1984 nga Xhorxh Oruel

Vepër që do t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë çoroditjen e shtetit në Maqedoni

Lufta është paqe

Liria është skllavëri

Injoranca është forcë.

1984 u shkrua nga Xhorxh Oruell më vitin 1949, si një thirrje për alarm dhe vëmendje për rrezikun që autori parasheh: paraqitjen e një sistemi qeverisës totalitarist i cili do të kontrollojë të gjitha sferat e jetës dhe do të shndërrojë njeriun në një rrotëz të pafuqishme, të dëgjueshme e të parëndësishme në makinën e përgjithshme shtetërore. Në këtë sistem diktatorial personaliteti i njeriut manipulohet dhe nga ai kërkohet nënshtrim dhe servilizëm i plotë ndaj shtetit. Jeta private nuk ekziston më.

Personazhi kryesor, Uinston Smith, është anëtar i partisë në pushtet në Londër, por ai nuk qëndron lartë në hierarkinë shtetërore, e sidomos nuk pajtohet me masat ekstreme që qeveria dhe partia e tij në pushtet kanë marrë për të siguruar kontrollin absolut. Në gjithë qytetin ka telekrane (ang. telescreens), madje edhe brenda shtëpisë së tij – nëpërmjet cilëve Vëllai i madh (ang. Big Brother) dhe Partia mbikëqyrin veprimet dhe mendimet e Uinstonit si dhe të të gjithë njerëzve të tjerë. Policia e mendimeve është e pranishme gjithandej, ata merren me krimet e mendjes dhe mendimit: thjesht, të kesh mendime rebele ishte e dënueshme rreptësisht. Madje, Partia e ka shpikur një gjuhë të re, të ashtuquajtur Gjuhëre (ang. Newspeak), si mjet për të penguar rebelimin politik duke eliminuar të gjitha fjalët ekzistuese që kanë të bëjnë me të. Megjithatë, Uinston Smith blen ilegalisht një ditar për të shkruar mendimet e tij të ndaluara – veprim ky që dënohet me vdekje.

Në ndërkohë Uinstonit i shtohet urrejtja ndaj Vëllait të madh dhe Partisë, por kapet në befasi kur Xhulia, një anëtare në dukje besnike ndaj Partisë, i shpreh atij dashuri. Kjo dashuri e vë në shprehje ende më tepër rebelimin e tyre, pasi të gjitha martesat detyrimisht duhet të miratohen nga Partia. Takimet e tyre sekrete çojnë në zbulime të reja…

Lexoni ose rilexoni 1984. Një libër i cili sot më shumë se kurrë në Maqedoni inspiron për një rezistencë vendimtare kundër nënshtrimit të njeriut nga diktatura dhe luftë kundër totalitarizmit të shtetit.

Libri është përkthyer dhe botuar në shqip.

Pergjim

Shkruan: Jeta Bardhi

Lajme të ngjashme

Back to top button