Intervista: Arritja e vitit në Afirmimin e Kulturës (Institucionet)

I madh ka qenë numri i institucioneve të cilat gjatë vitit të kaluar punuan dhe patën ndikim tek publiku, por është bërë një përzgjedhje më e ngushtë e 5 institucioneve kandidatë për  çmimin Arritja e Vitit në Afirmimin e Kulturës në manifestimin “Milingona e Artë 2014”, të cilat më së shumti bënë bujë me aktivitetet e tyre për promovimin e vlerave shqiptare në Maqedoni.

Të nominuarit në kategorinë Arritja e vitit në Afirmimin e Kulturës (Institucionet) për këtë vit janë : Drama Shqipe-Kumanovë, Teatri Shqiptar Shkup, Shtëpia e Kulturës “Koço Racin”, Qendra “Loja”, Galeria “Kult”, Gostivar.

teatri shqiptarDrama shqipe – Kumanovë– Nominohet për sukseset dhe arritjet me punën e tyre gjatë vitit 2014, duke risjellur publikun në teatër. Vitin e kaluar e mbyllën me 6 çmime të fituara në festivalet brenda dhe jashtë Maqedonisë. Veçohet shfaqja “Darka e Budallenjeve“ e cila morri çmimin  ”regjia më e mirë” në Festivalin e Teatrove në Ferizaj. Po ashtu, me shfaqjen “Mbledhje në Parlament” me regji të Sulejman Rushitit, fituan çmimet –“shfaqja më e mirë” si dhe 2 çmimet për role dytësore-Shkëlqim Islami dhe Linda Shabani, të fituara në “Festivalin e Teatrit Shqiptar në Maqedoni”,  në Dibër. Në “Festivalin e Komedisë” në Preshevë, Drama shqipe – Kumanovë ka fituar edhe dy çmime, atë për “regjinë më të mirë” me shfaqjen “Mbledhje në Parlament” dhe “aktor më i mirë në rolin dytësor”-Musa Isufi.

Për të gjitha këto arritje gjatë vitit të kaluar ndjehet krenare e tërë trupa teatrore e Dramës shqipe-Kumanovë, ndërkaq në pyetjen se çfarë planesh ndërmarrin për edukimin e publikut sidomos atij të ri, Përgjegjësi i Dramës Shqipe-Kumanovë, aktori Enver Halimi shprehet: “Ne si Teatër kemi publik pa dallim moshe dhe për atë arsye bëjmë përzgjedhjen e teksteve që dëshirojmë t’i realizojmë në Teatër. Ne e kemi obligim moral që të realizojmë nga një shfaqe enkas për fëmijë pasi që ata janë ardhmëria jonë.”

LOJAQendra Loja- Qendra për Bashkëpunim Ballkanik (CBC) LOJA – Tetovë. Nominohet për afirmimim në sferën e kulturës me aktivitetet e begata. Ashtu si edhe viteve të kaluara, gjatë vitit 2014 LOJA ka realizuar disa festivale, veçojmë: Festivali i filmit “WatchOut”, Festivali i Filmit të Ri Gjerman, Projekti teatror tre nacional (Lyon, Berlin & Tetovë). Po ashtu, aktivitetet tjera të LOJËS të realizuara në vitin 2014 janë: Kinemaja për fëmijë, Kino Klubi Francez-Tetovë, Pocket Cinema, ekspozita të ndryshme, shënimi i ditëve ndërkombëtare si autizmi dhe dita e vullnetarizmit si dhe  një sërë aktivitetesh tjera kulturore.

Keni realizuar një varg të madh aktivitetesh vitin e kaluar, për çfarë ka ngjallur më shumë interes publiku, çfarë ka ndryshuar në krahasim me vitet tjera?

“Ndryshimi është i natyrës cilësore – pra kualiteti por edhe efekti që ka pasur. LOJA beson se vetëm duke ndërvepruar me kulturat e huaja ne do ta njohim kulturën tonë. Ne jemi një komb që ndjehet i sigurt në identitetin e vet prandaj hapja ndaj kulturave tjera, mobiliteti dhe shkëmbimet me kulturat tjera janë ato për të cilat besojmë se ka nevoja.  Të paktën eksperienca jonë disa vjeçare e ka dëshmuar këtë. Të kuptohemi, respektimi i traditës dhe ndjekja e asaj që është trend botëror nuk e përjashtojnë njëra – tjetrën, përkundrazi e ndihmojnë. Këtë edhe provon ta jetësoj LOJA.”- shprehet për Milingonën drejtori i Qendrës Loja, Bujar Luma.


Teatri i ShkupitTeatri Shqiptar Shkup –
Nominohet për prurjet dhe arritjet me tre premierat, edhe pse jo në shtëpinë amë. Gjatë vitit 2014 u realizuan tre premiera, “Personi i dyshimtë”, “Gjymtimi” dhe komedia “I burgosuri i katit të 15të” dhe teatri rrëmbeu në total 6 çmime në festivalet ku morri pjesë. Komedia e zezë  “Gjymtimi” e autorit Martin Mcdonagh nga regjisori Qëndrim Rijani  solli sukseset më të mëdha për Teatrin Shqiptar Shkup. Si premierë u shfaq në kuadër të festivalit “Vera e Ohrit”, për të vazhduar karvanin e festivaleve në “Koko Fest” në Korçë dhe “Festivalin Ndërkombëtar në Tetovë”. Qëndrim Rijani u zgjodh “Artisti i ri më i mirë”; Luran Ahmeti u shpall “Aktori më i mirë”, ndërsa shfaqja mori çmimin kryesor të festivalit duke u vlerësuar si “Shfaqja më e mirë” e “Koko fest” 2014. “Gjymtimi” ngadhënjeu edhe në festivalin e Tetovës duke marë çmimin e vetëm të këtij festivali – “Shfaqja më e mirë”.

