Turqia, operacion masiv për të evakuuar ushtarët roje të varrit të Shah Sulejmanit

Tanket turke, të mbështetur nga avionë të telekomanduar dhe avionë zbulimi, kanë hyrë në Siri përgjatë natës për të evakuuar disa dhjetëra ushtarë turq, të cilët kishin për detyrë ruajtjen e një varri të konsideruar si pjesë territoriale sovrane e Ankarasë, por që raportohet të jetë e rrethuar nga kryengritësit e Shtetit Islamik.

Kryeministri Ahmet Davutoglu tha se rreth 100 mjete ushtarake, përfshi 39 tanke, u përfshinë në aksionin për të kthyer 38 ushtarë roje të varrit të Shah Sulejmanit, gjyshit të themeluesit të Perandorisë Otomane, të sigurt në vendlindjen e tyre.

Ushtria bëri të ditur se nuk ka pasur përplasje gjatë operacionit, i pari inkursion në terren nga trupat turke në Siri, ndërsa një ushtar ishte vrarë aksidentalisht.

I rrethuar nga shefi i ushtrisë dhe ministri i Mbrojtjes, Davutoglu tha gjatë një konference për shtyp se Turqia nuk kishte kërkuar leje apo ndihmë për misionin, por kishte informuar aleatët në koalicionin kundër Shtetit Islamik përpara se të niste.

Ai tha përmes rrjetit social “Twitter” se eshtrat e Shah Sulejmanit do të zhvendosen në një tjetër zonë të Sirisë, e cila është vënë nën kontrollin ushtarak të Turqisë. Ende nuk ka ndonjë reagim nga autoritetet siriane.

Qeveria turke kishte deklaruar vitin e kaluar se militantët e Shtetit Islamik ishin duke avancuar drejt mauzoleumit dhe u angazhua vazhdimisht se do ta mbronte atë. Varri është konsideruar pjesë territoriale e Turqisë, pas traktatit të nënshkruar me Francën në vitin 1921, kur Franca sundonte në Siri.

“Trashëgimia shumëvjeçare me vlera të larta morale e varrit të Shah Sulejmanit, që është pjesë e territorit turk bazuar mbi marrëveshjet ndërkombëtare, është transferuar përkohësisht në fshatin Suriye Esmesi, sërish në territorin sirian, për shkak të çështjeve të sigurisë dhe rreziqeve ushtarake në Siri, duke rezervuar të gjitha të drejtat e kontrollit mbi të”, thuhej në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të ushtrisë turke.

Turqia ka hezituar të marrë një rol aktiv në fushatën ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik, pjesërisht sepse dëshiron që fokusi i veprimeve ushtarake të jetë ndaj forcave të presidentit Bashar al-Assad, po aq sa dhe te kryengritësit ekstremistë.

Shteti Islamik dhe grupe të tjera ekstremistësh, interpretimi strikt salafit i Islamit prej të cilëve kërkon që nderimi i varreve të jetë më tepër në aspektin adhurues, kanë shkatërruar disa varre dhe xhami në Siri. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button