Afishe në Nish: “Stop shqiptarizimit” të qytetit!

Një pjesë e qytetit të Nishit është gdhirë mëngjesin e sotëm i vërshuar me afishe me porosinë “Stop shqiptarizimit të Nishit”.

Autorë të panjohur tërheqin vërejtjen për numrin e madh të shqiptarëve të cilët, sipas tyre, po vendosen me banim ne këtë qytet serb, lajmëroi agjencia Tanjug.

Në policinë e Nishit i kanë thënë agjencisë se kanë nisur shqyrtimin e rastit me afishet e shpërndara në lagjen “Crveni pevac” dhe në rrugën “Dushanova”.

Autorët anonimë, duke iu referuar të dhënave nga një medium emri i të cilit nuk jepet, thonë se nga janari deri në shtator të vitit 2010 rreth 11.000 shqiptarë janë paraqitur me banim në lagjen “Medijana” të komunës.

Afishet përkujtojnë edhe arrestimin e disa policëve po atë vit, të cilët, siç thuhet, u kanë mundësuar një numri të madh të shqiptarëve që, në bazë të dokumenteve të rrejshme të paraqesin vendqëndrime në territorin e komunës.

Autorët e panjohur përkujtojnë edhe deklaratën e paradokohshme të ministrit serb të policisë Nebojsha Stefanoviq se “më shumë se 60.000 shqiptarë kanë bërë kërkesa për marrjen e pasaportave të Serbisë”.

Gjithnjë e më shumë femra shqiptare nga Kosova i kryejnë lindjet në spitalet e Vranjes, Leskovcit dhe Nishit, thuhet më tej në tekst dhe shtohet se shqiptarët vijnë fshehurazi dhe me anë të ndërmjetësve tregtojnë patundshmëri, si dhe se “kohët e fundit janë bërë pronarë të rreth 300 njësive banesore në Nish”.

Në këtë punë, sipas autorëve, “për fat të keq, u ndihmojnë edhe disa serbë”. Në afishi kritikohen mediat shtetërore të cilët i heshtin këto të dhëna për të cilat, siç thuhet, “vlon Nishi”.

Në fund të tekstit bëhet pyetja: “A jemi të gatshëm të heshtim para pushtimit të ri” për të cilin “do të paguajnë pasardhësit”.

Lajme të ngjashme

Back to top button