USHT e shënoi 20 vjetorin e ligjëratave të para

Universiteti Shtetëror i Tetovës, me një sërë aktivitetesh e shënoi 20 vjetorin e ligjëratave të para. Sot u përkujtua 17 shkurti i vitit 1995, kur në mejtepin e xhamisë së fshatit Poroj u mbajtën ligjëratat e para të studentëve të Universitetit të Tetovës dhe po këtë ditë, në fshatin Reçicë ra edhe dëshmori i arsimit në gjuhën shqipe, Abdilselam Emini. Drejtuesit e Universitetit Shtetëror të Tetovës me në krye Rektorin, Vullnet Ameti, bashkë me profesorët dhe studentët, gjatë paradites vendosën kurora lulesh tek busti i dëshmorit Abdilselam Emini dhe bënë homazhe tek vari i Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Fadil Sulejmani. Më pas, delegacioni i USHT-së e vizitoi edhe Muzeun e Universitetit Shtetëror të Tetovës në fshatin Poroj, vend ky ku para 20 vitesh u mbajtën ligjëratat e para. Po ashtu, delegacioni i USHT-së vuri kurora lulesh edhe tek busti i dëshmorit të kombit Mujdin Aliu.

Për  nderë të 17 Shkurtit, ditës së fillimit të ligjëratave të para në Universitetin e Tetovës, në amfiteatrin e rektoratit u mbajt një akademi solemne. Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës.Vullnet Ameti theksoi se kjo datë është një ditë e veçantë për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë. “Kjo datë shënon ditën më të ndritshme të arsimit sipëror në gjuhën shqipe dhe ditën e veçantë për shqiptarët e Maqedonisë, sepse vendimi historik për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe ishte një hap historik dhe vizionar, për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të çështjes së arsimit sipëror në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, ndërsa fillimi i ligjëratave të para shënon datën e fitores së madhe të arsimit mbi padrejtësitë shekullore, shovinizmin dhe barbarinë mbi arsimin në gjuhën tonë amtare. Në historinë e tij  20 vjeçare, Universiteti ynë shënoi të arritura kolosale në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës, përkundër problemeve të shumta me të cilat u ballafaqua gjatë këtij rrugëtimi. Gjatë kësaj periudhe, ky institucion i arsimit të lartë e realizoi misionin e vet, i realizoi objektivat e veta dhe u shndërrua në Universitet publik të respektueshëm brenda dhe jashtë vendit”, tha Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti.

Për rëndësinë historike të ligjëratave të para të pranishmëve me referat iu drejtua Ejup Ajdini, i cili ndër të tjera tha: “Një ditë para ligjëratave të para, më 15.02.1995, në tubimin madhështorë në Reçicë të Vogël erdhi nga Amerika kongresisti me prejardhje shqiptare, Xhozef Dioguardi, për të përcjellë për së afërmi vuajtjet dhe krenarinë kombëtare të gjakut të vet dhe në anën tjetër të ndjek dhunën dhe ligjet fashizoide të asaj kohe, që ishin tërbuar kundër Universitetit të Tetovës, simbolikë kjo, e cila nënkuptoi se Dioguardi erdhi për të paralajmëruar se Universiteti i Tetovës ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, vlerësoi Ejup Ajdini.

Lajme të ngjashme

Back to top button