Brodeci, Monstra dhe Harun Aliu rënkojnë për drejtësi, ndërkombëtarët të ndihmojnë

Aferat korruptive dhe ndikimet në proceset gjyqësore nuk janë një gjë e panjohur për qytetarët e Maqedonisë. Analistët mendojnë se opusi i gjerë i përgjimeve të prezantuara nga LSDM fsheh edhe realitetin që prek më shumë shqiptarët dhe që ka të bëjë me aferat e likuidimeve dhe burgosjeve.

Ata mendojnë se kjo është një çështje shumë delikate që përveç kurajës së liderit të LSDM-së, Zoran Zaev do të kërkojë edhe impenjimin më të madh të faktorit ndërkombëtarë. Çështja që shtrohet është nëse këto raste do të hedhin më shumë dritë mbi rastet e montuara apo do të heshten nga droja e përkeqësimit të situatës?

Ismet Ramadani thotë për Portalb se aferat dhe rastet e fundit që po zbulohen do të hedhin dritë mbi shumë raste të montuara.

“Duhet që të gjithë të insistojnë që materialet të cilat i posedon opozita të publikohen me qëllim që të lirohen personat e  pafajshëm. Të gjithë u bindëm që ka pasur intervenime nga pushteti të cilat kanë ndikuar në gjykata. Më mirë është që njëherë e përgjithmonë të del e vërteta në shesh”, thotë Ismet Ramadani.

Sipas tij zbardhja e proceseve të montuara nuk do të prish marrëdhëniet ndëretnike në vend, por të nxjerr të pah fajtorët nga të cilët të gjithë do të distancohen.

“Në rastet më të rënda si vrasja e Harun Aliut, rasti Monstra, mund të ketë ndonjë bashkëpunim eventual mes disa personave i cili duhet të zbulohet dhe të dihet se kush i montoi këto raste. Është mjaft delikate kjo situatë prandaj mendoj se duhet të kyçen ndërkombëtarët, si NATO, OSBE,BE dhe me ndihëm e tyre mund të kemi rifillim të ndërtimit të institucioneve të pavarura shtetërore dhe demokratike”, thotë Ismet Ramadani.

Alajdin Demiri thotë për Portalb se me të drejtë shqiptarët presin që të sqarohen të gjitha ato afera të vrasjeve dhe likuidimeve që populli ka bindje se nuk janë ashtu siç thuhet por janë të montuara.

“Duke filluar nga ngjarjet e 97 dhe rastet si Sopoti, Brodeci dhe së fundi Monstra, likuidimet e shumë prej ish ushtarëve të UÇK-së, si i ndjeri Harun Aliu etj. Presin që të zbardhen kush dhe si i likuidoi, kujt dhe pse i penguan ata. Natyrisht kjo varet nga ajo se deri ne çfarë doze do të bën zbulime Zaevi dhe çka posedon. Po të zbardhen këto raste ashtu si mendon populli, i mundur është që shqetësimi aq i madh te shndërrohet në trazira në Maqedoni dhe përgjegjësia e pushtetit do të jetë shumë e madhe”, thotë Alajdin Demiri.

Sipas tij aferat e përgjimeve ne një dozë të shkallëzimit sipas përmbajtjes së tyre kanë për qëllim rinimin e pushtetit bazuar në keqpërdorimet, manipulimet dhe inskenimet e pushtetit.

Deri më tash thotë Demiri,  dëgjuam pjesën hyrëse, fazën e parë dhe pjesën e dytë, në të cilën u zbuluan detaje mbi keqpërdorimin e gjyqësisë si dhe manipulimin dhe shfrytëzimin e saj.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button