GRUSHTSHTETI SI ALIBI PISLLËQESH

Ju kujtohet rasti i të riut fatzi nga Brodeci me fytyrë të demoluar në zëndanet e shtetit tonë të dashur, javë të tëra pas aktit të burgosjes? Ju kujtohen deklaratat e kryepolices, e cila pas kësaj shëmtie do të duhej të japë doreheqje, duke u distancuar hapur nga gardianët xhelatë të ministrisë së saj? Natyrisht, asaj nuk i shkoi ndërmend as dënimi i persekutorëve të të riut të lidhur këmbeduar e të parrezikshëm, por nuk nguroi të kërkojë përgjegjësi nga publikuesi i skenave që tronditën botën.

Pa dyshim: ky qe sinjali më domethënës që na e bëri me dije të gjithëve sa bie sahati, por ç’e do kur nuk u kap nga mendja e madhe analiste, e cila, bashkë me pamjet e denja për aushfice, u desh t’ia përcjellë botës mesazhin e frikshëm, sipas të cilit: në këtë shtet nuk është e ndaluar drobitja e eshtrave njerëzore, po publikimi i akteve barbare që mund të prishë imazhin e rremë të demokracisë maqedonase në paterica.

Tani, si për t’u përsëritur përsëritja përsëri, pas shpërthimit të njëpasnjëshëm të bombave të Zaevit, po ritakohemi me pasojat e po të njëjtit sindrom, kur, në vend se të dorëhiqet kolektivisht, kreu i qeverisë trumbeton përjermshëm rrezikun prej dofarë grushtshtetesh të shpikur si alibi pisllëqesh. Për çudinë e çudirave, asnjëri prej personazhëve, zëri i të cilëve dëgjohet açik në dialogët morbidë të prezantuar nga LSDM-ja, nuk turpërohet dhe nuk e lë pushtetin. Në vend të këtij akti moral, që do t’i shkulte sadopak llofkash, të tillët e projektojnë fajin te bashkëpunimi i liderit të opozitës maqedonase me agjenturat e huaja, pa mohuar fare vakitë që shokojnë gjithnjë e më shumë opinionin publik, duke e bindur se përndjekja, përgjimi, spiunllëku, ndërhyrja në drejtësi… janë të lejueshëm në shtetin e sëmurë nga ileti i rrezikshëm me gjenezë mesjete.

Për gjynah të Zotit, pjesë e këtij maskarallëku janë dhe disa medie – drejtuesit dhe redaktorët e tyre të pakurriz, që do të duhej të ishin të parët në frontin e mbrojtjes së popullit nga prijësit qorra dhe projektet e tyre ngjyrë ferri.

Në labirintin oportun të kryeministrit antik vërdalliset dhe presidenti, që sillet si me qenë prej Kurdistani, bashkë me një varg institucionesh të kapura shtetërore që piskatin për hiçgjë, por jo dhe për përmendoren e fundit të perandorit narcisoid, të cilit shumëkushi nuk do t’ia besonte as qeverisjen e një koteci.

Në kësi rrethanash do të doja t’i shoh më të përbashkuar shqiptarët, veçmas pas paralajmërimeve të disa politikanëve maqedonas, për skenarët e mundshëm të konflikteve ndëretnike e ndërfetare, ku gjithnjë e pësojnë më të dobëtit dhe më të pafajshmit…

Do të doja gjithashtu, që asnjë parti shqiptare, në rend të parë ajo në pushtet, të mos paguajë më tagret e politikave nacionaliste dhe dështake të mbretit Diell, por të distancohen në vend nga llofkat e tij, duke braktisur qeverinë dhe parlamentin, për t’mos qenë më kurrë pjesë e tyre në kondita të kësillojta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Nëse edhe tani , pas gjithë këtyre fëlliqësirave të kryera nga “pushteti” aktual, njerëzit e urtë nga të gjitha profilet e jetës, pa dallim nacionaliteti, feje apo pozicioni, nuk ngrenë zërrin pë rëzimin e këtij klani PIS nga pushteti, atëherë do të na hajë dreqi !

Back to top button