ANALIZË: Në mes të krizës politike – punësime shtetërore, pse?

Shpallje masovike për punësime në ndërmarrjet publike, në agjencitë shtetërore, në arsim. Disa ditë para se të hyjë në fuqi ligji i ri për administratë, me të cilin parashihen kritere më të ashpra për punësim, shteti publikoi dhjetëra konkurse. Me një procedurë të shpejtë kuvendore, Kuvendi i votoi ndryshimet ligjore me të cilat mundësohet transformimi i vendeve të përkohshme në vende të përhershme pune, me çka praktikisht brenda natës u krijuan kushte për punësim të tre mijë vetave, të cilat i paralajmëroi qeveria.

Punësime në qeveri, agjenci shtetërore, çerdhe, ndërmarrje…

Me shpalljet e reja, punësohen njerëz në çerdhet për fëmijë në Ohër, Shkup, Kërçovë, Shtip, Koçanë, Prilep, Veles, Manastir, Kumanovë, Gjevgjeli dhe Dibër. Dyert për punësime të reja i hapën edhe NP “Pyjet e Maqedonisë”, Agjencia për punësim e Republikës së Maqedonisë, NP – Radiodifuzioni i Maqedonisë, NP për rrugët shtetërore, IP – Enti për veprimtari sociale. Vendime për marrëdhënie të përhershme pune do të fitojnë edhe vullnetarët, ata që kanë punuar për kohë të caktuar ose me kontratë në vepër.

“Me Ligjin për transformim në marrëdhënie të rregullt pune mundësohet zgjidhja e statusit të disa mijëra njerëzve që janë të angazhuar në bazë të kontratave vullnetare, kontratave në vepër, kontratave autoriale ose ndonjë lloji tjetër të kontratës, në organet e pushtetit shtetëror, institucionet nga fusha e kulturës, arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes së fëmijëve dhe mbrojtjes sociale, të themeluara nga Republika e Maqedonisë dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale, si dhe në ndërmarrjet publike, entet, fondet dhe subjektet e tjera juridike, themelues i të cilave është Republika e Maqedonisë”, deklaroi zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski.

Pse në mes të krizës politike, qeveria i bën këto punësime? Sipas një pjese të analistëve, ky është “treni” i fundit për punësime në institucionet shtetërore që të evitohet ligji i ri, më rigoroz për administratë. Nga fundi i vitit 2014, poashtu u publikuan konkurse për qindra punësime. Një pjesë e ekonomistëve bënë thirrje që të priten ndryshimet e reja ligjore për punësim, me të cilat parashihen kritere më të ashpra për t’u punësuar në administratë.

“Nëse qeveria shpejton të realizojë sa më tepër punësime para se të hyjë në fuqi Ligji i ri për administratë, atëherë mendoj se në këtë mënyrë nuk do të sigurohen punësime kualitative, por vetëm mbushje kuantitative e administratës. Është e qartë se me ligjin e ri, i cili u miratua me sugjerim të Bashkimit Evropian, duhet të vendosen kritere më të larta dhe më të ashpra për punësim”, thotë profesoresha Shenaj Haxhimustafa.

Pas publikimit të konkurseve për punësim, qëndrim të njëjtë shprehu edhe profesori Davitkovski.
“Këto punësime, sipas meje tani realizohen në një hapësirë vakumi, para se të hyjë në fuqi Ligji i ri për administratë, me të cilin dukshëm ashpërsohen kriteret për punësim në shërbimin shtetëror ose atë publik. Tani mendoj se punësohen “ushtarë partiakë”, sepse në shkurt pritet të hyjë në fuqi ligji i ri për administratë, sipas të cilit kandidatët duhet të japin pesë, gjashtë provime. Këtu janë edhe punësimet sipas Marrëveshjes së Ohrit, të cilat poashtu realizohen në këtë hapësirë vakumi”, deklaroi para do kohësh, profesori universitar, Borçe Davitkovski.

Nga LSDM-ja opozitare akuzuan se tre ditë para se të hyjnë në fuqi kriteret e reja për punësim, ka mbushje të mëdha të vendeve të punës edhe në Sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Më 12 shkurt, është hapur konkurs për 154 punësime të reja në Sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Numri i njerëzve të angazhuar në këtë Sekretariat në vitet e fundit, pa konkursin e ri, është 3.334 njerëz, për të cilët paguajmë mbi 39 milionë euro në vit. Ajo që dallohet në shpalljet e shumta, përveç zgjerimit të Sekreteriatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, është edhe zgjerimi i kabinetit të Nikolla Gruevskit”, deklaroi Ljupço Nikollovski, anëtar i KE të LSDM-së.
Sipas partisë, të njëjtën ditë është hapur konkurs edhe për 36 njerëz të rinj në Prokurorinë publike të Republikës së Maqedonisë.

