fbpx

FESTË E ZBEHTË

Kosova ime e dashur, që e dua marrëzisht, njerëzisht, pafundësisht, e festoi shtatëvjetorin e shpalljes së pavarësisë. Një festë kur duhet të kujtojmë e të reflektojmë. Festat sa janë për të kremtuar, po aq edhe për të kujtuar e reflektuar – për të kaluarën, të tashmen dhe për të ardhmen e kombit.

Nderim të thellë dhe adhurim deri në përkulje për ata që ikën së gjalli, duke lënë një dhiatë: ta duam Kosovën!

Nderim për djemtë e vajzat që i falën Kosovës më të shtrenjtën që ka njeriu, të papërsëritshmen, unikalen, jetën e tyre!

Nderim për fëmijët, këta engjëj pafajësie, vrarë mizorisht nga “hitlerat e sokakeve tona”!

Nderim për prindërit që nuk kanë ku t’i qajnë bijtë e bijat e tyre!

Nderim e respekt për gratë që vuajnë nga makthet e përdhunimit shtazarak!

Nderim për burrështetasit europianë e amerikanë që e shpëtuan Kosovën!

Në këtë ditë më bëhet sikur në qiell lexoj një dhiatë shkruar me germa të ajërta, si prej ëndrre, ku thuhet se duhet punuar me dashuri e përkushtim për Kosovën. Duhet punuar çdo ditë të jetës tonë, që ajo të jetë më e bukur, më e mirë, më e plotë, më e ditur nga çka qenë.

Në këtë ditë i kujtoj dy filxhanat e Lasgush Poradecit, që shpalojnë një ëndërr të kahmotshme, sa hyjnore, po aq njerëzore, një ëndërr të atyre që janë dhe atyre që kanë ikur.

Në këtë ditë lexoj përlotshëm vargjet e Ali Podrimjes. Lexoj përlotshëm vargjet e dhembjes dalë prej qenies së Xhevdet Bajrajt. Janë vargje që duhet mësuar përmendsh, jo vetëm si vlerë artistike, por pse i shërbejnë kujtesës sonë të mbushur me kujtime të hidhura, me sy të ngrirë fëmijësh, ku qe vizatuar përgjithmonshëm një qiell pafajësie, asaj kujtese që nuk i mungoi ndjenja e ngulmimit, flijimit, dashurisë dhe shpresës…

Pikërisht, në këtë ditë feste, kur duhet të jesh i lumtur, unë pjesëtari i brezit të humbur, ndjej se si trishtimi shtrihet nëpër të gjitha hemisferat e qenies time.

Kosova nuk është siç e projektuam në ëndrrat tona. Sa nuk e ka humbur armën më të fuqishme që e pati dhe që e solli këtë festë: shpresën.

Kosova mbulohet me re zgjënjimi e defetizmi…

Prej se u çlirua nga Serbia, kam shkruar fare pak për Kosovën. Kam shkruar për gjëra të bukura: për ndonjë shfaqje të mirë, për ndonjë libër të veçantë, për ndonjë ngjarje të rëndësishme kulturore. Aspak për problemet politike. Besoja dhe besoj se Kosova i ka njerëzit e ditur që e njohin më shumë atë realitet jetësor.

Ndryshe ndodhte kur Kosova dergjej nën terrorin serb. E ndjenim të gjithë si një obligim njerëzor të shkruanim për vuajtjet e njerëzve, për vrasjet e rrahjet e tyre. Përkundër tmerreve kishim një shpresë se ditët e mira paskëtaj do të vinë. Kishim bindjen se shqiptarët, pavarësisht ku jetonim, duhej të punonim për Kosovën, që ishte rrezik edhe ta doje. Ishte e rrezikshme të shkruaje për vuajtjet e saj. Ishte me rrezik të vizitoje miqtë e mikeshat nga Kosova. Megjithatë, dashuria për Kosovën të bënte të krisur: nuk e ndjeje rrezikun.

Në kohën kur kryefjala e qytetërimit europian “për vlerën e pakufishme njerëzore” nuk vlente fare, kur asgjë nuk frymonte, kur nëpërkëmbej dinjiteti njerëzor e kombëtar, kur sytë të lotonin nga dhembja dhe gazi lotësjellës, kur njerëzit helmoheshin dhe asnjëherë nuk merrej vesh me çfarë helmi, e sërish ishin me fat, ngase së paku ishin gjallë, ne që jetonim në Prishtinë ndjenim se na ofrohej shumëçka tjetër përkundër tmerreve që ndodhnin. Prindërit tanë më kot shqetësoheshin për ne, ngase sërish ishim të lumtur dhe kishim shpresë. Pas çdo protestë fillonte një jetë e re. Thjesht, Prishtina frymonte ndryshe. Ndryshe frymonte Kosova. Kishte solidaritet ndërmjet njerëzve, kishte ndjenjë për jetën e përbashkët. Ishte Prishtina e vargjeve të poetit Lulzim Haziri; vargjeve më të bukura që mund të jenë shkruar ndonjëherë për këtë qytet…

Sot Kosova më duket ndryshe dhe do isha i lumtur nëse gabohem. Druaj se miqtë e mi nga Kosova, kryesisht njerëz të artit, do të më japin të drejtë. Dita e festës është hijezuar nga eksodi i paimagjinueshëm, i shoqëruar me zgjënjim. Ikin edhe ata që kanë iPhone. Edhe ata e kanë humbur shpresën. Janë të zhgënjyer. Ikin dhe sikur dalin nga vetvetja.

Nuk di t’i përgjigjem saktësisht pyetjes së thjeshtë: “Përse ikin shqiptarët e Kosovës?”, sepse jepen aq shumë përgjigje të komplikuara e çorientuese. Përmenden skenare të ndryshme. Disa akuzojnë Serbinë (a nuk u çlirua më nga Serbia kjo Kosovë?). Disa thonë se kështu synohet të rinohet Europa, e unë besoj se eksodin e kosovarëve nuk e nxitën europianët, por politikanët e korruptuar lokal.

Njerëzit humbin shpresën kur shohin se si rrjepacakët e deridjeshëm janë bërë bosat e tanishëm. Kur të paditurit e deridjeshëm janë bërë “intelektualët” e sotëm, kurse njerëzit e ditur i kemi nëpër “bodrume” dhe nuk ua dëgjojmë zërin. Kur politikanët e diplomatët (me përjashtime) janë për faqe të zezë etj.

Ndoshta ka shkaqe të tjera që s’i di. E kjo nuk është aq tragjike. Më tragjike është kur institucionet që paguhen nga taksat e qytetarëve nuk kanë një përgjigje. Ky është kulmi i kulmeve. Kur mungojnë përgjigjet e domosdoshme në çaste ligështimi të një kombi, atëherë kjo është një dëshmi se po lëvizet me hapa gaforreje…

Kosova ime e dashur, duhet të kesh shpresë, sepse maskarenjtë janë të përkohshëm, kurse ti je e përjetshme!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close