përgjegjësi për arsim në komunën e Tetovës njoftoi thirrjen në pyetje të drejtorittë Gjimnazit Namikqemal Mustafa për të shqyrtuar rastin, megjithatë ende asnjë hap konkret në këtë nuk është ndërmarrë.
Ekipi i televizionit Alsat tentoi të merrte prononcim për rastin në fjalë nga kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi dhe nga përgjegjësi për arsim Ahmed Qazimi, por që të dy i shmangen përgjegjësisë. Vetë drejtori i Gjimnazit të Tetovës e pranoi një shkelje të tillë para kamerave, madje duke kërkuar nga mediat që të mos e bënin të madhe këtë punë.
Rasti u denoncua dy javë më parë, nga vetë nxënësit e Gjimnazit të Tetovës, të cilët thonë se ishin detyruar të paguanin nga 250 denarë, në mënyrë që shkolla të paguante borxhin për lyerjen e brendshme të shkollës.Pas inspektimit të rastit u mësua se paratë do i shkonin firmës private që kishte bërë lyerjen. Në pamundësi për të siguruar 6 000 eurot e lyerjes nga Komuna dhe Ministria e Arsimit, shkolla vendosi t’ua merrte nxënësve në mënyrë të paligjshme. Mbetet e paqartë nëse për lyerjen e shkollës pati thirrje publike nga Komuna apo kjo çështje u bë në të zezë?

Lajme të ngjashme

Back to top button