Greqia ‘kërcënon’ me TAP-in, kërkon më shumë përfitime

Mosmarrëveshjet për kursin e politikave ekonomike mund të mos jenë shqetësimi i vetëm i Bashkimit Europian në lidhje me Greqinë. Veç përplasjeve mbi borxhin, qeveria e re greke po kërkon të ringeciojë edhe kushtet e marrëveshjes së gazsjellësit Trans-Adriatik për të rritur përfitimet e Athinës nga projekti.

Edhe pse ka delaruar se qeveria greke e mbështet ndërtimin e gazsjellësit Trans-Adriatik, Ministri i Energjetikës Panajotis Lafazanis deklaroi se Greqia do të kërkojë ndryshimin e marrëveshjes në tre pika. Së pari që shteti grek të ketë aksione në projekt, së dyti çmimet e negociuara të gazit për konsumatorët të ulen dhe pika e tretë është ajo e tarifave që Greqia kërkon për kalimin e projektit në territorin e saj.

Lëvizjet e Athinës duket se kanë shqetësuar jo pak aksionerët e gazsjellësit i cili kalon përmes Shqipërisë. Kompania shtetërore e gazit në Azerbajxhan, një nga aksionerët kryesorë në projekt, deklaroi se do ishte e gatshme t’i shiste qeverisë greke aksione, por  ka refuzuar dy kërkesat e tjera, atë të uljes së çmimeve për gazin dhe pagesën e tarifave të kalimit për llogari të qeverisë greke.

Në një interevistë për mediat azere, zv.Presidenti i kësaj kompanie, Elshad Nasirov deklaroi se ulja e çmimeve që tashmë janë negociuar është një kërkesë që bie ndesh me praktikat ndërkombëtare, ndërsa për sa i përket tarifave që qeveria greke kërkon për kalimin e tubacionit në territorin e saj, Nasirov tha se këtë çështje Athina duhet ta diskutojë me Bashkimit Europian.

Disa media komentojnë se kursi i ri i Athinës mund të cënojë sigurinë energjetike në Europë, pasi gazsjellësi Trans-Adriatik mbështetet fort nga BE për të ulur varësinë e saj nga Rusia. Disa analistë mendojnë se Greqia po e përdor projektin për të marrë lehtësira në bisedimet me Bashkimin Europian për borxhin.

Ministria e Energjisë: Nuk rrezikohet projekti

Ekspertët e Ministrisë së Energjisë shqiptare thonë se përplasjet e qeverisë greke me aksionerët e gazsjellësit Trans-Adritiatik nuk e rrezikojnë ndërtimin e tij.

“Projekti është në fazën e avancuar, në marrjen e lejeve në Greqi. Duhet të kemi parasysh që aksionere janë kompanitë më të mëdha në botë, si Socar, Total, BP dhe Fluxys pra nuk mendoj që do të ketë një rrezikim i projektit, duke patur edhe përfitimin maksimal që ka Greqia në këtë projekt”, thotë Dritan Spahiu, Drejtor i Hidrokarbureve në Ministrinë e Energjitikës dhe Industrisë.

Madje sipas Spahiut nëse qeveria greke do të arrijë të ringeciojë marrëveshjen me aksionerët e TAP për të marrë përfitime shtesë, ky do ishte një lajm i mirë edhe për Shqipërinë.

“Marrëveshja që ka qeveria shqiptare me TAP është e tillë që nëse shteti grek do të marrë një të ardhur më të madhe se sa do të merrte në kushte normale, shteti shqiptar duhet të kompensohet me të njëjtën vlerë. Pra nëse do të ndryshojë marrëveshja me Greqinë, automatikisht kjo do të kërkojë ndryshimin e marrëveshjes edhe me Shqipërinë”, thotë ai.

Projekti i gazsjellësit, që gëzon mbështetjen e fortë të Bashkimit Europian, ndodhet në një fazë të avancuar. Ndërtimi i plotë i tij pritet të përfundojë në vitin 2020. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button