Inaugurohet mësonjëtorja e rinovuar në shkollën periferike të fshatit Zdunjë

Drejtuesit e komunës së Gostivarit me në krye kryetarin e komunës, z.Nevzat Bejta kanë vijuar me investimet dhe promovimet e punëve të kryera në shkollat fillore dhe të mesme publike në territorin e Komunës së Gostivarit. Ka qenë shkolla periferike “Mustafa Kemal Ataturk”, në fshatin Zdunjë, promovimi i radhës për investimet e kryera në institucionet arsimore. Në këtë shkollë, me mbështetje financiare të komunës është bërë rregullimi i hapësirave shtesë të kësaj shkolle.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, z.Nevzat Bejta bëri me dije se komuna e Gostivarit ndau mbi 15 mijë euro për adaptimin e kësaj hapësire, duke mundësuar që edhe nxënësit e kësaj mësonjëtorje të kenë kushte të njëjta me nxënësit e tjerë.

“Ndodhemi në shkollën periferike “Mustafa Kemal Ataturk”, të fshatit Zdunjë. Ne e dimë se në çfarë gjendje ishte kjo shkollë para se të vijmë në krye të komunës, hapësirat ishin krejtësisht të demoluara dhe që nuk mund të qëndronte qenie e gjallë e lëre më nxënësit. Pasi bëmë rregullimin e oborrit dhe fushës së sportit, ne u premtuam banorëve, mësimdhënësve dhe drejtorit të shkollës, se do të bëjmë rregullimin e klasës që edhe nxënësit që mësonin këtu, të mund t’i kenë kushtet e njëjta me nxënësit e tjerë. Ky investim komunës i ka kushtuar mbi 15 mijë euro, dhe tani lirisht mund të themi se kjo shkollë është e kompletuar, ashtu siç janë të gjitha shkollat në nivel të komunës së Gostivarit. Ne i kushtojmë rëndësi të veçantë arsimit në Komunën e Gostivarit, dhe në të gjitha shkollat publike kemi krijuar kushte të mira, duke u nisur nga shkaku se ardhmëria e shoqërisë janë pikërisht fëmijët tanë”, tha mes tjerash kryetari i Komunës së Gostivarit, z.Nevzat Bejta.
Përgjegjësi i shkollës. z Oktaj Nuredin, shprehu falënderime për drejtuesit e komunës së Gostivarit, për vëmendjen e përkushtuar në rregullimin e shkollës së fshatit Zdunjë. Parparakisht, tha ai, me mbështetje të kryetarit të komunës, u bë e mundur edhe rregullimi i oborrit dhe fushës sportive të shkollës.

“Në emër të banorëve të fshatit Zdunjë shprehim falënderime për kryetarin e komunës. Kështu kushte nuk kemi pasur deri më tash. Ka pasur premtime edhe më herët, por nuk ka pasur investime. Për këtë vit, janë shumë 50 mijë euro investime që u kryen në shkollën tonë. Kemi oborri të rregulluar, fushë sporti dhe tani edhe një mjedis të ri shkollor”, u shpreh përgjegjësi i shkollës. z Oktaj Nuredin.

Konkretisht, është bërë rregullimi i pullazit, rregullimi i fasadës nga jashtë, si dhe lyerja e klasës nga brenda. Është bërë instalimi i ri i rrjetit të energjisë elektrike, shtruarja e objektit me llaminat, si dhe furnizimi me banka të reja shkollore.

Duhet theksuar se në shkollën periferike “Mustafa Kemal Ataturk”, në fshatin Zdunjë, vitin e kaluar, komuna e Gostivarit investoi në ndërtimin e fushës sportive si dhe rregullimin dhe rrethimin e oborrit të shkollës. Investimi për rregullimin e dy terreneve sportive ka kushtuar 2 milion e 200 mijë denarë ose 36 mijë euro. Gjithashtu është asfaltuar edhe hyra e shkollës prej te rruga kryesore me sipërfaqe 210 metra katror dhe është bërë rregullimi i oborrit me pllaka bekatoni me sipërfaqe 320 metra katror.

Në këtë shkollës mësimin e ndjekin mbi 80 fëmijë në gjithsej 11 paralele.

Lajme të ngjashme

Back to top button