Rufi Osmani: Në vitin 1999-2002 jam përgjuar me direktivë të PDSH-së

Pas shpërthimeve të “bombave” të Zaevit ku njëra ndër “bombat” ishte përgjimi i 20 mijë qytetarëve të Maqedonisë ku mes tyre edhe ish lideri i RDK-së Rufi Osmani. Osmani në një intervsit për gazetën KOHA, thotë se përgjimi ndaj tij fillon nga 1981 si student i Prishtinës në 1997 në ngjarjet e Gostivarit, 1999-2002 nga largimi i tij nga PDSH-ja dhe përkrahja e procesit të legalizimit të UT-së jam përgjuar  me direktivë të PDSH-së.

”Përgjimi ndaj meje fillon nga viti 1981 si student i Prishtinës, përforcohet nga viti 1992 me fillimin e pluralizmit politik, për të arritur kulminacionin me ngjarjet tragjike të Gostivarit të vitit 1997, kur edhe burgosem. Në këtë kohë përgjimet janë ekzekutuar nga Zoran Verushevski, si udhëheqës i shërbimit sekret dhe kuadër i LSDM-së, person ky që sot është në bankën e të akuzuarve, që manifeston një ironi të llojit të veçantë për këtë person.
Nga viti 1999 deri ne 2002 unë dhe familja ime përgjohemi me direktivë të PDSH-së, si pjesë e qeverisë, si rezultatit i largimit tim nga PDSH dhe përkrahjes publike të procesit të legalizimit të UT-së. Në vigjilje të përgatitjeve për kandidimin për kryetar të Gostivarit këto përgjime fitojnë intensitet sërish me porosinë e funksionarëve të PDSH-së, kohë kur kjo strukturë ishte sërish në qeveri në vitet 2006-2008.

Nga viti 2009 kur unë zgjidhem kryetar i Gostivarit intensifikohen përgjimet ndaj meje dhe bashkëpunëtorëve të mi dhe arrijnë kulminacionin me themelimin e RDK-së, në vitin 2011.

Pikërisht biseda ime e përgjuar është bërë me gazetarin Bujar Idrizi në vitin 2011, vit në të cilin unë ngrita padi penale për shpifje kundër Llatasit, këtij gazetari me fobi të lindur antishqiptare, dhe përkundër faktit që shkova në dy seanca gjyqësore në gjykatën e Shkupit, ky kontest nuk pati epilog final. Intensifikimi i përgjimeve nga viti 2009 është bërë me porosi të funksionarëve të lartë të BDI-së, me dakordësimin e VMRO-së dhe të PDSH-së.

Mbaj bindjen se përgjimet e bëra publike kanë synuar që të godasin në mënyrë preventive kundërshtarët politik nëpërmjet kërcënimeve, shantazheve, komploteve për eliminim politik, juridik dhe burgosje politikisht të montuara, me qëllim dobësimin e kundërshtarëve politik në të dy kampet etnike, me një specifikë që shoqëron kampin politik shqiptar. Me këtë skenar jam ballafaquar si kryetar i RDK-së në zgjedhjet në vitin 2011, 2013 dhe 2014″ është shprehur Rufi Osmani për gazetën Koha.

Lajme të ngjashme

Back to top button