Turqi, Erdogan njofton mbledhjen e dytë të kabinetit qeveritar si president

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar këtë të hënë se do të kryesojë mbledhjen e dytë të kabinetit qeveritar si kryetar shteti më 9 mars, një tjetër shenjë kjo e vendosmërisë së tij për të mbajtur nën kontroll të rreptë pushtetin.

Erdogan është presidenti i parë i zgjedhur drejtpërdrejtë nga populli dhe ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij dhe angazhimin për t’ia rritur vetes kompetencat krahasuar me paraardhësit e tij, duke detyruar kritikët ta akuzojnë atë për përqëndrim të pushtetit në duart e tij, në atë që sipas tyre konsiderohet “de facto” një sistem presidencial.

Krerët e mëparshëm të shtetit kanë kryesor mbledhje të qeverive vetëm në periudha krizash apo luftrash.

“Do të doja t’iu informoja se do të mbledh për të dytën herë kabinetin qeveritar në pallatin presidencial, më 9 mars”, tha ai në një fjalim të mbajtur nga rezidenca e tij në Ankara.

Erdogan shpreson për një fitore gjithëpërfshirëse të partisë së tij “AK” në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, ndoshta për t’iu hapur rrugën reformave kushtetuese që do ta kthenin Turqinë formalisht në një sistem presidencial.

Njoftimi i mbledhjes së dytë të kabinetit qeveritar nga ana e tij vjen në një periudhë të rëndësishme për politikën e jashtme të Turqisë. Javën e kaluar, vendi i shtrirë në dy kontinente nënshkroi një marrëveshje me Uashingtonin për të trajnuar dhe pajisur luftëtarët e opozitës siriane në betejën e tyre ndaj Shtetit Islamik.

Përgjatë fundjavës, forcat turke evakuuan ushtarët që rrinin roje në varrin e një figure tepër të njohur të historisë turke, Shah Sulejmanit, brenda kufirit të Sirisë, pasi raportohej se vendi i shenjtë për turqit ishte rrethuar nga militantë të Shtetit Islamik prej muajsh.

Në një tjetër zhvillim, Turqia ka bërë të ditur se raketat e reja me rreze të gjatë veprimi do t’ia përshtasë sistemeve të NATO-s, ka thënë zëdhënësi presidencial, Ibrahim Kalin, gjatë së hënës, në ato komente që u konsideruan si në kundërshtim me ministrin e Mbrojtjes.

Turqia, një vend anëtar i NATO-s, zgjodhi kompaninë “China Precision Machinery Import/Export Corp”, si një ofertues të preferuar gjatë vitit 2013 për furnizimin e vendit me sisteme raketore, duke shqetësuar Perëndimin në lidhje me sigurinë dhe përshtatshmërinë e armatimeve kineze me infrastrukturën e NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes, Ismet Yilmaz, tha javën e kaluar se Ankaraja nuk planifikon të integrojë sistemet e reja të mbrojtjes me ato të NATO-s, duke i rritur edhe më tepër shqetësimet perëndimore. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button