Televizionet lokale dhe rajonale në krizë

Televizionet lokale dhe rajonale në Maqedoni ballafaqohen me probleme të shumta financiare dhe kuadrovike, faktorë të cilët reflektohen në punën profesionale dhe skemën e tyre programore, e cila viteve të fundit fatkeqësisht është shumë e varfër. 

Nëse kësaj i shtojmë faktin që Qeveria me anë të reklamave të interesit publik financon vetëm disa televizione, që mbështesin pushtetin dhe faktin që edhe kompanitë private preferojnë reklamimin në mediat elektronike proqeveritare, gjendja e këtyre medieve vështirësohet.

Krizën e medieve të këtilla e thellon edhe fakti që sipas raporteve, Qeveria bën diskriminim ndaj medieve lokale sa i përket financimit të programeve dokumentare, meqë nga buxheti i shtetit financohen 50 % të programeve dokumentare të televizioneve kombëtare komerciale përkatësisht atyre që kanë licencë për transmetim teresterial apo tokësor) në mbarë territorin e Maqedonisë.

Mevaip Abdiu, është pronar i Televizionit rajonal KOHA që emeton sinjal në platformën teresteriale digjitale.Mbulon rajonin e TetovësGostivarit dhe disa vendbanime të komunës Mavrovë dhe Makedonski Brod.

Problemet kryesore të televizioneve rajonale dhe ato lokale janë të karaktereve të ndryshme. Ai theksoi se “problemi më i madh janë kushtet financiare, meqë në televizionet lokale dhe rajonale, sidomos tek ata që emetojnë program në gjuhen shqipe, shumë pak apo aspak nuk reklamohen kompanitë më profitabile në Maqedoni”.

EVN, MEPSO, ELEM, T MOBILE, ONE, VIP që janë shpenzuesit më të mëdhenj të parave për marketing anashkalojnë mediat shqiptare, kurse reklamat e tyre janë të pranishme tek të gjitha mediat që emetojnë program në gjuhën maqedonase. Parashtrohet pyetja se si ka mundësi që për shembull T- MOBILE, MAKEDONSKI TELEKOM dhe T- HOME që shumicën e klientëve e kanë shqiptarë, të mos reklamohen në mediat shqiptare apo të reklamohen vetëm në një televizion nacional shqiptar.”

“Rol negativ luajnë edhe agjencitë për distribuimin e reklamave, të cilat si duket punojnë me diktate dhe urdhra nga qarqe te ndryshme, e jo sipas parimit të shikueshmërisë dhe efektivitetit të marketingut”, u shpreh Abdiu.

Mungesa e kuadrit dhe pagesa

Sasho Mitanovski, president i pare i Shoqatës së Mediave Private në Maqedoni (SHMPM) pohoi se problemet kryesore të mediave janë të shprehura në pjesën kuadrovike dhe financiare.

Kulaçi gjithnjë e më i vogël i marketingut, ndarja e radiove dhe televizioneve në të përshtatshme dhe të papërshtatshme, rregullativa e re në fushën e të drejtave autoriale, digjitalizimi, i cili i ‘shtrydh’ mediat në aspektin financiar, por edhe shtimi i mediave të reja ose të internetit i ka nxjerrë këto media para një sfide serioze.  Këtu është edhe problemi i pronësisë së mediave të caktuara, tek të cilat ligjërisht gjithçka është e pastër, por në prapavijë kontrollohen nga disa qendra të fuqisë politike ose të biznesit”, tha Mitanovski.

Drejtori i TV FESTA në KumanovëFatlum Aqifi vlerësoi se problemet kryesore në mbarëvajtjen e punëve, sikur në televizionet  e shumta në vend, ashtu edhe në televizionin që ai drejton, janë të natyrës financiare.

Financat janë ato që diktojnë punën në shumë segmente të aktiviteteve mediatike. Kushtet e vështira ekonomike drejtpërsëdrejti po reflektohen edhe në punën tonë, sepse rrethi i marketingut ngushtohet, respektivisht numri i reklamave vazhdimisht bie. Natyrisht se ky fakt ndikon edhe në dimensionin kuadrovik dhe atë teknik”, tha Aqifi.

Reklamat selektive

Por sipas Abdiut nga TV KOHA faji nuk qëndron vetëm tek kompanitë e mëdha, por edhe tek reklamimi selektiv i institucioneve të shtetit.

Reklamat qeveritare nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë, të cilat edhe pse janë të pranishme në shumicën e mediave shqiptare në të gjitha nivelet, janë me buxhete qesharake në krahasim me buxhetet që ndajnë për mediat maqedonase”, theksoi Abdiu.

Ndërkohë Aqifi konstatoi se buxheti gjithnjë e më i cunguar drejtpërdrejt ndikon në cilësinë programore.

