Sa “Tamara” presin mëshirë nga komisionet e FSSh-së?

Vdekja e Tamara Dimovska nga Velesi, e cila e tronditi të gjithë vendin, hapi shumë pyetje për të gjitha ata që kërkojnë ndihmë për shërim te Fondi i Sigurimit Shëndetësor (FSSh). Sa njerëz ka në listën e FSSh-së që presin ndihmë nga jashtë? A mund të përshpejtohet në ndonjë mënyrë procedura dhe të anashkalohen situatat si kjo me Tamarën? A do të mbajë dikush përgjegjësi për jetën e vogëlushes së vdekur? Për fat të keq edhe pas dy ditësh, nga FSSh-ja për këto pyetje nuk morëm përgjigje.

Por, sipas të dhënave që janë në dispozicion nga raportet e tyre vjetore, mund të shihet se në vitin 2013 (raporti i fundit) para për t’u mjekuar nga FSSh-ja kanë kërkuar 277 persona, kurse përgjigje pozitive kanë marrë 148 qytetarë, 17 qytetarëve u janë miratuar dhe njohur mjetet shtesë për mjekim jashtë shtetit. Kurse 129 qytetarë janë refuzuar. Në raport shkruhet se të siguruarit kërkesat e të cilëve për mjekim jashtë shtetit janë refuzuar nga komisioni për shkak se nuk janë përdorur të gjitha mundësitë për mjekim në institucionet shëndetësore në Maqedoni ose sepse nuk ekzistojnë mundësi për mjekim me sukses të sëmundjes jashtë shtetit, kanë mundësi të dorëzojnë ankesë në Këshillin Drejtues të FSSh-së.

Fëmijë, tinejxherë, qytetarë më të moshuar dhe më të rinj, 29 gjithsej, në faqen “donacii.mk” kërkojnë nga bashkëqytetarët t’i ndihmojnë në luftën për jetën. Mund të gjenden kërkesa për ndihmë për operim të syve, tumoreve, shtyllës kurrizore, paralizës cerebrale dhe lëndime të tjera të marrë në aksidente automobilistike. Disa prej këtyre qytetarëve, Fondi i Mbrojtjes Shëndetësore i ka refuzuar t’i ndihmojë të shkojnë në operacion jashtë, prandaj tani shpresë shohin tek humanizmi i bashkëqytetarëve. Të tjerë, përsëri, nuk janë përpjekur të kërkojnë ndihmë.

Rrëfimin për Jocen e dimë të gjithë, pothuajse disa vjet është shkruar nëpër media, kurse po kaq vjet ka hapur edhe llogari bankare, telefona për donacione dhe ka vendosur kuti për donacione nëpër kafene. I ngjashëm është ai i Margës, e cila është me paralizë cerebrale.

Në faqen ku mund të gjenden disa dhjetëra apele për ndihmë, ka edhe apele për vogëlushë që janë vetëm disa vjeç, kurse nuk e dinë si do të përfundojë jeta.

As drejtorët e FSSh-së, as dhe ministri i shëndetësisë, Nikolla Todorov, nuk ndiejnë përgjegjësi për vdekjen e Tamarës së vogël dhe nuk kanë ndër mend të mbajnë përgjegjësi për këtë rast tragjik.

– Ndiej dëshpërim, por duhet të shpjegoj se nuk jam unë ai që e ka stërzgjatur. Kur dëgjova për këtë rast, i cili më ka prekur me të vërtetë shumë, e thirra drejtoreshën e Fondit dhe ajo e mori përsipër dhe mjetet u gjendën. Është thirrur një nga kirurgët më të mëdhenj për kirurgjinë spinale nga Turqia, i cili tha se operacionin nuk mund kryhet në Maqedoni dhe propozoi ta kryejë një ekip ekspertësh nga spitale të ndryshme në Turqi. Data duhej të përcaktohej këto ditë, por për fat të keq ajo nuk duroi dot. Mendoj se bëra gjithçka që kisha në fuqinë time, madje edhe më shumë se kaq, por është e dukshme se kjo nuk mjaftoi. Më vjen keq për këtë ngjarje të dhimbshme – deklaroi dje Todorovi, pa përmendur dorëheqje, edhe pse atë e kërkuan 10 000 qytetarë në rrjetin social “Fejsbuk”.

Me lajmërim për publikun doli dhe Prokuroria Publike e Shkupit, ku u tha se tashmë është emëruar prokuror publik i cili do ta hetojë rastin e Tamarës.

Në rrjetin social është formuar edhe faqe “Dorëheqje e Nikolla Todorov” e cila ka marrë mbështetje të madhe nga qytetarët. Të njëjtën ditë kur ndërroi jetë Tamara, u shfaqën statuse dhe thirrje për donacione me tekst “Të  mos lejojmë të përsëritet Tamara”. Kishte status edhe të një vajze nga Strumica e cila në faqen e vet në “Fejsbuk” ka shkruar: “Tri fëmijë vetëm në një qytet apo vetëm kaq dimë. Për të gjithë ata shteti deri më sot nuk ka dhënë miratim, prandaj mbledhim para nga donacionet, koncertet, shtëpi më shtëpi. Nëse ju bërtitet, bërtisni më shumë, sepse në familjet e tyre, në qetësi po bërtitet” është shkruar nën emrat dhe të dhënat për fëmijët të cilët kanë nevojë për ndihmë.

Rast i Tamarës ka  pasur numrin më të madh në tuiter  në Maqedoni. Deri më tani me ”# Tamara” ka 818 tuiter.

Deri më tani asnjë deputet nuk ka ngritur iniciativë që të propozojë ligj me të cilin do të zvogëloheshin këto procedura, edhe pse të gjithë janë të vetëdijshëm se për shkak të burokracisë, shumë njerëz që kanë nevojë për ndihmë nuk e kanë marrë atë. Në evenimentin e djeshëm për promovim të “Logopedit të disperzuar” edhe ministri i shëndetësisë tha se, ndoshta, afatet për takim të komisioneve janë shumë të gjata, kurse nuk duhet të jenë të tillë kur bëhet fjalë për fëmijët.

Lajme të ngjashme

Back to top button