Maqedonia në fazë të taktizimeve të rrezikshme

Eurokomisari për politikë fqinjësore dhe negociata për zgjerim Johanes Han, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Shkup, theksoi se të gjithë liderët politik duhet të bashkëpunojnë me vullnet të mirë për tejkalimin e situatës aktuale, e cila nuk shkon në dobi të përpjekjeve për zbatimin e reformave në vend dhe të angazhohen për dialog konstruktiv në Parlament me fokus në prioritetet strategjike të vendit dhe të qytetarëve të saj.

Analistët vlerësojnë se kemi një fazë të taktizimeve të rrezikshme, gjë që nuk lë shumë hapësirë për përmbushjen e këtij rekomandimi të komisionerit të BE-së Johanes Han.

Analisti Xhelal Neziri thekson se dalja nga kjo krizë nënkupton një dialog të sinqertë midis aktorëve relevant politik, i cili do të përmbyllej me një marrëveshje konkrete që do të garantonte zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Secili e ka të qartë se dalja nga kjo krizë nënkupton një dialog të sinqertë midis aktorëve relevant politik, i cili do të përmbyllej me një marrëveshje konkrete që do të garantonte zgjedhje të lira dhe demokratike dhe ndarjen e partive të pushtetit nga institucionet e shtetit. Tani kemi një fazë të taktizimeve të rrezikshme, gjë që nuk lë shumë hapësirë për përmbushjen e këtij rekomandimi të komisionerit të BE-së Johanes Han”, tha për Portalb, Neziri.

Ai shtoi se në periudhën që vjen duhet një përfshirje më serioze të Brukselit dhe Uashingtonit zyrtar në zgjidhjen e kësaj krize shtetërore në Maqedoni.

“Përshkallëzimi i situatës në periudhën që vjen do të imponojë një përfshirje më serioze të Brukselit dhe Uashingtonit zyrtar në zgjidhjen e kësaj krize shtetërore në Maqedoni. Poashtu, Han u bëri thirrje aktorëve politik që të mos tentojnë të kufizojnë lirinë e mediave dhe të shprehjeve në raport me publikimin e aferave korruptive. Ky është një moment i ri pasi paraqet një kristalizim të qëndrimit të BE-së në raport me “bombat” që është duke i shpalosur lideri i opozitës Zoran Zaev. Measzhi i tij mund të kuptohet si një përkrahje ndaj mediave për t’i publikuar ato skandale dhe njëkohësisht një inkurajim të prokurorisë, gjykatave dhe policisë që të veprojnë konform ligjeve dhe kushtetutës së vendit, e jo në bazë të instruksioneve partiake”, shtoi Neziri.

Analisti Mersel Bilalli thotë se vazhdimësia e gjendjes do të çoj drejtë destabilizimit.

“Besoj se Brukseli në koordinim me Uashingtonin do të hartojnë një agjendë duke definuar qëllimet që duhet të arrihen që vendi i cili tani 10 vite endet pa kompas duke harxhuar rezervat dhe duke u plaçkitur njësoj sikur hebrenjtë dhe Mojsie që 40 vite u patën endur nëpër shkretëtirë – të mund ta gjejnë rrugën e humbur. Mendoj se vazhdimësia e gjendjes do të çoj drejtë destabilizimit” , tha për Portalb, Bilalli.

Ai shtoi se Han nga vet fakti që një parti e vizitoj në seli kurse premierin e thirri në përfaqësinë e UE, ky është një mesazh shumë i qartë se në ç’drejtim do të fryn era perëndimore.

“Vetëm zgjidhja e situatës përmes një qeverie të ekspertëve do të mund ta eliminon rrezikun e destabilizimit. Han nga vet fakti që një parti e vizitoj në seli kurse premierin e thirri në përfaqësinë e UE, ky është një mesazh shumë i qartë se në ç’drejtim do të fryn era perëndimore. Duhet potencuar se nuk duhet me insistuar në qeveri teknike e cila nuk mund të ketë kapacitet, e as në qeveri të zgjeruar për shkak të polarizimit të thelle, por vetëm qeveri ekspertësh apo teokratësh të menaxhuar nga jashtë”, shtoi Bilalli.

Lajme të ngjashme

Back to top button