DHUNA FAMILJARE

Në këto halle të mëdha që kemi, ne, si duket, e kemi harruar një hall që, po ashtu, është i madh. Hall i madh, problem i madh. Dhe, ky problem duhet të diskutohet. Duhet të bëjmë përpjekje  ta heqim nga rendi i ditës së kësaj shoqërie në të cilën jetojmë. Fjala është për dhunën në familje.

Zakonisht, kur flitet për dhunën në familje mendohet për dhunën fizike që burrat ushtrojnë ndaj grave. Kjo formë e dhunës ndoshta është edhe më e përhapura, mirëpo dhuna në familje është më komplekse, më e ngatërruar, sepse shpeshherë fëmijët janë viktima të kësaj dhune dhe më rrallë edhe burrat. Dhe, të gjitha këto forma duhet të jenë nën mbikëqyrje të përhershme të shoqërisë. Ato duhet të denoncohen nga çdo pjesëtar i shoqërisë, sepse viktima më së shpeshti e hesht  dhunën nga frika.

Dhuna fizike është forma më e rëndë e dhunës familjare. Të dhënat thonë se çdo e pesta grua është viktimë e dhunës fizike, e cila manifestohet përmes shpullave (87,5%), kërcënimeve për përdorim të forcës (70,1%) dhe shtyrjes e shtrëngimeve të ndryshme (63,9%). Përveç kësaj dhuna fizike kryhet edhe përmes formave të tjera të përdorimit të forcës: rrahja me mjete të ndryshme, shqelmimi, grushte etj. Nuk është e vogël edhe dhuna ndaj fëmijëve, veçmas ndaj vajzave. Fatkeqësisht nuk ka të dhëna për këtë formë dhune. Ndërkaq ta përmendim faktin se thuajse çdo e pesta grua e ka paraqitur dhunën e ushtruar familjare mbi njëzet herë.

Shumë.

Në një prononcim për dhunën në familje, ministresha aktuale e punëve të brendshme të Maqedonisë Gordana Jankulovska tha se gjatë disa viteve të kaluara kemi trend të evidentimit të rritur të rasteve të dhunës familjare të përcjellë me procedura juridike kundër numrit të kryerësve të regjistruar. Në bazë të analizave, siç vë në dukje ajo, mund të konstatohet se gjatë periudhës së kaluar ka ndryshuar vetëdija për dhunën familjare. Gjithnjë e më tepër dhe gjithnjë e më hapur po flitet për këtë problem, ndërsa shoqëria është më e ndjeshme ndaj këtij problemi, më mirë e njeh dhe në mënyrë adekuate reagon.

Jankulovska thotë se ligji mund të dënojë dhe të sanksionojë, por shenjat në shpirtin mbeten përgjithmonë dhe se këto vragë  nuk mund t’i kompensohen njeriut me kurrfarë sanksionesh. Prandaj është i rëndësishëm parandalimi i dhunës familjare dhe ngritja e vetëdijes shoqërore për pengimin e tij.

Kjo është në rregull. Por problemi te shoqëria e këtushme shqiptare është ndryshe nga problemi i vendit sa i përket dhunës në famlije. Te shqiptarët gjendja mbetet thuajse siç ka qenë gjithmonë. Gratë shqiptare keqtrajtohen dhe nuk e kallëzojnë e as nuk e denoncojnë dhunën që ushtrohet mbi to. Qytetarët edhe më pak. Dhe, nuk dihet se sa dhe si keqtrajtohen fëmijët.

Le të jemi të sinqertë e ta pranojmë se te ne ka ende raste kur gruaja  trajtohet si pronë personale, kur vajza e djali nuk trajtohen si të barabartë dhe kur fëmija rrihet pa kontroll. Madje edhe prindërit “ia pranojnë” superioritetin djalit, ndërsa vajza mbetet me më pak vlera dhe, kuptohet, me pozitën inferiore. Si pasojë, më lehtë ngrihet dora mbi fëmijët e gjinisë femërore.

Kur aq shumë gra janë viktima të kësaj dhune në Maqedoni, atëherë dhuna ndaj gruas shqiptare është disa herë më e madhe për shkak të traditave tona dhe për shkak të rrethanave në të cilat jetojmë. Sa gra rrihen për çdo ditë në këto anë veç i madhi zot e di, sa vajza keqtrajtohen fizikisht nga prindërit e nga vëllezërit, edhe këtë veç i madhi zot e di. Por se ndodhin këto gjëra, ndodhin dhe ne të gjithë e dimë, ngase në këto mese jemi lindur, këtu jemi rritur e këtu sillemi. E dimë, por asgjë s’kemi bërë mos të jetë kështu siç është.

Për fat të keq ky problem nuk mund të zgjidhet individualisht, po institucionalisht. Te ne mungon iniciativa e faktorit politik dhe  iniciativa e shoqatave joqeveritare. Pak i qasen problemit edhe mediat. Nuk ka hulumtime shkencore të gjendjes etj. Nuk më kujtohet që ndonjëri nga këta faktorë të ketë kërkuar të hapet një debat për këtë çështje, të ketë bërë ndonjë analizë shkencore, ndonjë kërkim gazetaresk. Të gjithë çdo gjë ia lënë ligjit kundër kësaj dhune, që është miratuar në Kuvend dhe të cilin ligj nuk jam i sigurt në e kanë lexuar të gjithë deputetët tonë. E kemi ligjin e kaq. Por për mbrojtjen e viktimave, gjyqi duhet të informohet. Dhe, kjo nuk mjafton. A mos do të vijnë vetë viktimat ta denoncojnë dhunën që ushtrohet mbi ta? Cilat viktima? Ato që edukohen me fjalët e grave më të moshuara, të nënave të tyre që thonë: “Hesht e duro! Edhe ne kemi duruar e ja ku jemi. Duro edhe ti”!

Jemi në shekullin XXI. Dhuna nuk durohet. Pse ta durojnë gratë shqiptare? Kujt i kanë borxh që të hanë shpulla?

Gjithë ato halle që kemi si pasojë e situatës politike dhe si pasojë e të kaluarës historike. Të bëjmë përpjekje ta lëmë pas nesh dhunën familjare. Përpjekje, them. Kjo do të ishte një përpjekje të jemi më të emancipuar. Përpjekje për të qenë të lirë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button