A synoni më shumë publik apo më shumë cilësi në shfaqjet që përzgjidhni?

“Synojmë të dy elementet së bashku. Cilësia e shfaqjeve nuk ka qenë determinuese për uljen e “prezencës” së teatrit apo uljen e numrin të shikuesve. Teatri Shqiptar në vazhdimësi ka prodhuar shfaqje cilësore, por dukuria globale e rënies së interesit për teatër ka qenë më e theksuar te ne për shkak të dy elementeve që në mënyrë të ndërthurrur kanë ndikuar në njëri-tjetrin: (mos)komunikimi me publikun (pjesërisht) dhe (pjesërisht) repertoari jo i rregullt.  Prioritet gjithmonë ka pasur dhe vazhdon të ketë cilësia. Në vitet e fundit gjatë përzgjedhjes së teksteve synojmë një target më të gjërë të audiencës, andaj dhe është shtuar numri i komedive në produkcionin tonë. “-ka deklaruar Anita Latifi-përgjegjëse për marrëdhënie me opinionin në Teatrin Shqiptar Shkup.

Nga intervista kemi kuptuar se Teatri Shqiptar gjatë këtij viti do të realizojë 5 premiera prej të cilave 3 autonome, 1 në koprodukcion me Teatrin Turk dhe 1 në koprodukcion me Teatrin Popullor të Maqedonisë.

koco racinShtëpia e kulturës “Koço Racin”-Nominohet për realizimin me sukses të aktiviteteve kulturore dhe promovimin e vlerave shqiptare gjatë vitit 2014. Këtu përfshihen ekspozita të shumta, promovime librash, takime poetike, si dhe manifestime kulturore. Veçojmë “Festivalin ndërkombëtar folklorik”, manifestimin për Ditën e alfabetit, Udha e shkronjave, projektin multikulturor “Udhëtojmë nëpërmjet përrallave”,ekspozitën “Bukuritë e Shkupit gjatë historisë, Shkupi në paletën e piktorëve”, si dhe “Takimin multikulturor folklorik”.

Maqedonia është një vend shumë kulturor, po a bëhet sa duhet që kulturat të njihen më shumë mes vete?

 

“Secili institucion apo person fizik duhet të marrë përgjegjësin mbi supet e veta. Ne kemi realizuar projekte të ndryshme multikulturore pothuajse për të gjithë nacionalitetet duke përfshirë edhe nxënësit e shkollave fillore e të mesme. Këto projekte kanë qenë nga sfera të ndryshme p.sh. ligjëratë e përbashkët me nxënës maqedonas, shqiptar turk dhe rom, ekspozitë e përbashkët (grupore) artist të nacionaliteteve të ndryshme, tribuna me tema të ndryshme, dramë nga nxënës të nacionaliteteve të ndryshme të përgatitura më regjisor adekuat, festivale folklorike e ndërkombëtare. Në disa raste nacionalitetet tjera përveç atyre maqedonas dhe shqiptar kanë pasur rastin të shfaqin projektet e tyre në programe speciale për ato. Mendoj se në këtë drejtim mjaft kemi arritur që të njohim kulturat e njëri tjetrit.”-ka deklaruar për Milingonën-Drejtori I Shtëpisë së kulturës “Koço Racin”- Safet Kamberi.

Galeria KultGaleria Kult, Gostivar –  Nominohet për krijimin e një hapësire të rëndësishme për artisët e artit pamor si dhe për organizimin e ekspozitave si me artistë të njohur ashtu dhe të rinj gjatë gjithë vitit. Ekspozitat kanë përfshirë artistë nga Maqedonia, trevat shqiptare por dhe më gjerë. Aq më shumë merr peshë kjo nismë, kur kupton se e gjithë sipërmarrja dhe aktivitetet ndërmerren nga individ, prapa të cilit më shumë se gjithçka është pasioni. Hapësira që u vihet në dispozicion artistëve ka marrë rëndësi jo vetëm për qytetin e Gostivarit, por edhe më gjerë, duke e shndërruar atë në një pikë të rëndësishme ekspozimi për artistët.

“Gostivari njihet për nga organizimet e jetës artistike, sepse graviton një numër I madh artistësh dhe kemi shoqatën e artistëve figurativ Draudacum . Në vitet 90-ta kemi filluar të ekspozojmë nëpër lokalet e qytetit, pastaj rregulluam edhe galerinë e Qendrës për Kulture me të cilën po ashtu kam marrëdhënie te mira të bashkëpunimit. Dhe kështu mu dha mundësia të bëj galerinë time private. Në ekip kam artistë profesionistë, piktorë, dizenjues dhe fotografë të njohur dhe të dëshmuar, të cilët më ndihmojnë në realizimin e ekspozitave. Përndryshe, një njeri -një galeri është e pamundur të funksionoj.”- shprehet drejtori I Galerisë Kult-Osman Demiri.

Lajme të ngjashme

Back to top button