Amerikanët sjellin modelin e Fondacionit Spitalor

“Një fillim i mirë”. Kështu e quan Betsy Ferries hapjen e dyqanit të vogël në korridorin hyrës të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.  

Është anëtare e bordit të Fondacionit Spitalor të Nënës dhe Fëmijës, i krijuar vetëm dy muaj më parë. Ka për mision grumbullimin e fondeve për t’i investuar më pas me ndërhyrje aty ku janë nevojat më të mëdha të pacientëve.

Ky fondacion ka marrë me qira këtë ambient tregtar dhe të gjitha të ardhurat që do të mblidhen nga shitja e produkteve do të përdoren për të përmirësuar cilësinë e shërbimit në maternitet. Është një model i huazuar nga SHBA, ku shumë spitale aplikojnë të njëjtën skemë për të gjeneruar më shumë përfitime, të cilat në fund u shkojnë pacientëve. Ndodh për herë të parë në Shqipëri, ku lokalet brenda spitaleve u jepen privatëve, të cilët përfitimet i fusin në xhep pa i dhënë asgjë me tepër spitalit se sa qiraja, shpesh qesharake.

“Është pikërisht ky një nga qëllimet që ne kemi si fondacion, të rrisim transparencën me fondet që jepen nga donatorët apo sigurohen në këtë mënyrë si nga ky ambient tregtar. Është një mënyrë për t’i dhënë prioritet asaj çka është vërtet e nevojshme”, thotë Betsy Ferries. Ajo shton se spitali ka shumë nevoja dhe jo gjithmonë qeveritë kanë fonde të mjaftueshme për t’i plotësuar ato.

“Ndaj, nëpërmjet këtij fondacioni, i cili ishte ide e doktor Halim Kosovës pas një vizite që pati në një spital në Rhode Island, ne synojmë që çdo para e hedhur nga biznesi shqiptar apo i huaj t’i shërbejë vetë spitalit, jo të shkojë në xhepat e dikujt”, shton ajo duke sqaruar se janë vetëm hapat e parë.

Në vijim pritet të organizohen një sërë aktivitetesh, për të vënë në dijeni të gjithë ata që duan të kontribuojnë për përmirësimin e shëndetësisë në Shqipëri që ky fondacion ekziston dhe çdo qindarkë nuk do të shkojë dëm.

Vizitorët vetëm me kartë identiteti
Dy ditë më parë u përurua sistemi i mirëmenaxhimit të pritjes së pacientëve. Është një sistem që hedh online të gjitha hyrjet dhe daljet e vizitorëve në mjediset e spitalit. Projekti, i mbështetur nga USAID, për herë të parë bën të mundur kontrollin dhe orientimin e vizitorëve. “Më parë kishte raste që duhet të prisje te dera në radhë derisa t’i mbushej mendja rojës të të linte të hyje brenda. Me sistemin e ri ti shkon në recepsion, kërkon personin e shtruar dhe në software gjendet dhoma ku është shtruar. Pajisesh me një kartë vizitori, e cila të lejon të qëndrosh brenda vetëm 20 minuta”, thotë drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Robert Qirko. Ai shton se tashmë në çdo moment të ditës dihet me siguri se sa veta hyjnë e dalin nga spitali. “Në këtë mënyrë ne i garantojmë më shumë siguri nënës dhe foshnjave. Pasi asnjë vizitor nuk mund të hyjë në maternitet  pa pasur kartë identiteti”, tha Qirko. Ai shton se do të jenë vetë nënat të cilat do të vendosin nëse duan të presin vizitorë apo jo. “Në rast se ndonjëra prej tyre kërkon të mos ketë vizitorë, automatikisht nuk do lejohet askush të hyjë. E them këtë pasi kemi gjetur nëna super të lodhura, të cilave u mbushej dhoma me familjarë e s’kishin nga ia mbanin”, thotë drejtori i maternitetit. Me këtë projekt, i cili kishte për synim dixhitalizimin e gjithë të dhënave të maternitetit, brenda një kohe të shkurtër të shtruarit nuk do të kenë më kartela në letër, por online. 

Fondacioni Spitalor 
Është krijuar përpara dy muajsh dhe synon të shtrihet në të gjitha spitalet e vendit. Aktualisht të ardhurat që do të grumbullojë do të përdoren për të përmirësuar cilësinë e shërbimit apo blerë pajisje në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Nëpërmjet këtij fondacioni, paratë e dhëna nga donatorët nuk do të kalojnë më në buxhetin e shtetit, por do të përdoren direkt për investime aty ku nevojat janë më të mëdha. “Deri në fund të vitit 2014 do të shihen frytet e para të kësaj iniciative dhe besoj se ka ardhur koha që Shqipëria të përqafojë nisma të tilla, të cilat prej vitesh tashmë janë normale në SHBA”, thotë Betsy Ferries, anëtare e bordit të fondacionit.

Kartat e emergjencës
Përveç kartave normale me të cilat do të pajisen, vizitorët do të ketë në përdorim edhe karta emergjence, të cilat jepen për rastet urgjente. Po kështu, janë bërë gati edhe karta për baballarët, të cilët duan të asistojnë gjatë lindjes, ndonëse numri i tyre është shumë i vogël.

Lajme të ngjashme

Back to top button