Topi sulmon Berishën: Mos i besoni, shërbeu 25 vite si sekretar i Enverit

Të rinjtë duhet t’i marrin vetë në dorë fatet e jetës së tyre dhe mos të presin nga klasa politike. Përmes kësaj thirrje, kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, iu drejtua të rinjve gjatë një takimi në ditën e rënies së bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha.

Duke iu referuar ish-kryeministrit Berisha, Topi theksoi se nuk duhet t’u besohet njerëzve si ai, që ka shërbyer për 25 vite si sekretar partie i Enver Hoxhës.

“Mos prisni asnjë dhuratë nga liderët prepotentë të partive, mos u përdorni për qëllimet e tyre. Mos prisni që kjo dhuratë t’u vijë nga ata persona të veçantë, që shërbyen 25 vjet si sekretarë partie të Enver Hoxhës dhe 25 vjet si diktatorë. Kudo mund të ketë apati, mund të ketë frikë, madje kam parë edhe akademikë mjeranë që i janë nënshtruar presioneve të liderëve politike, por nuk mund të jenë intelektualë”, tha Topi.

Ai theksoi se ndryshimet në vend nuk mund të vijnë nga njerëz frikacakë. “Nëse do vijnë gjërat realisht për të ndryshuar në këtë vend, nuk do vijnë nga njerëz frikacakë. Në institucione është e vështirë që njerëzit të jenë vetvetja. Disa pasurohen në mënyrë përrallore, pjesa më e madhe vjen dhe varfërohet”.

Ish-Presidenti Topi bëri një koment edhe lidhur me seancat plenare, ku deputeti Berisha kërkon vazhdimisht fjalën duke mos iu dhënë kohë të tjerëve.

“Në Parlament është një ngatërrestar që e merr fjalën dhe nuk lë të tjerët të flasin. Është një njeri atje që e ka bërë çorap dhe vazhdon ta bëjë çorap. Unë nuk e di si ndihen të tjerët në grupin e tij, janë njerëz inferior. Ata kanë konformistë sepse kanë frikë, por unë nuk e di çfarë frike kanë. Ai është një Parlament që nuk bën ligje”, deklaroi kreu i FRD-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button