Komuna e Tetovës njofton për aktivitetet kundër ndotjes së ajrit

Komuna e Tetovës njofton për aktivitete që ka ndërmarrë për realizimin e masave të në plan afatshkurtër do ta reduktojnë ndotjen e ajrit ambiental ndërsa në plan afatgjatë do të krijojnë kulturë të veprimit të vazhdueshëm dhe do të ndikojnë në mënyrë preventive që problemi i ndotjes enorme të ajrit mos të paraqitet përsëri në të ardhmen.

Në këtë drejtim , komuna e Tetovës ka  zmadhuar numrin e inspektorëve ekologjik të cilët kanë dënuar disa kompani të cilët kanë ndezur materiale ndërtimore, goma, mbeturina  dhe materiale nga druri. Inspektorati komunal ka  realizuar kontrolle të vazhdueshme të kapaciteteve industriale të ndërmarrjeve të mesme të cilat operojnë me leje B ose elaborate ekologjike, të cilat jepen dhe kontrollohen drejtpërdrejtë nga komuna e Tetovës. Gjatë kontrollove në të shumtën e rasteve është konstatuar se kapacitetet prodhuese disponojnë me lejet dhe dokumentacionin e nevojshëm, kurse në rastet ku është konstatuar e kundërta, subjektet janë obliguar që në afatin ligjor i cili është 8 ditë, të furnizohen me lejet përkatëse, dhe nëse këtë nuk e bëjnë të njëjtit do të dënohen me gjoba.

Në dy pikat kyçe për hyrje-dalje në qytet, gjegjësisht qarku rrethor tek Vero dhe qarku rrethor i bulevardit  Ilinden, inspektorati lokal i komunës dhe Njësia Policore Tetovë, realizojnë kontrolle të vazhdueshme për sigurimin e regjimit të veçantë të komunikacionit me ç ‘rast automjetet e rënda transportuese, destinacioni përfundimtar i të cilëve nuk është qyteti i Tetovës, drejtohen të lëvizin në rrugët qarkore, derisa të vetëdijesohen që rrugët qarkore janë të vetmet të cilat ata mund të shfrytëzojnë për transport të mallrave të tyre. Kontrollet e njëjta rregullisht kryhen edhe për automjetet me leje për transport dhe furnizim të mallrave, me ç ‘rast të njëjtat obligohen që bartjen e mallrave ta bëjnë në orarin kur kemi frekuencë më të vogël të qarkullimit në komunikacion, gjegjësisht nga ora 18:00 deri në ora 08:00 të mëngjesit. Kompanitë që tejkalojnë këtë afat kohor do të ndëshkohen me qëllim që të vetëdijesohen që ora e lejuar për shpërndarje të mallrave është nga ora 18:00 e mbrëmjes deri në orën 08:00 të mëngjesit.

Në pajtim me Ligjin për pastërti publike, nga ana e inspektorëve komunal është rritur numri i mbikëqyrjeve inspektuese nëpër kantieret ndërtimore gjegjësisht, pengimin e daljes së automjeteve ngarkuese nga kantieret me rrota të përlyera si dhe mbulimi i automjeteve të tilla me tenda mbrojtëse. Komuna e Tetovës, posedon plan dhe vendim ekzistues për implementim të rrugëve njëkahëshe. Nga ana e sektorit për komunikacion, rrugë dhe tokë ndërtimore, janë rivendosur shenjat e dëmtuara të sinjalizimit vertikal tek të gjitha rrugët njëkahëshe, dhe me këtë pritet që në periudhën e ardhshme, me asistencë të Njësisë Policore Tetovë të kryhen kontrolle të shpeshta, me qëllim respektimin e regjimit të rrugëve njëkahëshe në komunën e Tetovës, veprim ky i cili gjykojmë se do të ndikojë pozitivisht në lehtësimin e trafikut në qytet.

Pas sjelljes së vendimit për formimin e Ndërmarrjes për transport publik, kemi kërkuar dhe ende nuk kemi marrë përgjigje nga Ministria për transport dhe lidhje, që me shembullin e qytetit të Shkupit të cilit iu dhuruan të gjitha autobusët për rinovimin e mjeteve për transport publik, ti jep tetë autobus komunës së dytë më të madhe të Maqedoni, pra komunës së Tetovës.

Në ndërkohë grupet punuese të formuara nga ana e komunës së Tetovës dhe Universitetit të Evropës Juglindore janë duke punuar në përpilimin e Planit aksionar për energji të qëndrueshme që është obligim i marrë nga komuna jonë me nënshkrimin e iniciativës evropiane Marrëveshja e kryetarëve qëllimi përfundimtar i të cilit është identifikimi i aktiviteteve konkrete që duhet të ndërmerren deri më vitin 2020 me qëllim të reduktimit të emetimit të CO2 në rajonin e Tetovës për më së paku 20%.

 

Rruajtja e mjedisit jetësor gjithsesi kërkon angazhim institucional të nivelit nacional dhe lokal sepse institucionet në të dyja nivelet kanë kuptim vetëm në qoftë se veprojnë për të mbrojtur interesin qytetar mirëpo respektimi dhe rruajtja e ambientit të pastër jetësor kërkon ngritje të vetëdijes ekologjike dhe angazhim gjithëpërfshirës qytetar. Ne do të vazhdojmë që në kuadër të kompetencave tona ligjore të veprojmë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë t’ju informojmë dhe të ndikojmë tek faktorët tjerë që gjenden jashtë kompetencave tona por me veprimin e tyre dëmtojnë dhe rrezikojnë në masë të madhe mjedisin jetësor dhe qytetarët e Pollogut. Por në këtë përpjekje sigurisht që ngritja e vetëdijes qytetare për rëndësinë e rruajtjes dhe mbrojtjes së ambientit jetësor dhe angazhimi juaj konkret  në këtë drejtim janë të rëndësisë thelbësore. Për këtë qëllim sot promovojmë linjën telefonike 0800 55 043 e cila është pa pagesë dhe web aplikacionin E-report Tetova, në të cilët qytetarët në çdo kohë mund ti paraqesin sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor dhe rrezikojnë shëndetin e tyre dhe bashkëqytetarëve të vet. Inspektorët ekologjik komunal do të reagojnë ndaj secilit rast të paraqitur dhe do ti japin informata kthyese qytetarëve për statusin e rasteve të paraqitura , mënyrën e reagimit të inspektoratit dhe sanksioneve që janë shqiptuar për personat e pandërgjegjshëm  fizik dhe juridik.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button