Më 16 prill vendimi për Serbi – Shqipëri

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv do të vendosë në mesin e prillit për fatin e ndeshjes Serbi-Shqipëri.
16 prilli 2015, kjo do të jetë data në të cilën Shqipëria do të marrë përgjigjen përfundimtare dhe më të rëndësishmen për ndeshjen e 14 tetorit të vitit të kaluar në Beograd.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv do të vendosë në mesin e prillit nëse do të ndryshojë apo jo renditja e Grupit I, dhe kuqezinjtë do të marrin ose jo atë që kishin pretenduar që atë mbrëmje në “Beograd” tre pikët, raporton SuperSport.

Pavarësisht përpjekjeve të juristëve shqiptarë për të afruar datën e vendimit nga ana e KAS, ky i fundit vendosi të mblidhet më 16 prill. Më 8 janar, KAS njoftoi se Shqipëria dhe Serbia kishin paraqitur zyrtarisht ankimimin e tyre për vendimit e Komisionit të Disiplinës dhe atij të Apelit të UAFA-s, duke kërkuar anulimin e vendimit të qeverisë së futbollit europian.

Pavarësisht se tifozët serbë mësynë fushën dhe futbollistët e kombëtares u goditën në fushë nga ana e tyre, UEFA vendosi në favor të Serbisë duke i dhënë ndeshjen 3-0 në tavolinë Serbisë e duke e penalizuar më pas këtë të fundit me heqjen e 3 pikëve për dhunën e ushtruar nga tifozët e saj. FSHF gjithashtu u ndëshkua dhe me 100 mijë Euro gjobë.

Ndërkohë që qeveria e futbollit kontinental nuk mori në konsideratë koret me karakter racist dhe as dhunën e ushtruar ndaj kuqezinjve duke penalizuar Shqipërinë për mosrikthimin në fushën e lojës. Gjithsesi me 16 prill do të mësohet përfundimisht nëse do të ketë drejtësi për kuqezinjtë!

Lajme të ngjashme

Back to top button