Qytetarët prekin realitetin pas publikimit të përgjimeve

Qytetarët e Maqedonisë shprehen të dëshpëruar me realitetin edhe pse gjithmonë e kanë dyshuar në kredibilitetin e institucioneve shtetërore, tani kanë edhe fakte për këtë gjë.

Përgjimet e publikuara nga opozita i kanë vendosur vulë dyshimit dhe mosbesimit të qytetarëve ndaj gjykatave dhe institucioneve shtetërorë. Ata shprehen të mllefosur, madje edhe simpatizantët e VMRO-së dhe BDI-së ndjehen të dëshpëruar.

“Pas publikimit të përgjimeve shpesh pyes veten se kush po sjell ligje, si kanë funksionuar gjykatat dhe nuk e kemi ditur. Pse presidenti është aq i qetë dhe nuk reagon për asgjë. Është e tmerrshme kjo që po ndodh, por është e nevojshme që të hapim sytë dhe të shohim realitetin e hidhur”, tha Martin Mitrevski, qytetar.

“Unë dëgjova që shumë persona kanë rrezikuar punën e tyre në institucionet shtetërore nëse nuk kanë ndjekur urdhrat e pushtetit. Këtë nuk e hasim në asnjë shtet ligjor dhe demokratik. Për këtë arsye të gjithë shohin drejt perëndimit, sepse për tu punësuar këtu është e pamundur nëse nuk keni librezë anëtarësie të VMRO-së ose BDI-së. E më pas thonë që Maqedonia po përparon, kush po përparon në këtë rast, kur partitë politike tërë kohën kërcënojnë gjithë të tjerët”, tha Ilir Tahiri, qytetar.

“ Unë dhe familja gjithmonë kemi qenë simpatizues dhe përkrahës të VMRO-së por me këto rastet e fundit, me këto që po dëgjojmë po shohim se kjo parti po udhëhiqet nga vagabondë e bandit të cilët nuk asgjë tjetër por kriminel. Asnjëherë më nuk do të votojë për këtë parti përderisa udhëhiqet nga këta persona”, tha Filip Angelovski, qytetar.

“Nuk është për tu habitu situata në të cilën ndodhemi. Tani me publikimin e përgjimeve po e shoh se sa mbrapa jemi, sa vend jo demokratik jemi, por më në fund populli i hapi sytë dhe më nuk do hanë barë. U pasuruan në kurriz të popullit. Mbledhin votën me premtime asgjë nuk realizohet, po dalin në shesh pazaret e pisllëqe dhe ende është vetëm fillimi”, tha Harun Aziri, qytetar.

“Më vjen turp të jetojë në këtë shtet, me të vërtet më vjen turp. Aspak nuk i ngjan demokracisë, jemi nën diktaturën e Gruevskit. Shiten patriotë kurse nga ana tjetër shkatërrojnë popullin. Mjerim”, tha Igor Stojanov, qytetar.

“Ajo që më së shumti më frikëson është se çka do të bën pushteti tash për të tërhequr vëmendjen nga ngjarjet e fundit. Do të ketë trazira apo jo, do ketë rrahje dhe lëndime. Jemi mësuar gjithnjë ndodhin gjëra të tilla. Unë jetoj në Çair dhe kam shumë shoqëri shqiptare, edhe ata frikësohen për fëmijët e tyre, mos po ndodh ndonjë incident. Jemi dëshmitarë se pushteti gjithmonë ka përdorur këtë metodë për të tërhequr vëmendjen nga ndonjë gjë e rëndësishme, nga ndonjë papërgjegjësi e tyre”, tha Dijana Talevska, qytetare.

Lajme të ngjashme

Back to top button