BE e shqetësuar për gjendjen në Maqedoni, Han kërkon kthimin e dialogut në parlament

Të gjithë liderët politikë të bashkëpunojnë në vullnet të mirë për tejkalimin e situatës aktuale, e cila nuk shkon në dobi të përpjekjeve për zbatimin e reformave në vend dhe të angazhohen për dialog konstruktiv në Parlament me fokus në prioritetet strategjike të vendit dhe të qytetarëve të saj.

Kjo theksohet në deklaratën me shkrim të euro komisarit për politikë fqinjësore dhe negociata për zgjerim Johanes Han të publikuar sot një ditë pas vizitës së tij të parë zyrtare në Shkup, në kuadër të së cilës kishte takime me presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov, me kryeministrin Nikolla Gruevski, me shefin e diplomacisë Nikolla Poposki, si dhe me liderin e LSDM­së Zoran Zaev, në të cilat, siç theksohet, e ka shprehur shqetësimin serioz të Bashkimit Evropian për situatën momentale politike në vend.

Euro komisari Han në Shkup u takua edhe me liderin e BDI­së, Ali Ahmeti dhe me përfaqësues të shoqërisë civile, qëndron në kumtesë. “Sundimi i drejtësisë, të drejtat themelore të njeriut dhe liria e mediave janë në thelbin e procesit të inkuadrimit drejt Bashkimit Evropian dhe për ta nuk ka diskutim”, ka theksuar Han dhe në këtë kontekst ka shprehur gjithashtu shqetësim të thellë në lidhje me raportet për përgjim të mijëra qytetarëve dhe ka bërë thirrje që kjo të hulumtohet rrënjësisht. Me këtë rast, ai ka kërkuar që veprimet hulumtuese të zbatohen me respektim të plotë të parimeve të mos anshmërisë, prezumpimit të pafajësisë, transparencës, ndarjes së pushtetit dhe pavarësisë gjyqësore. Njëherit, siç theksohet Han ka shprehur mbështetje për mediat që të raportojnë lirisht për çështjet që janë me interes publik.

Në bisedimet, me zëvendëskryeministrin të angazhuar për çështje evropiane, Fatmir Besimi, diskutimi ka qenë i përqendruar në reformat kyçe duke përfshirë edhe ato që janë theksuar si prirotare në dialogun inkuadrues të nivelit të lartë, ndërsa është bërë fjalë edhe për ndihmën e deritanishme dhe të ardhshme nga BE­ja në këtë plan. Komisioni Evropian është në kontakt me autoritetet sa i përket pasojave nga përmbytjet, vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, si dhe nevojat dhe mundësitë për mbështetje nga ana e Bashkimit Evropian, thuhet në kumtesën e shërbimit të KE­-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button