Thaçi: Edhe në Beograd do të valojë flamuri i Kosovës

Kosova kurrë nuk ka qenë më e lirë, ndërsa shtetet e Ballkanit kurrë nuk kanë qenë në paqe me njëra-tjetrën siç janë sot, ka thënë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për portalin pan-evropian “EurActiv” me rastin e shtatë vjetorit të shtetësisë së Republikës.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka nënvizuar rritjen ekonomike gjatë viteve të pavarësisë që ishte mesatarisht rreth 4% dhe borxhin e jashtëm më të ulëtin gjithandej Evropës Lindore.

Ai tha se mbi 80% e popullsisë është e kyçur në internet broadband, ndërsa në 7 vitet e pavarësisë janë ndërtuar edhe 1,500 km rrugë dhe 100 shkolla.

Thaçi tha se me gjithë investimet e rëndësishme infrastrukturore, kosovarët janë lodhur nga tranzicioni i dhimbshëm dhe kërkojnë standard më të mirë ekonomik. Rritja ekonomike nuk ka krijuar shumë vende të reja të punës për të rinjtë, pra Kosovës i mbetet edhe shumë për të bërë.

Kosovarët kanë një shpirt ndërmarrës, varfëria e lartë do të zbutet

Ministri i Jashtëm Thaçi tha se ashtu si shtetet e rajonit nga Athina e deri në Lubjanë, as Kosova nuk mbetet imune nga problemet e shumta ekonomike.

Megjithatë, ai ka shtuar se, krahasuar me 15 vite më parë, e dalë nga një luftë e tmerrshme gjenocidale, e përvuajtur për gjysmë shekulli pas Luftës së Dytë Botërore nga një regjim i egër komunist, me 70% të popullsisë analfabete atëbotë, nën pushtues të njëpasnjëshëm shekullor, Kosova ka arritur majën e zhvillimit demokratik.

“Ka korrupsion dhe ne do ta çrrënjosim atë. Edhe ca shenja të konfliktit të vjetër me Serbinë do t’i tejkalojmë tani që jemi në dialog me Serbinë. Do t’i normalizojmë marrëdhëniet drejt integrimeve evropiane”.

Thaçi tha se kosovarët janë njohur gjithmonë për shpirtin e tyre ndërmarrës dhe se kështu do ta zbusin varfërinë e lartë. Kosova ka një shoqëri vibrante të përkushtuar që të sigurojë një jetë më të mirë për familjet.

Kosova filloi negociatat me BE për Stabilizim-Asocimin, e meritojmë lëvizjen e lirë në BE

Zëvendëskryeministri i parë Thaçi tha se presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka përshkruar realitetin kur ka thënë se në pesë vitet e ardhshme nuk do të ketë zgjerim të BE-së.

“Druaj se kjo zgjatje mund të shkojë përtej këtij kufiri kohor. Për Kosovën tani është e rëndësishme që të fitohet e drejta për lëvizje të drejtë, e drejtë kjo që e gëzojnë të gjithë ballkanasit të tjerë. Çdo i katërti kosovar jeton tashmë në BE dhe mungesa e lëvizjes së lirë më 2015 thjesht po krijon frustrim te kosovarët. Shtetet që nga Kolumbia e deri te Moldavia kanë të drejtë udhëtimi pa viza në BE dhe është ironike që për një kosovar është më e lehtë të merret viza për në Pekin sesa për në Bruksel”.

Thaçi shtoi se, megjithatë, fakti që kemi filluar negociatat me BE për stabilizim-asocimin tregon se kosovarët nuk do të mbesin të izoluarit e Ballkanit dhe se së shpejti do ta marrim dritën jeshile për liberalizimin e vizave.
GJND e betonoi pavarësinë, shumica absolute e shteteve të BE-së e kanë njohur Kosovën

Thaçi tha se shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia nuk po e bllokojnë rrugën evropiane të Kosovës. Ai shtoi se janë realizuar vizita bilateral dhe se Kosova ka ndërtuar marrëdhënie miqësore me këto shtetet.

“Pas opinionit të GJND-së se pavarësia e Kosovës nuk ka qenë kundër së drejtës ndërkombëtare, mosnjohja e Kosovës nuk është më një çështje ligjore”.

Ai shtoi se shumica absolute e BE-së e kanë njohur Kosovën dhe se në një të ardhme jo të largët do të ketë një politikë të unifikuar evropiane, duke shtuar se një BE e unifikuar është një domosdoshmëri jetike sidomos tani që po përballet me sfidat e luftërave në Ukraine, Lindjet të Mesme, etj.

