Fillon sinjalizimi i disa rrugëve të Komunës së Çairit

­ Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti dje në hapësirat e komunës ka mbajtur takim me ndihmës udhëheqësin e Sektorit për komunikacion në Qytetin e Shkupit, këshilltarin në Qytetin e Shkupit, Qemajl Musliu, me drejtorin e Sh.F. “Ismail Qemajli” Kadri Agushi, përfaqësues të Këshillit të prindërve nga po e njëjta shkollë, përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe me përfaqësues nga Komuna e Çairit.

Temë e këtij takimi, siç thuhet në kumtesën e Komunës së Çairit ka qenë sinjalizimi i rrugëve të Komunës së Çairit në përgjithësi, me qëllim të unifikimit të qëndrimeve lidhur me rrugët të cilat kanë mungesë të sinjalizimit, me theks të veçantë problematika e paraqitur lidhur me sigurimin e nxënësve në Sh.F. “Ismail Qemajli” nga mungesa e sinjalizimit horizontal dhe atij vertikal. Në takim, siç theksohet në kumtesë është arritur përcaktimi i pikave më të rrezikshme në të cilat duhet intervenuar me urgjencë, ndër të cilat janë rr. “Brigada e Dytë Maqedonase”, rr. “Ferid Murati” dhe rr. “Metodija Mitevski”.

Gjithashtu gjatë shpalosjes së ideve, sygjerimeve dhe propozimeve nga të pranishmit u vendos që procedura për instalimin e shenjave të komunikacionit nëpër këto pika kritike të startojë sot, në pajtim me rregullat e sigurisë dhe të komunikacionit rrugor, me hartimin e detyrës projektuese, dorëzimin e propozimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe marrjen e lejes për instalimin e sinjalizimit. Realizimi i këtij projekti pritet të përfundojë në afat prej 45 ditëve. m

Lajme të ngjashme

Back to top button