Nishani: Pavarësia e Kosovës, një realitet i pakthyeshëm

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, sot i ka përcjellë një mesazh urimi Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e 7-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Nishani bën me dije se në 7 vjet pavarësi, Kosova ka qënë një shembull suksesi. Më tej ai nënvizon se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm.

“E nderuar Zonja Presidente,
7-vjetori i Ditës së shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më jep kënaqësinë e madhe e të veçantë, që në emër të qytetarëve shqiptarë dhe timin personal, t’ju përcjell urimet më të mira e vëllazërore për mirëqenien dhe begatinë e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj.

Marrëdhëniet mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, përtej marrëdhënieve ndërshtetërore, janë marrëdhënie vëllazërore, që i shërbejnë më së miri bashkëpunimit të gjithanshëm e strategjik në të mirë të qytetarëve të dy vendeve tona, por dhe bashkëpunimit në nivel rajonal e evropian.

Kosova sot është një shtet i pavarur dhe unë ndjehem shumë i lumtur që në këto shtatë vjet pavarësi, Kosova ka qenë një shembull suksesi. Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe koha po tregon se mbështetja e pavarësisë së Kosovës i ka shërbyer jo vetëm Kosovës dhe qytetarëve të saj, por edhe paqes e sigurisë në rajonin e Ballkanit, si dhe të hapësirës evropiane.

Kam gjithashtu kënaqësinë që në këtë ditë të pavarësisë, të përshëndes të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës, si brenda vendit ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, si dhe të shpreh mbështetjen e palëkundur të të gjitha institucioneve të Republikës së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare.

Jam i bindur se shumë shpejt, Kosova do të zërë vendin që meriton në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Me urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për Republikën e Kosovës, ju lutem pranoni e nderuar Zonja Presidente, konsideratat e mia më të larta”, përfundon mesazhi i Presidentit Nishani. /albeu/

Lajme të ngjashme

Back to top button