fbpx

Hetimi i gazetarëve investigativë britanikë: Rusia bombardoi Ukrainën lindore, rrëzoi avionin “MH17”

Tashmë një grup gazetarësh investigativë nga Britania e Madhe, të cilët kanë përdorur teknika dixhitale të zbulimit, imazhe satelitore dhe mediat sociale, kanë ofruar prova bindëse se bombardimet kishin ardhur nga përtej kufirit, apo më saktë nga Rusia.

Puna e bërë nga gazetarët investigativë të “Bellingcat” nënvizon një aspekt të vrazhdë në luftën e Ukrainës, që vazhdon të bëjë zhurmë, pavarësisht përpjekjeve të javës së kaluar në Minsk për të arritur një armëpushim, falë raportimeve për luftime të ashpra përreth qytetit Debaltseve gjatë së martës, një zonë në kryqëzim rrugor dhe hekurudhor tepër i rëndësishëm.

Rusia është akuzuar prej kohësh për kalimin e ushtarëve, municioneve dhe automjeteve ushtarake drejt lindjes së Ukrainës në ndihmë të separatistëve, për t’u përballur me ushtrinë ukrainase. Por, deri më tani, shumë pak ishte shkruar në lidhje me njësitë ushtarake ruse që kanë bombarduar Ukrainën nga përtej kufirit.

Ekipi i “Bellingcat” ka analizuar modelet e kratereve nga fotot satelitore të 3 fushëbetejave, ku ushtria ukrainase u sulmua në mënyrë tepër brutale gjatë verës së kaluar, si dhe ka gjurmuar trajektoret e përllogaritura deri në vendin nga ku supozohet të ketë nisur sulmi, e pikërisht aty ka identifikuar gjurmë djegieje dhe gjurmë gomash të mjeteve të rënda nga imazhet satelitore, të cilat korrespondojnë me ato të raketahedhësve rusë. Me vetëm një rast përjashtimor, të gjitha pozicionet e qitjes të identifikuara nga grupi në fjalë kanë qenë në tokën ruse.

Veç kësaj, gjurmët në pozicionet e qitjes dhe prej tyre, e kanë origjinën ende më thellë në Rusi, duke sjellë kështu të tjera prova se kanë qenë pikërisht njësitet ruse dhe jo luftëtarët separatistë, të cilët kanë vepruar dhe janë larguar nga vendngjarja. Imazhet e të njëjtave zona të marra përpara nisjes së sulmeve, nuk shfaqin asnjë gjurmë gomësh apo toke të djegur.

Rusia ka mohuar vazhdimisht përfshirjen e trupave të saj në lindje të Ukrainës, duke këmbëngulur se lufta kundër forcave qeveritare po kryhej nga kryengritës lokalë. Vladimir Putin i ka përshkruar ata si “vullnetarë”. “Nuk jemi duke sulmuar askënd, nuk jemi nxitës të luftës”, deklaroi presidenti rus gjatë dhjetorit.

Në një tjetër hetim, “Bellingcat”, grupi i gazetarëve investigativë të specializuar në analizimin e imazheve, ndoqën edhe lëvizjen e sistemit raketor “Buk”, që u fotografua nga persona civilë pranë vendit të rrëzimit të avionit “MH17”, fotot e të cilëve përfunduan online, duke bërë të ditur se mjeti lançues i raketës ishte pjesë e një njësie luftarake ruse. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close