Bombarduesit rusë fluturojnë mbi Britani, shqetësohet Londra

Avionët e Forcave Ajrore britanike janë vënë në lëvizje pas shfaqjes së dy bombarduesve rusë pranë brigjeve të Kornuellit.

Nga sa pohon Ministria e Mbrojtjes, avionët luftarakë rusë janë shoqëruar jashtë asaj që cilësohet në raportet mediatike si “zonë interesi” e Britanisë, edhe pse janë kujdesur të mos e shkelin hapësirën ajrore të vendit.

Incidenti erdhi pothuajse në të njëjtën kohë me paralajmërimet e sekretarit britanik të Mbrojtjes, Michael Fallon se shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, përbën një kërcënim real e gjithmonë të pranishëm për tre shtetet balltike.

“Ndërhyrjet e Putin në Letoni, Lituani dhe Estoni, por edhe gjetkë në Europë, përbëjnë arsye për të pasur shqetësim. Dy javë më parë ai dërgoi bombarduesit rusë mbi La Mansh. Na u desh t’i ngrinim shumë shpejt në ajër avionët tanë që t’i detyronim të largoheshin. Ishte hera e parë që ndodhte diçka e tillë që prej luftës së ftohtë. Kjo tregon se duhet të jemi në gatishmëri; çdo herë që ai bën veprime të tilla, duhet të jesh i gatshëm të reagosh”, deklaroi Fallon.

Për ministrin Fallon, shqetësuese është edhe vetë rritja e shpenzimeve ruse për mbrojtjen. “Janë duke modernizuar forcat e tyre konvencionale, janë duke modernizuar forcat bërthamore, jane duke testuar NATO-n dhe ne duhet të përgjigjemi. Personalisht jam shumë i shqetësuar nga trysnia e Putin mbi vendet balltike dhe nga mënyra sesi ai po e vë NATO-n nën presion me avionët dhe nëndetëset e tij”, tha Fallon.

Incidente të ngjashme me avionët rusë ka pasur edhe herë të tjera në qiejt e Britanisë dhe pjesës tjetër të Europës. Ato janë perceptuar si demonstrim force nga ana e Londrës dhe si episode të organizuara me qëllime të qarta politike, duke qenë se qeveria ruse e di fare mirë se do të raportohen e do të vënë në lëvizje shtetet e tjera të kontinentit të vjetër.
/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button