Gangsterët e proceseve të montuara, imazhi i shëmtuar i mediumeve klienteliste

Mediat klienteliste të lidhura ngushtë me shërbimet sekrete të vendit duke uzurpuar dhe sfiduar hapësirën mediale me ndihmën e pushtetit, tregojnë inkriminimin e tyre përtej asaj që mund të quhet propagandë politike mediale.

Gazetarë, analist dhe publicist, thonë se  bomba e  tretë e liderit të LSDM-së, tregon se njeriu i parë i Televizionit Sitell dhe pronari i televizionit Kanal 5, shfaqen jo vetëm si protagonist të një propagande të fëlliqur politike, por edhe dorë e zgjatur e shërbimeve sekrete në procese të montuara politike.

Ata vlerësojnë se mediat në Maqedoni janë bërë pengje të interesit të biznesit dhe politikës. Duke iu referuar bisedave të dëgjuara,  televizioni Sitell dhe Kanal 5 konsiderohen si maja e jo profesionalizmit dhe klientelizmit.

Shumë media kanë qenë të lidhura me policinë dhe shërbimet sekrete

Publicisti Sefer Tahiri thotë për Portalb se nga përgjimet e publikuara shihet qartë se kush është në fakt kryeredaktori kolektiv i mediave komerciale në Maqedoni, të afërta me pushtetin

“Këto përgjime dëshmuan lidhshmërinë e drejtpërdrejt mes mediave dhe politikes, por edhe zbuluan dhe nxorën një fakt të njohur shumë, e të diskutuar pak, se shumë media kanë qenë të lidhura me policinë dhe shërbimet sekrete dhe se kanë qenë dorë e zgjatur e tyre, jo vetëm gjatë sundimit totalitar të VMRO-DPMNE-së, por edhe më herët. Përgjimet e sotme janë rrëqethëse dhe shqetësuese, pasi në to dëgjohet se si shefi i Shërbimit Sekret u dikton televizioneve se çfarë pamjesh televizive të transmetojnë dhe se si pronarët dhe shefat e mediave janë të gëzuar për burgosjen e një politikani opozitar. Kjo nuk do shumë koment, sepse vetvetiu flet se në çfarë halli apo derexhe profesionale janë mediat”, thotë Sefer Tahiri.

Ditët e kësaj gazetarie nxitëse dhe partizane janë të numëruara

Kryetari i Shoqatës së  gazetarëve n ë Maqedonisë , Naser Selmani thotë për Portalb se pa mos i dëgjuar bombat e Zaevit, kjo shoqatë  pesë vite rresht vazhdimisht ka përsëritur se mediat në Maqedoni nuk janë të lira dhe nuk ushtrojnë rolin e pushtetit të katërt të pavarur në një shoqëri demokratike për të kontrolluar punën e tre pushteteve tjera, pushtetit ekzekutiv, ligjvënës dhe gjyqësor.

“Për ta dëshmuar këtë fakt po ju bëjë me dije se Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë parmbrëmë shënoi 69 vjetorin e themelimit dhe ndau shpërblimet gazetareske. Me këtë rast para kolegëve të pranishëm mes tjerash thashë : Mediat në Maqedoni nuk shërbejnë për informimin e saktë dhe me kohë të qytetarëve, por janë bërë pengje të interesave të biznesit dhe politikës dhe janë shndërruar në mjet propagande në betejën politike për pushtet. Edhe pse përgjegjësia më e madhe për gjendjen e mediave është e pushtetit, partive politike dhe pronarëve të mediave, duhet patjetër të pranojmë se një pjesë e përgjegjësisë na takon edhe neve si gazetarë. Nuk mund të fshehim se mes nesh ka njerëz që prezantohen si gazetarët, të cilët në vend se të informojnë janë shndërruar në përhapës të urrejtjes dhe frikës. Një pjesë kërcënohen se do të derdhin edhe gjakun po ka nevojë e nuk ikin nga pushteti, ndërsa të tjerët nxisin dhe frikësojnë oponentët e tyre se do t’u hakmerren kur do të bien nga pushteti” thotë Naser Selmani.

Selmani thotë: “Dua hapur të distancohem dhe ta dënojë këtë lloj gazetaria joprofesionale dhe t’u porosis se ditët e kësaj gazetarie nxitëse dhe partizane janë të numëruara. Na dëmtuan kredibilitetin e gazetarisë, por megjithatë duhet ta dinë se përgjegjësia është individuale. Secili përgjigjet për veprimet e tij. SHGM është konzistente në qëndrimet e saj pavarësisht se pushteti, partitë dhe redaktorët e këtyre mediave nuk dua t’i dëgjojnë ato”.

Bisedat që dëgjuam maja e kodrës së akullt e jo profesionalizmit dhe klientelizmit

Mirçe Adamcevski nga Këshilli i etikës thotë për Portalb se përmbajtja e bisedave telefonike tregon se gazetaria maqedonase ende nuk e ka arritur fundin.

“Nuk e di se çfarë ende do të dalë nga veshi i madh 2, por nuk do të jem i befasuar nëse përmbajtjet e reja janë vetëm maja e kodrës së akullt të jo profesionalizmit dhe klientelizmit. Qëllimisht them mediave se bëhet fjalë për biseda ku janë të përfshirë pronar dhe kryeredaktor me të fuqishmit e qeverisë. Kjo vërteton tezën time të thënë më herët se gazetarët në Maqedoni në pjesën më të madhe ndoshta edhe 99 për qind janë të ndershëm dhe profesional në punën e tyre, ndërsa pronarët dhe redaktorët janë si peshku që kalbet nga koka”, thotë Mirçevski.

Sipas tij Pronarët dhe redaktorët janë ata që krijojnë imazhin e mediumeve në publik dhe dëshirojnë të jenë të afërt me politikën dhe fuqinë dhe politika  shfrytëzon për qëllimet e veta. Sipas Mirçevskit, kjo është lidhja të cilën mediumet në të ardhmen duhet të zgjidhin.

 

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button