Admir Tafili nga qelia: S’kam urdhëruar vrasje

Nuk kam urdhëruar vrasje. Nëse do të jepja urdhra nga burgu, do i jepja për hasmit e mi. Me këtë çështje që më përfshijnë, nuk kam asnjë lidhje. Admir Tafili, i dënuar me burgim të përjetshëm, i cili dyshohet se urdhëronte vrasje nga burgu i sigurisë së lartë Peqin, ku ndodhet i izoluar, vendos të flasë për GSH, e të sqarojë pozicionin e tij.

Gjatë një bisede telefonike me GSH, Tafili shpjegon njohjet me dy të dyshuarit për vrasje me pagesë, Kristi P. e Alfred Q., të cilët ndodhen prapa hekurave, të dyshuar si vrasës me pagesë dhe pjesë të një grupi të strukturuar kriminal.
“Kristin dhe Alfredin i njoh nga burgu. Kemi qenë në një sektor. Kaq njohje kam me këta dy persona”, thekson Tafili.

Ai nuk pranon të japë shpjegime të mëtejshme, por këmbëngul se emri i tij, përmendet me të padrejtë. Por, ndërsa i dënuari me burgim të përjetshëm mohon përfshirjen, një grup hetuesish nga Prokuroria për Krime të Rënda do të zbarkojë në burg, për të marrë dëshminë e Tafilit.

Sipas hetuesve, ka dyshime të forta, që Tafili të jetë urdhëruesi direkt i krimeve të rënda. Nga hetimet rezulton se grupi që urdhëronte vrasjet, është shumë i fuqishëm dhe i janë cenuar interesa të mëdha, e me shumë gjasë, Tafili mund të jetë përdorur si urë lidhëse.

Lidhja mes të dyshuarve Alfred Q. dhe Admir Tafili, kanë njohje të hershme me njëri-tjetrin. Ai është një prej personave që ndihmoi Tafilin dhe gjashtë të dënuar të tjerë të arratisen më 23 nëntor 2013 nga burgu i sigurisë së lartë Drenovë, ndonëse orët e tyre në liri nuk zgjatën shumë, pasi të gjithë u arrestuan brenda pak ditësh. Nga hetimet rezulton se Alfredi është njohur në burg me Tafilin, pasi në vitin 2010, ai është vënë në pranga si i dyshuar për trafik narkotikësh. Pasi kreu dënimin, ai rifitoi lirinë dhe më 23 nëntor 2013, u etiketua si personi që hodhi lëndë shpërthyese para burgut të Drenovës. Edhe të dyshuarin tjetër si vrasës me pagesë, Kristi P., i dënuari Admir Tafili e ka njohur në burg, pasi ai më herët ka qenë i dënuar dhe kanë qëndruar të dy në të njëjtin sektor./GSH/

Lajme të ngjashme

Back to top button