KY “KAPAKU I TENXHERES”

Një studiues turk,që për momentin nuk me kujtohet emri ,në një nga librat e tij shpjegon “teorinë e kapakut të tenxheres”,ku perandorinë otomane  e paraqet si një tenxhere ku në të ziejnë përbërës te ndryshëm,por që mbaheshin te shtypur nga një kapak i madh,por në një moment ,ky kapak nuk do t’ia dalë që të përballojë presionin e vlimit dhe do të shpërthejë dhe do të nxjerrë në pah te gjitha çka fshihej nën të.

E tillë është edhe shoqëria jonë ne këtë shtet. Një kazan,por që përbrenda ngërthen qytetarë të shtypur që vlojnë  e që janë nën një presion të një kapaku të rëndë. Nën petkun e një shoqërie spektakli, ku jeta rrjedh vaj, fshihet jeta e egër ,e realitetit të vjedhur të qytetarëve të varfër që po i ndjejnë në lëkurë të vet pasojat.Të mbetur pa para, pa shpresë tek arsimi ose fare pa mundësi financiare për ta ndjekur atë, me një kulturë të përçudnuar, me varfërinë që shpon deri në koc, me industri të kolapsuar dhe tejet ndotëse

Kështu kur realiteti është larg ëndrrës, duhet që ëndrrën ta bëjmë realitet. Ndonëse politikanët na e kanë marrë vendin e punës, pagën, mirëqenien, kulturën, universitetin, fabrikën, fermën e madje edhe ajrin, assesi nuk mund të na marrin ëndrrën – ëndrrën për një jetë më të mirë – jo në “banhofet” e Evropës, por këtu dhe pikërisht këtu miq dhe mikesha! Lorenci i Arabisë thotë, në memoaret e tij se “të gjithë njerëzit ëndërrojnë, por jo të gjithë njësoj. Ata që ëndërrojnë në skutat e errëta të natës, gjatë ditës e kuptojnë se e tëra na ishte e kotë. Por ëndërrimtarët e ditës janë të rrezikshëm, pasi ëndrrat e tyre i shohin me sy hapur dhe i kthejnë në realitet.”

 

Ikja në Evropë, si edhe shpresa te partitë politike të këtij sistemi të kalbur janë ëndrra nate miq dhe mikesha, që dita nuk i vërteton asnjëherë. Sot ëndërr e ditës që duhet realizuar vërtet është ëndrra për një shoqëri të re me barazi ekonomike, drejtësi shoqërore, liri politike dhe mediatike mes të gjithë njerëzve dhe për gjithsecilin. Sot populli i frikësohet qeverisë. Nesër qeveria do t’ia ketë frikën popullit. Edhe pse në dukje, një herë për njëherë na ka mpirë kjo letargjii e thellë. Por në një ditë të afërt, të shtypurit do të zgjohen nga kjo përgjumje e rëndë dhe me besim në fitore do të rrëzojnë gjithë “kapakët e tenxheret” që na kanë mbajtur të shtypur gjer më sot.

 

“Megjithatë unë ia kam frikën kësaj pritje të popullit. Popujt s’presin kurrë kot, siç pret njeriu ëndërrimtar tek pragu i portës. Kur një popull pret diçka, kjo do të thotë se në thellësi të tij ai e pjek atë që pret.”

Kapaku, sado i rëndë qoftë, nuk do t’i rezistojë shumë gjatë vlimit dhe shpërthimit është i paevitueshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button