fbpx

‘Monstra’, familjarët presin zbardhjen e rastit nga ‘bombat’ e opozitës

Familjarët e të akuzuarve për rastin ‘Montsra’, janë në pritje të zbardhjes së rastit, gjë që e presin nga shpërthimet e ‘bombave’ të opozitës.

Familjari i Fejzi dhe Haki Azirit, Bedri Ajdari bën të ditur për Portalb, se punën e gjykatave të gjithë e kanë ditur, por askush nuk ka dashur të dëgjon dhe të ndihmon në këtë rast.

“Ne disa herë e kemi thënë që gjykata punojnë nën urdhrin e pushtetit dhe kjo tani ka nisur të dalë në sipërfaqe. Ne shumë shpesh herë e kemi thënë këtë por fatkeqësisht nuk kishim fakte dhe zëri ynë haste në vesh të shurdhër”, tha Ajdari.

Ai shtoi se ka informacione se në publikimin e përgjimeve do të ketë materiale edhe për rastin në fjalë.

“Ne kemi thënë që të afërmit tanë nuk janë fajtor. Kemi informacion se opozita ka materiale edhe për rastin ‘Monstra’, të cilat do t’i publikojë, dhe do të shohim se kush ka gisht në montimin e këtij rasti”, tha Ajdari.

Sipas Ajdarit po të mos i publikonte opozita bombat, të gjithë të akuzuarit e rasteve të montuara do kalbeshin në burgje.

“Ne kemi shumë shpresa se këtij epilogu pi i vjen fundi. Kur opozita të shpalos përgjimet e rastit në fjalë do të dëshmohet se familjarët tanë janë akuzuar pa asnjë farë faji. Të gjitha përgjimet lidhur me rastet e montuara duhet të publikohen dhe të zbardhen, përndryshe njerëz ta pafajshëm do të kalben burgjeve”, shtoi Ajdari.

Ai shton se për momentin nuk u ka ngelur asgjë të bëjnë pos të presin publikimet e radhës dhe dëshmitë për pafajësinë e të afërmve.

Sa i përket ankesës së dorëzuar që në muajin tetor të vitit të kaluar në Gjykatën e Apelit, avokati mbrojtës, Naser Raufi bën të ditur se ende nuk ka asgjë të re dhe se janë në pritje.

“Kemi informacion që është duke u punuar në lëndë, por ja që ne nuk kemi asnjë informacion. Ankesa e aktvendimit për rastin ‘Monstra’ është dërguar qysh në tetor të vitit të kaluar dhe ende nuk ka asnjë përgjigje”, tha për Portalb, Raufi.

 

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close