Disa komuna nuk publikojnë të dhëna, Gostivari komunë më transparente

Rezultati nga monitorimi kuartal i transparencave buxhetore të komunave, projekt ky i realizuar nga disa organizata joqeveritare dhe i përkrahur financiarisht nga Unioni Evropian, tregon se Komuna e Gostivarit është komuna më transparente në Maqedoni, e cila në kohë në ueb faqen e saj e publikon situatën buxhetore.

Në raport tregohet se janë publikuar të gjitha të hyrat, sa dhe për çfarë komuna i ka harxhuar mjetet, por edhe sa është borxhi momental. Komuna e Gostivarit në vazhdimësi bën përpjekje që të jetë sa më afër qytetarëve të saj. Transparenca financiare përveç si detyrim ligjor për ne është edhe çështje parimore dhe e çmojmë vlerësimin e dhënë si konfirmim i punës tonë në përputhje me normat ligjore dhe parimore. Shërbimi për Informim i komunës së Gostivarit është njëri nga shërbimet më aktive në vend. Qytetarët e Gostivarit por edhe mediat gjatë gjithë kohës janë të informuar për aktivitet që zhvillohen në këtë komunë.

Në raport nënvizohet se mbi dhjetë komuna në vend, aspak nuk kanë ueb faqe, ndërkaq ata të cilat kanë gjatë kohë nuk i kanë të azhurnuara. Transparenca në ndarjen dhe harxhimin e mjeteve publike në mënyrë të konsiderueshme kontribuon në zvogëlimin e keqpërdorimeve dhe korrupsionit, është qëllimi i projektit që realizohet nga organizatat joqeveritare “SEA”, dhe “Forum”, respektivisht koalicioni i quajtur për monitorim të buxheteve. Projekti financohet nga Unioni Evropian.

Me këtë projekt, synohet që të rritet transparenca dhe të lehtësohet qasja e qytetarëve te informatat financiare të komunave.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button