 “Nuk krijohen hapësira për zgjerim kuadrovik, ripërtëritje të teknikës, e cila çdo ditë e më tepër po shënon progres. Në kushte të këtilla domosdo edhe aspekti programor shënon ngecje, fakt ky më i padëshirar për konsumatorin tone respektivisht publikun. Por edhe në kushte të këtilla ndonëse me shumë mund dhe sakrifica puna vazhdon”, sqaroi Aqifi.

Edhe Abdiu mendon ngjashëm. Sipas tij buxheti është faktori kryesor që dikton cilësinë e çdo televizioni  në aspektin programor, i cili në disa televizione është qesharak.

Shumica e televizioneve lokale shqiptare nuk mund të realizojnë të ardhura më shumë se sa 15 mijë euro.  

“Me këto të ardhura nuk mund të paguhen  as harxhimet minimale. Nuk mund të blejnë filma, seriale, dokumentare dhe disa prej tyre emetojnë program pa të drejta autoriale, që dëmtojnë tregun mediatik dhe krijojnë konkurrencë joluajale. TV KOHA gjithashtu ka një buxhet të limituar, si rezultat i faktorëve të lartpërmendur por falë angazhimit të gjitha segmenteve të saj arrin që të përballet me sfidat, duke krijuar një skemë stabile programore me emisione vetanake: lajme, seriale, filma dhe dokumentare, në të cilat respektohen të gjitha të drejtat autoriale”, konsatoi Abdiu.

Cilësia:Skemë e varfër programore 

Pikërisht buxheti i vogël sipas Mitanovskit ndikon që radiot dhe televizionet lokale të kenë programe me vlera të dyshimta.

Shpesh mediat lokale e mbushin programin, shpesh me emisione që nuk janë në nivelin e nevojshëm teknik dhe estetik. Problemi është më pak i theksuar tek radiot, të cilat dalëngadalë po shndërrohen në ‘xhubokse’, të cilat emetojnë në pjesën më të madhe muzikë, me shumë pak informacione lokale dhe elemente tjera të radios”, tha Mitanovski.

Ai vëren se edhe vetë ligji i vë mediat lokale në pozitë shumë të  vështirë.

Njëra ndër kërkesat tona është që ti vihet fund reklamimit me para të shtetit. Kur dihet se jetojmë në një shtet, në të cilin qeveria është reklamuesi i dytë më i madh, vështirë se mund të pritet se një media do të mbijetojë vetë, duke iu falënderuar cilësisë së vet. Ne kemi propozim konkret se si të ndahen mjetet për mediat. Kjo formulë do ta kishte bazën tek numri i banorëve, të cilat i mbulojnë mediat”, tha Mitanovski, i cili është redaktor i Super Radios në Ohër dhe i dy portaleve tjera.

Buxhetet e televizioneve dhe menaxhimi

Shoqata e Mediave Private në Maqedoni (SHMPM) ngriti nismën që të kthehet praktika e vjetër e realizimit të projekteve me interes publik, që do financoheshin nga Agjencia e Mediave përkatësisht nga 10 përqindëshi i taksës radio-difuzive, që paguhet nga qytetarët. Sipas propozimit për projekte me interes publik mund të konkurrojnë vetëm radiot dhe televizionet lokale.

Sipas Shoqatës me këtë do tu ndihmohet medieve, që janë në krizë financiare dhe do të rritet fondi i programit cilësor në Agjenci, të cilin do ta shfrytëzonin gjeneratat e ardhshme, ndërsa do të transmetohej nga radiodifuzerët.

Ndërsa Abdiu thekson se kushtet financiare ndikojnë në aspektin kuadrovik të televizioneve.

Universitetet ‘prodhojnë’ vetëm kuadër teorik gazetaresk

Shumë kuadro edhe pse kanë mbaruar për gazetari nuk e shofin perspektivën e tyre në media, por në punësimin e tyre eventual në ndonje institucion shtetëror, që eventualisht do t’ua mundësojë partia e tyre politike e preferuar.Në fakt arsimimi i tyre në fakultete nuk është i mjaftueshëm për tu ballafaquar me sfidat e gazetarisë, shkaku i mësimit vetëm teorik dhe jo edhe mësimit praktik. Ky fenomen vlen edhe për kuadrot që kryejnë fakultete për menaxhim dhe marketing. Shumica e televizioneve lokale dhe rajonale krijojnë kuadro duke i trajnuar në vetë redaksitë e tyre nga stafi me përvoje”, tha Abdiu

Aktualisht mediat lokale detyrohen të kenë të punësuar me arsimim të lartë, gjë që paraqet ngarkesë financiare, ndërsa shteti nuk i ndihmon me asgjë, edhe pse roli i këtyre medieve në informimin e qytetarëve gjithmonë është i madh, sepse lajmet kryesisht përqendrohen në problemet reale dhe shqetësimet kryesore të qytetarëve.Sinjalet e para televizive ,mediat lokale në Maqedoni i filluan në vitin 1992./Inbox7

Lajme të ngjashme

Back to top button