Nxënësit e gjimnazit të Tetovës denoncojnë drejtorin

“Drejtori i gjimnazit të Tetovës, kërkon nga 250 denarë prej secilit nxënës, për lyerjen e klasave dhe shkollës”, kështu kanë reaguar sot përmes rrjetit social Facebook, disa nxënës të Gjimnazit të Tetovës. Ekipi i televizionit Alsat, ka qëndruar në këtë shkollë për ta konfirmuar rastin. Nxënësit konfirmuan një kërkesë të tillë, por nga frika këtë refuzuan të thonë publikisht.

“Nxënësit dhe plenumi i nxënësve të Gjimnazit të Tetovës e kanë konfirmuar një gjë të këtillë përmes telefonit, ndërsa për shkak të sigurisë së tyre apo hakmarrjes nga profesorët ata nuk kanë pranuar që të dalin para kamerave. Një gjë të tillë e ka mohuar kategorikisht edhe drejtori i Gjimnazit të Tetovës, i cili, edhe pse tentuam që ti marrim prononcim nuk pranoi të del para kamerave duke thënë se kjo nuk është e vërtetë”shkruan Alsat.

Edhe pse nga drejtori i Gjimnazit të Tetovës Namikqemal Mustafa, kjo u mohua ai megjithatë gjatë bisedës kërkoi nga Alsat që kjo “të mos bëhet e madhe”.

“Unë nuk them se nuk është e vërtetë, ata që i çojnë nxënësit, por nuk është problem. Kjo është në dorën tuaj, doni e bëni të madhe, nuk doni mund ta tejkaloni.” ka thënë ai.

I njëjti pas publikimit të këtyre shkrimeve, është ftuar në bisedë informative në komunën e Tetovës, nga vet përgjegjësi i Arsimit Ahmet Qazimi, i cili pas bisedës me drejtorin, për mediat ka deklaruar se, rasti në fjalë do të hetohet dhe do të merren masat e duhura.

Lajme të ngjashme

Back to top button