Nuk ka shtyrje të afatit për certifikim të partive

Vetëm një iniciativë qytetare dhe dy kandidatë të pavarur kanë aplikuar deri më tani për certifikim në Zyrën për regjistrimin e partive politike në KQZ. Afati i fundit për aplikim është 4 shtatori.

Udhëheqësja e Zyrës për Regjistrimin e partive politike në KQZ, Miradije Mavriqi thotë se nuk mund të ketë shtyrje të këtij afati, për faktin se kërkohet kohë për kontrollimin e dokumentacionit, para 19 shtatorit, kur do të bëhet hedhja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim.

Albert Krasniqi nga Instituti KIPRED kritikon neglizhencën e subjekteve politike për t’i dorëzuar me kohë aplikacionet për certifikim në KQZ.

Kryeministri Hashim Thaçi të enjten në mbledhjen e Qeverisë u bëri thirrje serbëve të veriut që të organizohen në subjekte politike dhe të respektojnë afatin ligjor për aplikim për certifikim në KQZ. Por një kërkesë e tillë, duket se është e nevojshme edhe për subjektet tjera në gjithë Kosovën. Kjo për faktin se ndonëse janë edhe dhjetë ditë deri në përfundimin e afatit ligjor, për certifikim në Zyrën për Regjistrimin e partive politike kanë aplikuar vetëm një iniciativë qytetare nga komuniteti malazez dhe dy kandidatë të pavarur shqiptarë, raporton RTK.

Udhëheqësja e Zyrës për regjistrimin e partive politike, Miradije Mavriqi, tha për Radio Kosovën se afati për aplikim nuk mund të shtyhet.

“Ligji për zgjedhjet decidivisht e cekë datën thotë 60 ditë para ditës së zgjedhjeve aplikohet për certifikim. Kjo edhe sa ditë zyra i ka për ta kontrolluar dokumentacionin, edhe KQZ-ja, do të thotë secila datë është me ligj e caktuar. Data nuk mund të shtyhet”, tha Mavriqi.

Albert Krasniqi nga instituti KIPRED thotë se partitë vonohen që të aplikojnë për shumë arsye, por më kryesorja sipas tij, është fakti që deri në momentin e fundit nuk i dinë emrat e kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhje. Ai përmend edhe kriteret tjera të cilat partitë politike duhet t’i kryejnë para se të aplikojnë për pjesëmarrje në zgjedhje, duke përfshirë edhe formularët për të dhënat për secilin kandidatë dhe të dhënat tjera teknike.

“Me kryerjen e punëve në momentin e fundit, kjo na bën të kuptojmë që organizimi i tyre i brendshëm është mjaft i keq, për shkak se nëse nuk janë në gjendje që t’i plotësojnë këta formularë partitë që udhëheqin me shtetin, atëherë çfarë mund të presim ne më shumë. Kjo është një pasqyrë e asaj se sa të organizuar janë dhe sa me afate dhe precizitet mund t’i kryejnë punët”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.

Zyra për regjistrimin e partive politike në KQZ ka 15 ditë afat për kontrollimin e dokumentacionit të dorëzuar nga subjektet politike, dokumentacion ky, që sipas Albert Krasniqit, shpeshherë dorëzohet me shumë gabime për shkak të neglizhencës së subjekteve politike për t’i përfunduar procedurat me kohë.

Ndryshe, hedhja e shortit për renditjen në fletëvotime të subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të bëhet më 19 shtator./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button