“Edhe shqiptarët pa hipoteka”: Kërkohet nga Zaevi të zbardh përgjimet e politikanëve shqiptar

Organizata politike, organizata joqeveritare, si dhe persona publikë, të tubuar nën platformën “Edhe shqiptarët pa hipoteka”, të gjendur para momentit historik, kur në Maqedoni po ndodhë një lustrim i përgjithshëm i elitave politike, i është drejtuar me një letër liderit të LSDM-së, Zoran Zaev Zaev, që po e udhëhiqni këtë proces, por edhe secilit politikan dhe institucion tjetër që ka të dhëna që kanë të bëjnë me të kaluarën e dyshimtë politikanëve shqiptarë në Maqedoni, që ato detyrimisht t’i publikoni pa përjashtim.

Në letër thuhet:

Ne nuk mund të lejojmë në asnjë mënyrë që paqja, stabiliteti dhe pushteti në Maqedoni të sigurohen mbi dëmtimin e shqiptarëve.

Ne jemi të bindur se nuk ka stabilitet pa liri, pa drejtësi, pa demokraci, pa barazi e pa transparencë të shtetit ndaj shqiptarëve dhe të gjitha kombeve të tjera në vend. Konsiderojmë se nuk ka çmim që mund ta arsyetojë krimin e asnjë pushteti ndaj qytetarëve të tij, madje – sipas nesh – pikërisht mospublikimi i atyre të dhënave e shton mundësinë që ky vend të destabilizohet dhe të rritet doza e mosbesimit mes komuniteteve, si dhe ndaj institucioneve. Ai që i ka dhe nuk i publikon ato të dhëna, përveç që është kundër perspektivës së Maqedonisë – për të cilën aq shumë flitet këto ditë, aq më shumë do të mbahet mend si armik i kombit shqiptar në Maqedoni, sepse në atë mënyrë ka kontribuar që shqiptarët të mbeten peng të hipotekave dhe kjo të reflektohet edhe në gjendjen e tyre të përgjithshme në këtë shtet. Duke e pasur përvojën e hidhur të së kaluarës, kur votat e popullit shqiptar në Maqedoni jo pak herë kanë shkuar huq pikërisht për shkak të hipotekave të politikanëve të caktuar shqiptarë, jemi këtu të konstatojmë se ky është momenti më i volitshëm historik që edhe shqiptarët e Maqedonisë ta pastrojnë të kaluarën e tyre dhe t’i pastrojnë hipotekat e

politikanëve të tyre në Maqedoni. Asnjë individ, kushdo qoftë ai, nuk është meritor që – për shkak të tij – të mbahet peng një popull i tërë. Ne konsiderojmë se është koha e fundit që përfundimisht edhe politika shqiptare në Maqedoni të lustrohet, sepse vetëm si e tillë ka mundësi të ndërtojë agjenda në favor të çështjes shqiptare në Maqedoni, por edhe në dobi të zhvillimit të shtetit të përgjithësi. Andaj, që të mos mbetemi peng të atyre hipotekave, që gjenerata e re e shqiptarëve të mund të projektojë politika pa u përballur me të kaluarën e politikanëve të ndryshëm shqiptarë, konsiderojmë se publikimi i atyre të dhënave është në të mirë jo vetëm të pjesëmarrjes së shqiptarëve në skenën politike të Maqedonisë, por edhe në të mirë të shëndetit të gjithmbarshëm politik të vendit. Në të kundërtën, pasojat mund të jenë të dëmshme jo vetëm për zhvillimet aktuale politike në vend, por edhe për ardhmërinë dhe perspektivën e vendit. “Shqiptarët pa hipoteka” janë mundësia më e mirë për zhvillimin e demokracisë, fuqizimin e stabilitetit, kohezionit shoqëror dhe perspektivës zhvillimore të vendit.

Lajme të ngjashme

Back to top button