“Vetëm dje, në mes të natës, pak para mesnate, janë hapur 70 konkurse që kanë të bëjnë edhe me organe të tjera shtetërore dhe publike”, tha Nikollovski.

Për dallim nga këto qëndrime, nga Lidhja e Sindikateve të Maqedonisë e përshëndeti vendimin e qeverisë për të punësuar tre mijë njerëz.

“Ky është problem që zgjat me dekada dhe për herë të parë zgjidhet në këtë mënyrë. Me këtë masë do të rregullohet marrëdhënia e punës së një numri të madh njerëzish, të cilët kishin status të pazgjidhur dhe nuk ishin futur në sistemin e sigurimit social dhe pensional. Me zgjidhjen e statusit të tyre, do të ketë edhe rritje të konsumimit publik”, deklaroi kryetari i LSM-së, Zhivko Mitrevski.

Përndryshe, zgjidhjet e reja ligjore, të cilat tashmë kanë hyrë në fuqi, parashohin kritere më të ashpra për punësim në administratën shtetërore dhe atë publike. Për punësim do të jepen disa provime, duhet pasur njohje të shkëlqyeshme të gjuhës së huaj, është paraparë edhe vlerësimi i të punësuarve dhe kushte dhe kritere të tjera. Qëllimi është që statusi i të punësuarve administrativë të rregullohet sipas standardeve evropiane që të sigurohet aparat më efikas administrativ.

Valë masovike e punësimeve në vitet 2014, 2013, 2010…

Operacione për punësime masovike u realizuan edhe në disa vitet e fundit.
Gjatë vitit 2014, e veçanërisht nga fundi i vitit, u shpallën konkurse për qindra punësime. Mbushje e re kadrovike e institucioneve shtetërore u realizua në disa ministri, në mesin e të cilave, atë për punë dhe politikë sociale, për financa, për arsim. Në të njëjtën kohë, shpallje për punësimin e 113 personave u publikua edhe për pozita të drejtpërdrejta në qeveri, pastaj 180 punësime në Sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Në prill të vitit 2013, institucionet shtetërore u hapën edhe për 1.600 të papunë, me arsyetimin se përparësi kanë ata që vijnë nga kategoritë e dobëta sociale. Qeveria atëherë sqaroi se bëhet fjalë për masë sociale, e cila duhet t’u ndihmojë qytetarëve që janë pa punë. Vlerësimet e para bëjnë me dije se vetëm për t’u realizuar këto punësime do të nevojiteshin 8 milionë euro në vit.

“Qëllimi i masës së re qeveritare është t’u ndihmohet këtyre njerëzve, t’u mundësohet të dalin nga varfëria dhe të sigurojnë ekzistencë për fëmijët e tyre”, deklaroi ministri për financa, Zoran Stavrevski.

Pak para këtyre punësimeve u realizua edhe operacioni për punësim të përkohshëm të rreth 4.000 njerëzve, të cilët kryesisht u shpërndanë nëpër komuna dhe në ndërmarrjet publike. Vlerësimet ishin se këta njerëz buxhetit do t’i kushtojnë 1,5 milionë euro.

Аnaliza e dokumenteve buxhetore tregon se zëri për rroga dhe kontribute është në rritje të vazhdueshme. Kështu, nëse në vitin 2008, ai ka qenë 373 milionë euro, tani në vitin 2015, ai është pothuajse 400 milionë euro.

Rroga dhe kompensime:

Viti 2015 400 000 000 euro
Viti 2008 373 000 000 еuro

Mirëpo, megjithatë, kjo nuk është shuma përfundimtare për financimin e administratës. Nëpërmjet zërit buxhetor “shërbime plotësuese”, që kap vlerën deri në 400 milionë euro në vit, sipas një pjese të ekonomistëve, financohen “kontratat në vepër” që janë të popullarizuara. Pas vërejtjeve serioze nga Komisioni Evropian, se duhet të ndërpritet ky model i punësimeve në administratë, qeveria në vitin 2010, 5.000 punësime të përkohshme i transformoi në punësime të përhershme.

Për pesë vjet, duke e përfshirë edhe vitin 2015, vetëm për pagesën e rrogave dhe të kompensimeve janë harxhuar rreth 1,9 miliardë euro.

Lajme të ngjashme

Back to top button