Tërpenovski: Zvërlevski të mos heshtë për daljen e videos për Boshkovskin

Prokurori publik Marko Zrvlevski duhet të reagojë sa më shpejtë. Ky është qëndrimi i ish prokurorit Jovan Tërpenovski, një ditë pas shpalosjes në opinion të video-regjistrimeve të fshehta në të cilat Lube Boshkovski pranon para në dorë, para zgjedhjeve. Fakti që opozita publikoi tashmë tre “bomba”, por edhe atë të paraqitjes së video-materialeve të fshehta edhe nga kabineti i kryeministrit, sipas Tërpenovskit janë motiv i mjaftueshëm për zgjidhje urgjente të të gjitha çështjeve – kush ka përgjuar, në çfarë mënyre ka përgjuar, si dhe, si paraqiten video- materialet në opinion, transmeton Alsat.

“Mendoj se nuk është bërë rastësisht. Prokurori publik patjetër duhet ta verifikoj këtë. Tani, çështje tjetër është përmes cilit do ta verifikojë nëse është e përfshirë Ministria e Brendshme. Këtu paraqiten probleme teknike e jo probleme thelbësore. Problemi thelbësor është se prokurori publik është i sfiduar që të verifikoj, që në çfarë mënyrë janë marrë këto regjistrime. A janë këto regjistrime të miratuara dhe me njohuri të Prokurorit publik, apo janë vepër e dikujt që e bën këtë për qëllime të caktuara që dalin jashtë kornizës së procedurës. Prokurori publik s’mund të qëndrojë ashtu duarkryq, pa reaguar sepse përmenda edhe më sipër, ky është funksioni i tij bazik. Është shumë serioz fakti që prokurori publik të vazhdoj të heshtë”, tha Jovan Tërpenovski, Ish prokuror.

Në incizimet që u shfaqën mbrëmjen e djeshme, së pari në “Youtube” e më pas edhe nëpër media, shihet takimi i fshehtë i regjistruar mes Lube Boshkovskit dhe një dëshmitari të mbrojtur. Në regjistrim, Boshkovski pranon të holla në dorë për financimin e fushatës, vepër për të cilën pas zgjedhjeve u dënua me burg. Në bisedën Boshkovski premton se nëse fiton në zgjedhje, do të angazhohet për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, por edhe bën komplot për angazhimin e një gazetari për kandidat për deputet, që të fitojë reklama me çmime më të favorshme në televizionin e tij. Kush e ka bërë incizimin dhe si ka arritur tek opinioni, pyetëm edhe në Prokurorinë Publike, por të paktën sot, nuk arritëm të merrnim përgjigje. Tentuam të kuptojmë edhe nga familja dhe avokatët e Boshkovskit, nëse regjistrimi është përdorur si provë në procesin kundër tij. Megjithatë, nuk morëm përgjigje e as koment për video-materialin e publikuar.

Lajme të ngjashme

Back to top button