Rexhepi: Jemi të prekur nga përgjimet dhe nuk mund të jemi indiferent

Reis’ul-Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi,  në një intervistë të televizionit nacional TV ART-Tetovë, ka deklaruar se nuk është indiferent ndaj kësaj që po ndodh me aferën e përgjimeve.

“Po e përcjellim me vëmendje të posaçme, ndonëse deri më tani nuk jemi prononcuar zyrtarisht rreth tërë kësaj që po ndodh momentalisht në Maqedoni. Është shumë e vërtetë kjo që e theksuat se janë përgjuar edhe Bashkësitë Fetare, edhe atë jo vetëm të parët e Bashkësive Fetare,  por edhe njerëzit e tjerë të këtyre komuniteteve. Prandaj, nuk mund të jemi indiferent. Jemi të prekur, jemi të shqetësuar, sepse assesi nuk kemi mundur ta paramendojmë se në një sistem demokratik, shumëpartiak mund të ndodhë ky veprim. Dhe, me të vërtetë sipas parimeve islame, sipas parimeve të Kuranit, ky është një akt i ndaluar; krahasimi i kësaj vepre është i ngjashëm sikur të hash mishin e vëllait të vdekur. Kjo nuk është politikë. Ne si BFI jemi institucion apolitik, veprojmë si institucion mbipartiak, nuk jemi në aleanca me asnjë parti politike dhe, nga ana tjetër, sipas Kushtetutës së RM Bashkësitë Fetare janë të ndara nga shteti”, tha Rexhepi.

Në pyetjen se si e vlerëson ai shkrime e një gazete maqedonase e cila vlerësohet si proqeveritare dhe sipas së cilës, “Reis Rexhepi në emër të myslimanëve rreshtohet në anën e Zaevit”? Rexhepi Përgjigjet:

“E para, kjo është një shpifje e kulluar! Një shpifje publike, dhe, mëkati i kësaj shpifje është njësoj si mëkati i përgjimit. Të montosh ilustrime dhe të bësh shpifje publike, të montosh raste që flasin për takimet e mia me z. Zaevin në Xhaminë e Jahja Pashës, është fund e krye një shpifje e kulluar. E dyta, unë nuk mbaj krahun e asnjë subjekti politik në Maqedoni, por, unë në kolumnën time kam analizuar vetëm aktin e përgjimit, edhe atë duke u bazuar në parimet kuranore, në mësimet e Pejgamberit (a. s.).  Ky akt është një krim shumë i madh, jodemokratik. Kam nënvizuar dhe,  sërish po e theksoj, askujt nuk i ka shkuar në mend se në demokraci mund të ndodhë kjo – siç po thonë, të përgjohen mbi 20 mijë qytetarë. Ky është një krim i tmerrshëm, është një mëkat i pafalshëm, gjithnjë sipas parimeve islame,  por edhe sipas konventave të shumta ndërkombëtare”.

Lajme të ngjashme

Back to top button