Ukrainë, trupat qeveritarë tërhiqen nga Debaltseve, humbja e radhës?

Forcat qeveritare ukrainase janë tërhequr thuajse të gjithë nga qyteti i rrethuar në lindje të vendit, gjatë së mërkurës, pas një sulmi tepër të ashpër nga separatistët prorusë që Kievi dhe Europa thonë se shkeli një armëpushim të rrënuar tashmë.

Presidenti Petro Poroshenko tha se më shumë se 80 përqind e trupave ukrainase janë larguar nga kryqëzimi rrugor dhe hekurudhor i Debalteve, pas bombardimeve të rënda dhe luftimeve në rrugë, të cilat sipas tij treguan “fytyrën e vërtetë të banditëve dhe separatistëve, që po mbështeten nga Rusia”.

Rebelët thonë se armëpushimi i negociuar nga Ukraina, Rusia, Gjermania dhe Franca në samitin e Bjellorusisë gjatë javës së kaluar nuk po aplikohet në Debaltseve, një nyje lidhëse mes rajoneve lindore të Ukrainës të kontrolluara prej rebelëve, Donjeck dhe Luhansk.

Poroshenko dhe Perëndimi kanë bërë të ditur se sulmi është përforcuar nga tanket ruse, artileria e rëndë e tyre dhe ushtarë rusë, edhe pse Moska mohon të ketë çuar forca për t’iu bashkuar betejës për një rajon që Presidenti Putin e quan si “Rusia e Re”.

“Veprimet e separatistëve prorusë në Debaltseve shënojnë një shkelje të pastër të armëpushimit”, tha shefja për Politikën e Jashtme e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, nga Brukseli, duke përshkallëzuar kështu kritikat e Perëndimit ndaj ofensivës së rebelëve në Debaltseve.

“BE qëndron e gatshme për të ndërmarrë hapat e nevojshme në rast se luftimet dhe zhvillime të tjera negative do të vazhdojnë të shkelin marrëveshjen e Minskut”, tha ajo, duke bërë një “kërcënim” për të tjera sanksione ekonomike ndaj Moskës.

Kanadaja vendosi sanksione ndaj Rusisë për shkak të sjelljes së saj me Ukrainën, gjatë së martës, një lëvizje që Moska e konsideroi si nxitëse të tensioneve në Ukrainë dhe penguese për implementimin e armëpushimit.

Edhe pse ka pasur shumë pak shpresë, në momentin kur marrëveshja u nënshkrua të enjten e kaluar në Minsk të Bjellorusisë mes rebelëve, Ukrainës, Rusisë dhe mbikëqyrësve të OSBE-së, se ajo do të mund të zgjaste për shumë kohë, ka qenë po kaq surprizuese edhe shkelja kaq e shpejtë e saj.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu shqetësim të thellë në lidhje me përkeqësimin e situatës brenda dhe përreth Debaltseve, duke thënë se “refuzimi i separatistëve për të respektuar armëpushimin kërcënon marrëveshjen e arritur”.

Sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond tha se Europa duhet minimalisht të zgjerojë sanksionet e saj kundër Moskës, nëse armëpushimi do të shkelet plotësisht. Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se marrëveshja e Minskut është shkelur tashmë, e megjithatë ka ende mundësi të përpiqemi ta implementojmë atë.

Nga ana tjetër, Putin nuk shfaqi asnjë shenjë tërheqjeje për situatën në Ukrainë gjatë mbrëmjes së të martës, kur ai urdhëroi udhëheqësit pro-perëndimorë të Kievit të lejonin ushtarët e tyre të rrethuar të dorëzoheshin, në mënyrë që të shmangnin gjakderdhje të mëtejshme. Vetëm pak orë më pas, tërheqja e ukrainasve nisi të konkretizohej.

Për Poroshenkon, tërheqja mund të ketë shpëtuar jetët e mijëra ushtarëve ukrainas, të cilët ishin të rrethuar në një qytet nga një “ushtri” më të pajisur me armatime. Por, një tjetër humbje ushtarake që mund të vijë teksa Ukraina i afrohet përvjetorit të parë të rrëzimit të presidentit të mbështetur nga Moska, Viktor Yanukovich, mund të jetë e vështirë për t’u kapërdirë nga një popullsi e lodhur nga konflikti i gjatë dhe mund të dëmtojë figurën e Poroshenkos. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button