Në një të ardhme të afërt, flamuri i Kosovës do të valojë edhe në Beograd

Ministri i Jashtëm Thaçi ka potencuar edhe marrëveshjen historike me Serbinë në të cilën thuhet se Serbia do t’i respektojë ligjet e Kosovës dhe se nuk do ta pengon Kosovën drejt anëtarësimit në organizata rajonale.

“Kjo është një njohje implicite dhe nuk do të kalojë shumë kohë kur Serbia do të njohë Kosovën edhe formalisht dhe se flamuri i Kosovës do të valojë edhe në ambasadën tonë në Beograd”.

Gjermania mbetet një aleat i fuqishëm dhe kyç i Kosovës, Kosova do të jetë nikoqire e Procesit të Berlinit më 25 mars

Thaçi ka vlerësuar se Gjermania është përkrahëse e fuqishme e afirmimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare e cila e ka hapur temën e Kosovës në katër anët e botës, në shumë vende dhe shumë organizata. Ai tha se ka zhvilluar takime dhe diskutime shumë të mire me diplomatë gjermanë dhe se ata gjithmonë e kanë ndihmuar Kosovën.

Thaçi shtoi se Kosova mban mend me shumë dashuri brezat e tërë të diplomatëve gjermanë që e kanë përkrahur Kosovën – nga Hans-Dietrich Genscher e deri te Wolfgang Ischinger.

“E njëjta mbështetje vjen edhe nga ambasadorët gjermanë”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.

Ai nënvizoi rëndësinë thelbësore të nismës së re të kancelares Angela Merkel për investime rajonale në Ballkan dhe se Kosova do të jetë nkoqire e samitit ballkanik më 25 mars, në kuadër të Procesit të Berlinit ku vendet rajonit do të lobojnë bashkërisht për investime në infrastrukturë.

Emigrantët kosovarë nuk përbëjnë precedent në rajon dhe Evropë

Duke iu referuar fenomenit të emigrimit kosovarë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, zëvendëskryeministri Thaçi theksoi se migrimi i kosovarëve drejt Perëndimit ka qenë në suaza të një mesatareje ballkanike, gjë të cilën së fundi e kanë theksuar edhe autoritetet federale për mediet gjermane.

Ai shtoi se një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe thashethemet se Gjermania po jep leje punësimi, duke shkaktuar kështu konfuzion te qytetarët dhe një fluks të madh të njerëzve.

Thaçi shtoi se në bashkëpunim me autoritetet e Hungarisë, Austrisë, Gjermanisë dhe BE-së, ky trend po ngadalësohet por që edhe vet qytetarët kosovarë po vetëdijësohen se as në Evropë nuk është gjithçka “ajkë e qumësht“.

“Gjermania dhe shtetet tjera gjegjëse do t’i shkurtojnë procedurat e refuzimit meqë ballkanasit po tentojnë të hyjnë ilegalisht në ato shtete që kanë procedura më të gjata”.

Mungesa e liberalizimit të vizave është në mesin e faktorëve që ndikojnë në emigrimin e kosovarëve
Zëvendëskryeministri Thaçi tha se një pjesë e të rinjve po marrin rrugën për në BE sepse e kanë të pamundur t’i vizitojnë familjarët e tyre dhe se është tragjike që më 2015, vetëm një orë e gjysmë nga Vjena, të keni të rinj që nuk kanë mundësi ta shohin fare Evropën.

“Ne duhet të krijojmë mundësi legale dhe lëvizje të lirë siç i kanë të gjitha shtet e Ballkanit. Kosova ka përmbushur 90% të kushteve teknike për të fituar të drejtën e lëvizjes së lirë dhe shpresojmë të finalizojmë këtë proces sa më parë”.
Procesi i integrimit të Kosovës ndikon në stabilitetin e përgjithshëm

Në fund të intervistës për EurActiv, zëvendëskryeministri Thaçi theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA) mes Kosovës dhe BE-së, negociatat për të cilën filluan zyrtarisht më 2013, është vonuar tashmë.

Thaçi shtoi se Kosova ka konsoliduar tekstin e Marrëveshjes me BE dhe se beson se nënshkrimi do të bëhet para verës. “Kosova ka arritur marrëveshjen me Serbinë për normalizim qysh më 2013 dhe se çdo vonesë në integrimin e Kosovës do të ketë reperkusione në stabilitetin e përgjithshëm. Thaçi konkludoi se është e vështirë të bindet qytetari i Kosovës se është pjesë e natyrshme e Evropës nëse kemi vonesa të pakuptueshme që në hapat tonë të parë të integrimit”.

Lajme të ngjashme

Back to top button