Brenda argumenteve!

Askush nuk i ka faj “Princit”, të joshur nga pushteti e të magjepsur nga teoria makiaveliste, i cili duke anashkaluar faktin se nuk është i përjetshëm, harroi këshillën që të mos iu bëj gropë të tjerëve, ngase mund të bie vetë në të! Askush nuk i ka faj të vërtetës, që fshihet për një kohë, pastaj shfaqet për të demaskuar dhe demaskon për t’i dhënë fund naivitetit!

U bë gjatë që kur në shtetin tonë shërbëtorët e zgjedhur nuk kanë turp të fyejnë bartësit e vërtetë të sovranitetit. Si pasojë këtyre të fundit nuk iu mundësohet as liri, as siguri, as barazi e as drejtësi. Jo, përderisa liria nuk nënkupton vetëm të jetosh sepse ke lindur, por edhe të thuash atë që të tjerët nuk duan ta ndëgjojnë; sepse siguria nuk identifikohet me mospasjen e frikës së shpërthimeve terroriste, por me zhdukjen e mungesës së kushteve egzistenciale; se barazia nuk mund të kufizohet me antiracizëm, por me ofrim të mundësive të njejta të gjithëve; kurse drejtësia do të mjaftonte sikur t’i lihej vullnetit të atyre që studiojnë kushtetutën e ligjet. Praktikisht veçmë ishte e qartë se pa “çelës partiak” hasim në dyer të mbyllura e pa “Pasaportë partiake” në kufij të pakalueshëm.

Andaj materialet e publikuara nuk janë aspak befasuese. Tani nuk ka rëndësi kujt i ra shorti të publikojë, por është kruciale e vërteta që publikohet. Bashkë me ngjarjet e fundit, ato sinjalizojnë edhe fundin e totalitarizmit modern, ku populli kishte të drejtën të kundërshtonte vendimet joracionale, por jo dhe të drejtën për t’u përfillur.

Ndërsa qytetari i RM-së, i cili akoma nuk mund të dëgjojë çfarë thotë e vërteta, pa dyshim duhet të ketë lindur i shurdhër, ose të jetë shurdhuar nga trumbetimi i propagandës manipuluese, që fuqishëm jehonte gjatë fushatave parazgjedhore! Kush nuk mund të sheh gjendjen që argumentet pasqyrojnë, ka mundësi i verbër të ketë lindur a të jetë verbëruar nga shkëlqimi i fishekzjarreve, gjatë festimit të fitores së pushtetit! Individi, të cilit nuk iu gjallërua ndërgjegjja, pa dyshim e ka varrosur atë bashkë me indiferencën ndaj Tamarës dhe foshnjeve të pafajshme, që nga varfëria rriten me qumësht të përzier me ujë!

Lajme të ngjashme

Back to top button