INDIFERENCA

Një shekull të tërë kemi pritur të ndodhë çudia dhe të na shpëtojë nga kërcënimi që na e kanë bërë politikat antishqiptare. Jo nga frika. Se me frikën jemi ballafaquar që në futjen e çizmeve çetnike të viteve 1912/1913në viset tona. Frika u zbeh para nesh, u bë  një pjesë e parëndësishme e përditshmërisë, diçka si hija që të shkon prapa, qetë-qetë, por me besnikëri. Ne nuk kemi, pra, problem me frikën. Problemi ynë është indiferenca. Nuk është frika padroni ynë. Nuk i ruan vreshtat më frika, po është indiferenca që na solli në një derexhe të mjerë. Indiferenca është ajo farë e zezë e hedhur në hapësirën tonë që na i mbyll perspektivat.

Nuk ishte më frika ajo që personifikohej me pushtetin dhe çetnikët e Mbretërisë jugosllave, por  indiferenca jonë kolektive. Pushteti dhe kërcënimi u bënë sinonime të një veprimi të koordinuar mirë kundër nesh, kurse indiferenca jonë terren i përshtatshëm që politikat e ndryshme të japin fryte në projektet antishqiptare. Prandaj pleqtë tanë me një dozë ironie e personifikonin pushtetin (kërcënimin) me qerren e drunjtë të cilën e ngrehnin qetë. Qerrja me qé që e zë lepurin. Mirëpo shembujt e rezistencës ndaj këtij pushteti dhe politikave të tij treguan se as pushtetit e politikave antipopullore nuk mund t’u shkojë kungulli gjithmonë mbi ujë. Dhe, se “qerrja s’mund ta zërë lepurin” në kushte kur populli nuk është indiferent ndaj ecurive shoqërore, politike, ekonomike e kulturore.

Qerren me qé që e zë lepurin e drejtonin dikur odbornikë, naçallnikë e partijashë të  shumtë. Të gjithë ata u ngjanin personazheve e përhitura nga zyrat dhe korridoret lagshta dhe të errëta të Franc Kafkës ose botës së Fermës orueliane të Kafshëve të cilës i prin Napoleoni Derr. Kjo qerre në të vërtetë ishte një makinë që prodhonte dhe shpërndante kërcënimin në botën shqiptare dhe si pasojë e forconte kështjellën e indiferencës.  Dhe, dilte kështu  se indiferenca ishte vlerë. “Ti shihe punën tënde. Le të bëhet çka të bëhet, ule kryet e hesht”. Neve kështu na ofrohej indiferenca si mënyrë jetese.

Sipas kësaj, çka bën e çka s’bën politika s’ishte punë për ne. Kjo neve s’duhej të na interesojë, sepse ka kush duhet të mendojë për këto punë, jo ne. Sot, ndërkaq, në vendin nga drejtohet kjo qerre janë ulur edhe njerëzit tonë, prandaj duhet të na interesojë shumë se nga shkon kjo qerre.

Është absurd dhe paradoks që  kërcënimi i politikave kundër nesh dhe indiferenca jonë mbetën në fron aq gjatë duke prodhuar largimin e një numri të paparë të shqiptarëve nga hapësira jonë etnike dhe asimilimin. Dhe, derisa ne rrinin në kullën e indiferencës qerrja me qé e shtetit  bridhte fshatrave dhe “e zinte lepurin” fare lehtë. I rralli e shihte se qerres së kralit kishin nisur t’i shtrembërohen rrotat.

Në vend të “qerrés me qé që e zinte lepurin” pas dy Jugosllavive, vjen arka e Nojes e quajtur demokraci. Dhe ti ngjitesh i lumtur. Pas gjithë atyre viteve plot kërcënime, ke përshtypjen se je në shtegun e mrekullisë prej kah duket hapësira e pafund e lirisë, sepse në timon i ke edhe njerëzit që kanë ardhur aty me revolucion në emër të gjuhës tënde, të gjakut tënd. Dhe, ti ua jep bredhjeve nëpër ëndrrën e bukur. “Do të bëhet mirë”…. Pastaj të zgjon stuhia e papritur. E mira askund nuk duket. Shikon dhe ç’të shohësh: pikërisht janë edhe njerëzit e tu ata të cilët duke e folur një shqipe të çalë fshikullojnë me kamxhik me dorën e majtë, kurse ky kamxhik në fakt është materializimi i kërcënimit të moçëm që vazhdon ta kërkojë prej nesh heshtjen dhe indiferencën. Dhe, edhe njerëzit e tu, ata njerëz të cilëve u kemi besuar aq shumë,  janë bërë ndër pengesat e ecjes sonë përpara.

Shumë kohë na ka kaluar duke u besuar  këtyre njerëzve, shukmë kohë neve na ka shkuar duke qenë indiferentë ndaj çdo mbrapshtie. A thua do të kërkojmë ndonjëherë që dikush nga ata që e kanë marrë votën tonë të japë llogari para këtij populli, a thua do të dalë dikush nga ata me raporte për punën dhe për gabimet që kanë bërë, apo do të vazhdojë heshtja e tyre, kurse ne do të vazhdojmë të notojmë në detin e indiferencës?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button